Kosova në udhëkryq

Kosova në udhëkryq

Nga Mimoza Kusari-Lila - 01/07/2020

Kosova ka hyrë në spiralen e ngjarjeve negative që nga 25 marsi kur me një mocion mosbesimi në mesin e pandemisë, me sukses u shkarkua Qeveria e cila kishte shumicën e mbështetjes së elektoratit në zgjedhjet e 6 tetorit.
Prej atij momenti me ngjarje e situata aspak të lehta deri me 3 qershor, vendi u menaxhua nga një qeveri në detyrë, të cilës iu mohua komunikimi zyrtar me Kuvendin e Kosovës, me arsyetimin se Kuvendi e shkarkoi atë Qeveri, ndërsa përballja me pandeminë globale të shkaktuar nga Covid – 19 u bë sikur lufta në ringun e boksit me një dorë të lidhur pas shpine.

Dramë në vete ishte votimi i Qeverisë tjetër me 3 qershor. Me votën e deputetit i cili atë ditë do të duhet të gjendej në vuajtje të dënimit me burg si dhe deputetit tjetër i cili publikisht e konfirmoi ushtrimin e ndikimit të Presidentit dhe ish-Kryeministrit Haradinaj, Qeveria në total mori 61 vota (lexo 59 valide). I vetmi subjekt parlamentar i cili ia dha mbështetjen 100% Qeverisë Hoti, ishte Lista Serbe. Të gjitha partitë tjera që mbështetën Qeverinë e 3 Qershorit, nuk ishin në gjendje t’i bindin të gjithë deputetët e tyre për ta mbështetur Qeverinë jo legjitime. E sikur mos të ishte Presidenti i vendit, as Nisma – AKR nuk do të ishte përjashtim i rastit me Listën Serbe.

Prej ditës kur u votua kjo Qeveri, ishte sekret publik që qëllimi i kryesor i saj është rrugëtimi bashkë me Presidentin për në Shtepinë e Bardhë për një marrëvëshje, fillimisht historike, pastaj vetëm ekonomike, e në fund, të parealizuar.

Çfarë ndodhi në proces të rrugëtimit për në Shtëpinë e Bardhë, (përjashto teoritë konsipirative), pak kush në Kosovë ka njohuri apo mundësi t’a spjegoi tani, por jemi një shumicë në Kosovë, që mund të përcaktojmë çfarë do të duhej të ndodhë brenda Kosovës dhe pa procesin e dialogut në këto momente.

Qeverisë aktuale i ka humbur rruga në oborr. Situata me pandeminë i ka dalë jashtë kontrollit. Pakot ekonomike i ka të paqarta dhe shumë pak informacione ka në opinion, që tregon se ka shumë pak ide për qasjen dhe ndihmën që duhet dhënë sektorit privat dhe atij publik. Vendi është në mungesë totale të lidershipit me Presidentin i cili paralajmëroi dorëheqjen në rast të konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, ndërsa z. Hoti në karriken e Kryeministrit më shumë ngjan në politikanin që më problem e ka të bind dikend se ai është përgjegjësi e lerë më të marrë vendime me përgjegjësi për vendin.

Në këto rrethana, dalja nga situata duhet të projektohet me interesin e qytetarëve si qëllimin kryesor për të gjithë, andaj:

Partitë politike parlamentare duhet të dakordohen për hapat si vijon:

- Data e zgjedhjeve duhet të përcaktohet para se Kuvendi të shkojë në pushim veror, rrjedhimisht duhet një hartëzim i hapave deri te zgjedhjet:
o Të votohen marrëvëshjet ndërkombtare në Kuvend
o Të miratohet ri-shikimi i buxhetit me shpenzimet për zgjedhjet nacionale të përfshirë në të dhe pakon emergjente të dakorduar në mes të partive parlamentare dhe shoqërisë civile
o Të dinamizohet iniciativa e Kryetares së Kuvendit për procedimin e projekt ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid – 19.
o Deri sa të arrihet një unitet i brendshëm politik, të mos vazhdohet dialogu me Serbinë dhe i tërë fokusi të orientohet në kthimin e stabilitetit brenda Kosovës dhe rikthimin e dialogut politik brenda në Kosovë.

Menjëherë pas miratimit të Marrëveshjeve Ndërkombtare dhe pas miratimit të Ligjit për Parandalimin dhe luftimin e pandemisë, Kuvendi shpërbëhet dhe vendi përgaditet për zgjedhje.

Data e zgjedhjeve dakordohet dhe bashkë me të edhe manuali për fushatën parazgjedhore.

Asnjë veprim tjetër nuk do të duhej të ndërmirrej nga Qeveria të cilës i mungon legjitimiteti dhe e cila tashmë me veprimet apo mos veprimet e veta e rrezikon interesin dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Mimoza Kusari – Lila
Kryetare e Alternativës
Deputete e Kuvendit të Kosovës

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco