Me guxim dhe kureshtje drejt ardhmërisë

Me guxim dhe kureshtje drejt ardhmërisë

Nga Enver Robelli - 30/06/2020

Orientimi funksionon vetëm kur një shoqëri, një popull e ka të qartë se në çfarë drejtimi dëshiron të shkojë. Dy dekada pas luftës, sivjet, në vitin 2020, në Kosovë, sipas të gjitha gjasave, do të nisin të ndryshojnë rrënjësisht koordinatat e deritanishme politike. Një sistem që e rroku ndryshku ka filluar të shembet, role të reja do të ndahen, vlera të tjera do të jenë më të rëndësishme dhe vlera të harruara mund të ringjallen. Nëse ekziston vullnet i madh.

Çfarë i duhet sot Kosovës dhe botës shqiptare për të mirën e përgjithshme? I duhen e papritura pozitive, idetë vizionare, shikimi i qartë dhe besimi në të ardhmen - në një të ardhme ku gëzimi shihet në sytë e fëmijëve dhe mirënjohja në fytyrat e të moshuarave. I duhet botës shqiptare një moment i ri, një moment riçlirimi, ku prioritet janë ndërtimi i shtetit, funksionalizimi i administratës, modernizimi i bazave ligjore, zhvillimi i ekonomisë, shfrytëzimi i kujdesshëm i resurseve natyrore, përparimi në fushën e dijes. Për këtë duhen arkitektë politikë, jo shkatërrues.

Orientimi funksionon vetëm kur një shoqëri, një popull dhe partitë politike me liderët politikë e kanë të qartë se në çfarë drejtimi dëshirojnë të ecin. Dy dekada pas luftës, sivjet, në vitin 2020, në Kosovë, sipas të gjitha gjasave, do të nisin të ndryshojnë rrënjësisht koordinatat e deritanishme politike. Një sistem që e rroku ndryshku ka filluar të shembet, rolet e reja do të ndahen, vlera të tjera do të jenë më të rëndësishme dhe vlera të harruara mund të ringjallen. Nëse ekziston vullnet i madh.

Liria duhet të bëhet e plotë. Dhe e plotë ajo bëhet kur ka barazi sociale, demokraci funksionale, respektim të të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit të njeriut – të çdo njeriu. Pa marrë parasysh se cila parti apo cili koalicion do të marrë pushtetin sivjet apo vitin e ardhshëm: gati asgjë nuk do të jetë siç ka qenë. Dy dekada pas luftës njerëzit nuk pranojnë të mashtrohen më me parulla mbi heroizmat e së kaluarës, sepse heroizmat e së kaluarës kanë kuptim vetëm nëse kanë shërbyer si inspirim për të ndërtuar diçka të qëndrueshme: mirëqenie dhe solidaritet mes gjeneratave. Rezultati më i qëndrueshëm i kësaj klase politike është – shteti i kapur që përdoret për interesa personale.

Kush kërkon të marrë përgjegjësi në të ardhmen, duhet të tregojë vullnet për të ndërtuar dhe qeverisur mirë, për të zgjidhur probleme dhe luftuar fenomenet shtetrrënuese. Kosovës i duhen parti që nuk ikin nga krizat, por ballafaqohen me krizat dhe duke mësuar prej tyre e bëjnë jetën e qytetarëve më të jetueshme. S’na duhen fjalime demagogjike. As parulla patriotike. Vetëm fuqi vizionare që në fokus të politikës e ka njeriun, individin.

Nëse do të arrihet që në dy vjetët e ardhshëm të largohen nga skena një pjesë e madhe e politikanëve që vetëm kanë menaxhuar status kuonë, pra të përhershëm e pështirë, për Kosovën do të ishte një sukses i madh. Por, kjo nuk mjafton. Liria dhe paqja mbrohen nëse ka qartësi se ku duam të jemi pas 10 apo 20 vjetëve.

Drejt së ardhmes ecet me guxim dhe kureshtje. Këto janë parakushte për të shkuar përpara dhe për të ndërtuar një shtet që me krejt instrumentet e tij e çmon lirinë e fituar me një çmim shumë të shtrenjtë. Kësisoj, sivjet ekziston shansi të nisë diçka që nuk e kemi parë deri më tani: ndërtimi i një vendi novator dhe një shoqërie humane, e cila ruan ambientin për gjeneratat e ardhshme, një vendi ku sundon ligji, ku në detyrat më të larta shtetërore avancohen të merituarit dhe jo ata me origjinë të caktuar rajonale, fisnore apo partiake.

Të gjitha këto mund të tingëllojnë si iluzione. Por siç ka qenë më 1999, libri i historisë i hapur për të shkruar të renë në të, edhe në vitin 2020 libri i historisë është i hapur. Në dy dekadat e fundit në librin e historisë kanë mundur të shënohen shumë më tepër të arritura, përveç shpalljes së pavarësisë së Kosovës. E ardhmja është e hapur për ata popuj që dinë ta përqafojnë ardhmërinë. Kjo varet prej secilit individ.

Dëmet që i janë shkaktuar shtetit në dy dekadat e fundit janë të mëdha. Shumë njerëz pyesin: si erdhi Kosova në këtë ditë? Erdhi për shkak se politikanët dominues të saj nuk menduan asnjëherë për pasojat afatgjata për shtetin, por vetëm për fatin personal. Pothuaj asgjë nuk planifikohej përtej betejës për të fituar zgjedhjet e radhës. Pjesa më e madhe e klasës politike të Kosovës mendoi se nëse një politikan zgjidhet në postet më të larta, atëherë posti do ta mbrojë nga drejtësia ndërkombëtare apo drejtësia vendore e kontrolluar nga ndërkombëtarët. Çfarë kalkulimi i gabuar dhe shtetdëmtues! Përgjegjësinë dhe fajin duhet ta bartin sidomos ata që zgjodhën figura të diskredituara politike që botërisht dihej se herët apo vonë mund të kenë probleme me ligjin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco