Prapaskenat e një vizite, nga ‘fletërrufeja’ e Hagës te Prapashtica

Prapaskenat e një vizite, nga ‘fletërrufeja’ e Hagës te Prapashtica

Nga Syri.net Kosova - 01/07/2020

Një ditë pas vizitës së Ramës, rrodhën lajmet për zgjerimin e qeverisë Hoti me partinë e Kadri Veselit. Takimi i Prapashticës, lidhet me lobimin që ka bërë kryeministri shqiptar te liderët e Kosovës për një qeveri më të qëndrueshme, duke përfshirë edhe PDK-në.

Edhe pse jo fort i dëshirueshëm në shtëpinë e atij që dikur e quante tinzar, Rama nxitoi të bënte virale një foto me Isa Mustafën në “familjen e tij të bukur”.

Mobilizimi i kryeministrit shqiptar, që është në fund të mandatit të dytë, pasi e ka rrënuar ekonomikisht e politikisht Shqipërinë, e ka një justifikim të besueshëm. Si bashkautor e bashkëveprues në planin famëkeq për marrëveshjen Thaçi-Vuçiq, është e qartë se nuk ka hequr ende dorë. Për ta shtyrë përpara skenarin që prek territorin e Kosovës, duhet një qeveri më e fuqishme e një shumicë e qëndrueshme parlamentare.

Thaçi e Veseli janë duke u zhvendosur nga politika, por ata ende kanë fuqi e ndikim. Le të kujtojmë se si për shembull një lider si Ramush Haradinaj, e kontrolloi partinë e tij edhe nga qelia e Hagës për vite me radhë. Për ta ruajtur pushtetin, beteja kryesore është për presidentin. Kush do ta zëvendësojë Hashim Thaçin?

Natyrisht që Isa Mustafa do të bëjë çmos që të mos e lejojë Vjosa Osmanin të bëhet u.d e presidentes, sepse dihet përfundimi. LDK,PDK,AAK,NISMA,AKR janë bërë bashkë që të shmangin zgjedhjet, ku e dinë se i pret një katastrofë elektorale. Lideri i LDK-së, një karrierist dhe pazarxhi i regjur, nuk do ta refuzonte presidencën në këto rrethana. Për të, pak rëndësi ka që LDK është përbetuar se me PDK-në nuk bën qeveri. E ka shkelur këtë zotim më herët.

PDK edhe pse ka mohuar zërat për një hyrje në qeverinë Hoti, me urdhrin e Thaçit, do të bëhej pjesë e menjëhershme e ekzekutivit aktual. Për pozita, këta nuk e kanë problem, shtojnë ministri, shtojnë pozicione dhe kështu akomodohen të gjithë.

Në prapaskenën kosovare, ku me zell të madh u angazhua edhe Edi Rama, ka një përpjekje serioze që të zgjedhet një president i komandueshëm njësoj si kryeministri Hoti.

Me vendimin e fundit Gjykata Kushtetuese u ka hapur rrugën të gjitha pazareve të mundshme me votën e deputetëve duke rrezikuar tërë sistemin demokratik të vendit.

Edi Rama që nga një anë shprehte mllefin e tij ndaj “fletërrufesë” së një Gjykate që vetë komandantët e pushtetshëm e miratuan, në anën tjetër e bëri një argat të dëmshëm që Kosova të mbesë edhe ca kohë nën pushtetin e një qeverie jolegjitime. Duke qenë edhe vetë një kryeministër jolegjitim, nuk e ka pasur të vështirë këtë mision.

Ky pozicionim i tij, tregon se sa i rrezikshëm është ai për çështjen kosovare dhe sa destruktiv ka qenë prej fillimit kur erdhi në pushtet.

Për Kosovën, zgjidhja më e mirë është mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, formimi i qeverisë së re dhe zgjedhja e presidentit nga një legjislaturë e re, më e përgjegjshme.

Këta që rrëzuan qeverinë në mesin e pandemisë vetëm për llogari të Hashim Thaçit, për t’ia shpëtuar lëkurën atij, janë në gjendje të japin gjithçka. Kuptohet, përfshirë edhe territorin e Republikës sovrane e të pavarur të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco