Thaçi, Veseli, UÇK, aktakuza dhe takimi i dështuar me 27 qershor

Thaçi, Veseli, UÇK, aktakuza dhe takimi i dështuar me 27 qershor

Nga Jahja Kokaj - 02/07/2020

Lajmi i ngritjes së aktakuzës nga prokurori i Dhomave të Specializuara, e cila mbetet ta kalojë filtrin preliminar para se të shkojë në gjykim, e brengos çdo shqiptar dhe dashamirë të shqiptarëve.

Akuza ndaj Presidentit të Kosovës, si kriminel i mundshëm i luftës, mori dheun, u përhap ekspanzionalisht si lajm botëror në të gjitha shtetet e planetit. Shtoja edhe faktin që ai ishte njëri nga udhëheqësit e lartë të UÇK-së, së bashku me z. Kadri Veselin dhe krerë të tjerë të UÇK-së, jehon në Botë si njollosje ( për njerëzit e pa informuar, qe janë shumica që marrin këto informacione) e luftës së drejtë e UÇK-së dhe dyshimeve të luftës së sajë të drejtë çlirimtare.

Këtij imazhi që invadon gjithandej në sytë e Europes dhe kontinenteve, i bashkohet kujtesa për Serbinë, për të cilën ishte krijuar më herët imazhi i vërtetë si shtet agresor, kriminal me veprime institucionale gjenocidale kundër shqiptarëve dhe kombeve të tjera të Ballkanit.
Serbia, e cila me megallomanizmin e Serbisë së madhe dhe akcionet kriminale, donte që shqiptarët ti eliminonte përfundimisht nga Kosova. Me gjakun rrëke të derdhur në Kosovë, në Bosnje e gjetiu donte të krijonte Serbinë e Madhe. Të gjitha këto sot eklipsohen me dyshimet për krimet që paskësh bërë viktima, populli i pafajshëm, liridashës dhe paqësor i Kosovës.

Se kjo ditë e kobshme për neve, me kulmin e shtrembërimit të së vërtetës së Zotit dhe robit, për të vërtentën tonë, është triumf i veprimeve persistente të armikut tonë shekullor serbo-rus, është evidente. Por ironike është befasia e atyre që aprovuan dhe votuan formimin e Gjykatës Speciale për shqipetaret pra viktimat, e jo palën kriminale serbe, që shkaktoi viktimat trishtuese dhe eksodin, te gjitha keto te evidentuara ne menyre konfirmative. Te kujtojme fjalimin historik te Rexhep Selimit, ne momentet e aprovimit te kesaj gjykate.
Por, në mesin e kësaj tragjedie informative e diplomatike e politike, e quaj unë, më shkon në mendje thënia e Bill Clintonit, mikut të Madh të Shqiptarëve: “Ju ndihmuam ta fitoni luftën, por paqen duhet ta fitoni vetë”.

Kjo thënie profetike, që sot aktualizohet si realitet, vrushkullon rrjedhën e mendimit, se cili ishte gabimi ynë që gjeneroi impotencën tonë diplomatike, politike dhe të dimensioneve të tjera karshi perfiditetit politiko diplomatik, persistent dhe shumëdimensional të Serbisë-Rusisë, që na solli në këtë ditë kaq të dhimbshme.

Dy faktorë, që dalin nga shkenca e lidershipit professional, konsideroj që janë në krye të listës së faktorëve që na degraduan deri në këtë situatë:

a) Mos kompetenca profesionale dhe
b) Mungesa e inteligjencës emocionale

Duke filluar sqarimin e faktorit të parë, ti rikthehem porosisë gjeniale të përmendur nga Bill Klintoni, që shënon fillet e tërë rrjedhave politike, diplomatike, shtetformuese dhe të ngjashme, që na çuan në këtë situatë shumë të palakmueshme, apo grackë që mos ta quaj humnerë të imazhit apo prosperitetit tonë.

Përderisa fitimi i luftës bazohet në artin ushtarak dhe gatishmërinë për tu flijuar për atdhe, të cilën e patën djemtë tanë të UÇK-së dhe prijësit e heronjtë e vdekur dhe të gjallë, fitimi i paqes kërkon kompetenca profesionale, mendore, diplomatike, teknologjike shkencore, pra kognitive mendore.

Por, fatkeqësia qëndron aty që prijësit tanë të UÇK-së sikur edhe ata të LNÇ-së (të vitit 1941) që qëndruan në pozita nga paslufta e gati deri në luftën e fundit, edhe këta të UÇK-së, e bën këtë gjë për 20 vjet.

Pas luftës, fatkeqësisht del si konvencionale apo inerciale që luftëtarët për liri, të cilët patën guximin dhe dijen luftarake liberatorë u vendosën në krye të shtetit dhe klasave politike.

Fatkeqësisht edhe LDK-ja, që fillimisht kishte lider mendimtarin Ibrahim Rugoven, u stërkeq, dhe gradualisht u eliminuan njerëzit me aftësi kognitive dhe patriotike, duke ardh në ballë të sajë njerëzit e korruptuar, të vetëquajtur akademik, të padijshëm, grackaxhinjë dhe bërrylaxhinjë.

Në shekullin që jetojmë, nuk mjafton që pragmatizmi apo amatorizmi autodidakt të mundësojë, që nga lavërtari apo këpucëtari, pa shkollim gradual, sistematik dhe të mirëfilltë të arrish kompetenca profesionale shkencore politike, diplomatike apo të lidershipit të modernitetit. Ndaj duke përfunduar faktorin e parë, konkludojmë që ne nuk patëm njerëz me kompetenca profesionale të përballemi me ngjarjet politike, diplomatike dhe shtetformuese, përballë njerëzve me kompetenca, të armiqve apo rivalëve serbo-rus.
b)Faktori i dytë që na sjelli në këtë gjendje degraduese që sot e përjetojmë është inteligjenca emocionale. Duke implementuar parimet themelore të saja, derivohet e vërteta që prijësit shtetëror dhe politik, pra klasat e përmendura politike jo vetëm që nuk kishin aftësi kognitive, por mëshikëza e potencialeve të tyre mendore, në luksin dhe pasurinë kolosale që arritën në mënyrë korruptive, gjeneroi një vetëbindje, se dinë dhe munden gjithçka… Janë të pazëvendësueshëm, se Kosova duhet të frymmarrë nëpërmjet gabzherrit të tyre. Kjo ndjesi është e rrezikshme, jo vetëm për faktin që autoobservacioni është i papranueshëm, por edhe këshilltarët e tyre ishin formal dhe kishin për detyrë vetëm ta madhëronin personalitetin e bosit të tyre, pa guxuar ti fusin ata në kornizat e kërkesave parimore, shkencore apo të mençura.

Degradimi i inteligjencës emocionale u shkaktua me pasurimin korruptues të prijësve të klasave politike dhe shtetërore, të cilat paralizuan zhvillimin ekonomik, degraduan arsimin dhe rrjedhimisht të gjitha hallkat dhe poret zinxhirore të rrjetës zhvillimore të Kosovës. Shkollat dhe universitetet politike dhe ekonomike degraduan çdo cilësi mësimore shkencore dhe të avancimit të mendimit kognitiv në të gjitha fushat dhe lëmitë, në Kosovë.

Rrjedhojë e degradimit të pandalshëm të inteligjencës emocionale të prijësve partiak dhe shtetëror ishin edhe zgjedhjet e bazuara në klientelizëm, nepotizëm e korrupsion duke i permutuar apo ricikluar figurat e njëjta në 20 vitet e fundit.

Ndjesia megalomane e “të pazëvendësueshmëve” të prijësve të luftës dhe atyre që përmenden të LDK-së, me fuqizimin reciprok te strategjive korruptive, klienteliste, nepotiste, dhe intelektualisht impotente, fuqizuan degradimin krahas etabolimit apo cimentimit të tyre në pozita shtetërore, duke gjeneruar, jo vetëm kapje, por ndrydhje dhe degraduese të fuqishme të prosperitetit të Kosovës.

Vrulli i reagimit të popullit të Kosovës, që ka arritur ngritje të vetëdijes demokratike dhe liridashëse, ndaj kësaj gjendje të krijuar 20 vjeçare, të prirë nga partia e popullit LVV, u ndal për një moment në parlamentin e Kosovës, nga blloku i përmendur i partive, të gjitha së bashku.

Prepotenca, vetëbesimi i pa bazë, arroganca si rezultat i mungesës së kompetencave profesionale të parive të përmendura ka ndrydhur çdo potencial mendor dhe kreativ kognitiv apo profesional edhe brenda partive përkatëse.

Duke vu qëllimet individuale në front, me rrjedhimet e mundshme abuzuese, korruptive, inteligjenca po ashtu e degraduar emocionale, bashkoi të gjitha partitë. Ato përdoren si pasaport falso, për qëllimet e tyre “amerikanizmin”.

Interesat personale, krahas vetëbesimit të pa bazuar gjeneruan gabime diplomatike karshi rrezikut perfid serbo-rus. Kështu naiviteti i presidentit Thaçi dhe kryeministrit Rama, të cilët i besuan “sinqeritetit” të Serbisë dhe Vuçiqit, shpresuan që me realizimin e qëllimeve të tij, për ndarje të Kosovës do të realizojnë qëllimet personale, por ndoshta edhe kombëtare, duke përfunduar, siç thon ata, me paqe gjithëpërfshirëse serbo-shqiptare. Këtë u munduan t’ia plasojnë edhe miqve amerikan dhe europian, përkohësisht, në mënyrë të suksesshme.

Në parim, nëse dy presidentë që përfaqësojnë dy shtetet armiqësore me shekuj, deklarojnë që “we are good guys”, duket atraktiv për të përfunduar marrëveshjen e pritur shekullore. Kur i përgjigjet presidenti ynë gazetares që pyet, se a je ti në gjendje ti japësh Vuçiqit territor? Ky i përgjigjet “yes”, “we want to be part of Europe”. Pra, sakrifikojmë për qëllime të larta.

Kjo gatishmëri e marrëveshjes Thaçi-Vuçiq duhet të kurorëzohej në Uashington. Befasia e ndërprerjes së udhëtimit në Uashington, për takimin e 27 qershorit, nxjerr në pah se plani i Vuçiqit, i përkrahur nga Thaçi dhe Rama, por edhe i respektuar heshtazi nga PDK-ja dhe udhëheqësia e saj, nxjerr dyshime serioze në realizimin e marrëveshjes së planifikuar shumë më herët, dhe e plasuar edhe në qarqet apo ambientet politike amerikane si zgjidhje atraktive.

Njëqind pyetje dhe dyshime dalin nga befasia e ndërprerjes së takimit në Uashington. Zbritja nga aeroplani i Presidentit Thaçi, pra ndërprerja dramatike e takimit ngjallë dyshimin se vendimi u mor në momentet e fundit, mund të ketë lidhje me idenë për ndarjen e Kosovës, apo dikush me qëllim e ka bërë këtë dramatizim për senzacione informative ndërkombëtare, ku përmenden krime të mundshme të presidentit të Kosovës dhe UÇK-së apo strukturave të saja. Kjo e fundit gjithsesi është degraduese dhe lajm i keq për Kosovën, për luftën tonë të drejtë çlirimtare.

Ndoshta detajet burimore të ndërprerjes së këtij takimi nuk do të mësohen as në të ardhmen, por dua të mos besoj që prokurori tejkalon kompetencat dhe rregullat procedurale të mos publikimit të aktakuzës së pa verifikuar finalisht nga gjykatësi, në mungesë të dhënies së bekimit nga forca të caktuara të fuqishme politike. Mund të jenë edhe europiane, por dihet që niveli më i lartë i fuqisë politike i takon Amerikës, pa aprovimin e së cilës nuk mund të ketë lëvizje vendimtare politike për Kosovën.

Takimi i 27 qershorit tanimë u modifikua kohësisht, rrjedhimisht pason shpresa e bazuar që do të modifikohet edhe përmbajtësisht.
Në situatën e krijuar, mund të kuptohet që nuk do të ketë një zgjidhje finale shumë të shpejtë, ashtu siç e plasuan dhe menduam. Ndaj ne akoma kemi kohë të mendojmë gjakftohtësisht dhe me urtësi për ardhmërinë e Kosovës dhe fatin tonë.

Natyrisht zgjidhja duhet të gjendet te sugjerimet e mençura amerikane, miqve tanë shekullor. Dimensionet diplomatike dhe të drejta mund të kuptohen nga njerëz me kompetenca profesionale dhe inteligjencë adekuate emocionale. Në bazë të këtyre dy kërkesave, duhet të përfillet porosia e Clitonit që të kemi kujdes që luftën që ai na ndihmoj ta fitojmë së bashku me UÇK-në ta finalizojmë me sukses në paqe. Këtu pason edhe sugjerimi i mendimtarit dhe bashkëpunëtorit të tij, James Rubin, i cili iu pat sugjeruar çlirimtarëve komandant, që të tërhiqen dhe si hero jashtë pozitave vendimmarrëse komplekse për të cilat nuk janë të përgatitura në aspektin shkollor, kognitiv e diplomatik, pra duhet të largohen nga politika. Sipas Rubinit, për të mirën e tyre dhe të Kosovës.

Populli i Kosovës tani ka kuadro të shkolluar edhe në shkolla elitare botërore, pra ka potenciale mendore me kompetenca profesionale që ta avancojnë mirëqenien e brendshme dhe zgjidhjen fatlume finale diplomatike dhe politike në konkurrencë me shtetet fqinje, pra edhe me Serbinë.

Ndaj zgjedhjet e reja ku do të dalin në dukje cilësitë elitare kognitive, profesionale për ta bartur progresin e vendit në këtë fazë mjaft kritike, janë të domosdoshme. Me siguri potenciali i mençur mendore dhe profesionale që do të del nga zgjedhjet e ardhshme do të menaxhojë me sukses edhe situatën tanimë të dëmtuar, kur neve na ndoqën djemtë tanë që luftuan për liri kurse agresori serb dhe kriminelët e vërtetë të luftës sjellën të lirë në Beograd, duke u tallur me viktimat, krimet dhe përpëlitjet tona, aktualisht pa kompetenca profesionale.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco