Është koha të qeshet me sy

Është koha të qeshet me sy

Nga Majlinda Bregasi - 02/07/2020

Imperativi i kësaj kohe u bë si të limitojmë rreziqet për shëndetin, për të mos thënë më hapur apo më vrazhdë, si të shmangim kontaktet me njerëzit, si bartës të pavetëdijshëm të virusit. Fatkeqësisht izolimi është dëshmuar si e vetmja rrugë drejt shpëtimit, e vetëm duke ruajtur shëndetin do të mund të ruajmë ekonominë, për aq sa do jetë e mundur

Ripërcaktimi i vlerave

Çdo epokë ka vlerat e veta. Sot jemi ende në modalitet mbijetese ku secili nga ne rivlerëson gjithçka që ka, mënjanon atë që është tepricë, si për shembull këpucët gjatë kësaj pranvere, dhe shmang atë që mund të jetë e rrezikshme. E çfarë mund të ketë më të rrezikshme sot sesa kontakti me njerëzit. Imperativi i kësaj kohe u bë si të limitojmë rreziqet për shëndetin, për mos ta thënë më hapur apo më vrazhdë, si të shmangim kontaktet me njerëzit, si bartës të pavetëdijshëm të virusit. Fatkeqësisht izolimi është dëshmuar si e vetmja rrugë drejt shpëtimit e vetëm duke ruajtur shëndetin do të mund të ruajmë ekonominë, për aq sa do jetë e mundur.

Ripërcaktimi i vlerave të sotme erdhi bashkë me virusin dhe secili nga ne i bëri llogaritë së pari me veten. Kursimi, riciklimi dhe kreativiteti u bënë tri pikat kryesore të mendimit në një shoqëri konsumi. Në botën e modës kjo u shfaq në stadet më të larta. Fashion Week e Shangait, e cila në shkurt të këtij viti u mbajt online, dha sinjalin e madh të ndryshimit global edhe në modë. Sfilatat e modës, si mënyra e drejtpërdrejtë e komunikimit me klientët, kaluan në Web, ku tashmë po bëhej i vetmi ambient për një aktivitet në grup të njerëzve.

Ndërrimi i kursit

Në fillim të marsit Anna Wintour, drejtoresha e Vogue America, në intervistë Naomi Campbellit i tha se karantina duhej të shërbente si një pauzë e rëndësishme reflektimi mbi ritmet frenetike të ngjarjeve të modës dhe se duhej synuar më shumë mbi kursimin e kreativitetin sesa mbi luksin. Pra kompanitë e luksit, ato më “ndotëset”e planetit nga përballja me demonët deadstock dhe overstock, u detyruan ta rivlerësojnë pikërisht thelbin e vetvetes.

Nga Italia, ku moda është një element i identitetit kombëtar që me fillimet e saj më 1951, ku në Palazzo Piti u mbajt sfilata e parë, gjiganti Giorgio Armani i dërgon një letër Women’s Wear Daily: Unë nuk dua të punoj më kështu, është e pamoralshme. Nuk është morale që një xhaketë e imja pas tri javësh të hiqet nga vitrina për t’u zëvendësuar me një xhaketë tjetër që nuk do ndryshojë shumë nga e mëparshmja. Unë besoj te ideja e elegancës përtej kohës. Nuk është më koha për sfilata të kota, por për kreativitet dhe kreativiteti ka nevojë për kohë.”

Ishte ky një mesazh i fortë që vinte kur Italia po ngjitej drejt kulmit të lakores me infektime, mesazh që u përkrah edhe nga shumë brende të tjera, të cilat filluan të kërkonin strategji të ndryshme për t’u përshtatur brenda hapësirës së re të krijuar nga pandemia. Strategji që shkonin drejt njerëzores.

Koha për solidarizim

#watchhungerstop është hashtagu me të cilin Michael Kors vazhdon fushatën e vet kundër urisë në mbështetje të programit World Food të Kombeve të Bashkuara, ku gjithë përfitimi nga T-shirt Love u shkon fëmijëve në nevojë, të prekur nga Covid-19. “Kjo pandemi na kujtoi se ato që vërtet vlejnë në jetë janë shëndeti, dashuria dhe komuniteti,” u shpreh Michael Kors, duke kërkuar solidarizimin nga kolegët e tij.

Erdhi koha për të shtrënguar rripat e për solidarizim global 30 000 syze mbrojtëse iu dhuruan spitaleve nga familja Fielmann në shenjë falënderimi për sakrificën e tyre. Brende të tjera të fuqishme iu vunë punës për krijimin e maskave për spitalet e pacientët. Solidarizimi ka kapluar si një virus i fuqishëm gati gjithë kompanitë e modës, të cilat për 2020 kanë inkasuar vetëm 50% të përfitimit.

Gjithçka ka ndërruar me ritme aq të shpejta saqë gati kaloi pa u vërejtur. Polemikat e pak kohe më parë që ngriheshin mbi VIP-at pasi ishin kapur në mëkat, duke veshur të njëjtin fustan në dy evenimente, tashmë i përkasin një bote tjetër, asaj frenetike e histerike që jo vetëm se e largon njeriun nga vetvetja, por e diskriminon nëse nuk u nëse nuk u nënshtrohet rregullave mizore të modës.

Maska si aksesor i modës

Ky ndryshim që po ndodh, ku më në fund po duket sikur moda po ndjek njeriun dhe jo më njeriu modën, për aq kohë sa do zgjasë, është një moment i mirë shprese për disenjatorët, për kompanitë e vogla e të mesme, të cilat mund të dalin në sipërfaqe duke konkurruar me idetë e tyre dhe sigurisht me çmime shumë më të pranueshme për klientët. Kompani të tilla, që mbajnë firmat e artistëve, kanë lulëzuar edhe në Kosovë e duket një fillim entuziast jo vetëm për ta, por edhe për klientët, tashmë të lodhur nga robëria e hekurt e modës.

Kosova mund të ofrojë shumë më shumë në këtë fushë, jo vetëm për stilin e saj të veçantë të jetës, por edhe se ka fatin edhe të ketë popullatën më të re në Evropë të pasionuar nga teknologjia, që duket se është e ardhmja edhe në fushën e modës. Por asnjë ide nuk mund të lulëzojë në një ambient toksik, ku mbajtja e maskës quhet dobësi e mosshtrëngimi i dorës shikohet si ofendim. Kohët kanë ndryshuar pa na pyetur ne, ndaj e vetmja gjë që mund të bëjmë është të mësohemi të bashkëjetojmë edhe me koronavirusin derisa të gjendet vaksina e tij. Jo vetëm që maskat sot janë aksesori më i ri i modës, ku disenjatorët e njerëzit e thjeshtë konkurrojnë me kreativitet, por ato janë edhe mjeti mbrojtës që na lejon të shkojmë përtej distancës e të jetojmë qetësisht një përditshmëri të re, ku nuk qeshet më vetëm me buzë, por mësohet të qeshet edhe me sy.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco