Qetësohu, Edi!

Qetësohu, Edi!

Nga Çim Peka - 29/06/2020

Prej pranverës së vitit 2017 më së paku, Edi Rama ka qenë i informuar se ndaj Hashim Thaçit do të ngrihej padi në Gjykatën Speciale. E ka ditur edhe kur kundërshtarët e Thaçit i etiketoi ‘gomerë’ nga Peja. Ndaj, fjalimi i tij i përlotur në Parlament javën që shkoi, jo vetëm që ishte patetik, por edhe i gënjeshtërt. E ka ditur edhe Thaçi. Ka qenë një ‘sekret’ i hapur. Në fakt, koha kur do të ngriheshin paditë ndaj ish-drejtuesve të UÇK do të ishte vera e vitit 2018. Bash në momentin kur Thaçi doli hapur me idenë e një marrëveshje përfundimtare me Serbine, duke e ndarë Kosovën. Rastësi? Aspak. 

Fjalimi i nderë i Ramës në Parlament nuk kishte të bënte as me UÇK, as me drejtuesit e saj, as me drejtësinë e padrejtë, as me prokurorë apo gjykatës ndërkombëtare. Nervi dhe emocionet negative të Ramës drejtoheshin vetëm ndaj administratës amerikane dhe vetë Richard Grenell. Rama ndihej i prerë në besë. Jo një herë, por dy. Dhe ja pse.

Së pari, Hashim Thaçi i hyri lojës së ndryshimit të kufijve prej një halli të madh. Akuza se ai po kërkonte të amnistonte veten nga ndjekja penale, nëpërmjet marrëveshjes, është e kahershme. Që prej shpalljes së idesë së ndryshimit të kufijve.  Kjo akuzë u provua nga Baton Haxhiu, si zëdhënës i projektit dhe i treshes Rama-Vuçiç-Thaçi vetëm pak javë më parë. E, u konfirmua javën që shkoi. Edi Rama nga ana e tij, një vizitë në Shtëpinë e Bardhe e ka pasur prioritet mbi prioritetet që nga data 8 nëntor 2016. Nuk ia arriti as me Ballard, kompaninë e tij të lobimit; as me Corey Lewandowski-n, e as me joshjen miliarda dollarëshe të biznesmenëve afër presidentit Trump. Si rrjedhojë, e vetmja mënyrë për mbijetesë politike i kishte mbetur ‘t’i varej prej xhakete’ Hashim Thaçit. Në këtë linjë ai mbështeti projektin ‘Vuçiç-Thaçi’ duke u premtuar zyrtarëve amerikanë të Departamentit të Shtetit, por edhe vetë zotit Grenell gjatë një mëngjesi të gjatë pune vjeshtën e shkuar, se ai, Rama do të mbështeste plotësisht çdo qëndrim a qasje amerikane, çfarëdo që të ishte ajo. Ndaj, zhgënjimi i Ramës në Parlament nuk ishte ndaj drejtësisë ndërkombëtare, por ndaj dështimit të Samitit në Shtëpinë e Bardhë, si garanci për marrëveshje për projektin e tyre, për Thaçin dhe për vetë Ramën. 

Dështimi i samitit, i marrëveshjes, i amnistimit të mundshëm, sa ishte goditje për Hashim Thaçin, ishte goditje edhe për vetë Ramën.  Ndaj, nëse do të kuptosh dridhjen e zërit të Ramës në Parlament, lexo vrerin e Baton Haxhiut kundër emisarit Richard Grenell dhe Shtëpisë së Bardhë. Të gjithë këta ishin në garë me kohën, garë që e humbën për pak orë.

Së dyti, zhgënjimi i Ramës nuk ishte vetëm për Thaçin, por edhe për veten. Kritika dhe patosi i Ramës në Parlament ndaj ‘drejtësisë ndërkombëtare’, ishte në fakt makthi i tij i ri ndaj reformës në drejtësi në Shqipëri. Muaji maj i këtij viti ka qenë muaji më i mbrapshtë për Ramën që nga viti 2011.

Opinionet e Komisionit të Venecias, 15 kushtet për fillimin e negociatave, dhe veçanërisht mbështetja që i dha ambasada amerikane (dhe ajo e BE) opozitës për reformën elektorale ishin tre goditje të forta për Ramën, që vetëm futja e tij në Shtëpinë e Bardhë mund ta ndalonte rokadën. Para pak javësh ambasadorja Kim u shpreh e shqetësuar se faktorë të ndryshëm po përpiqeshin të sabotonin reformën në drejtësi. Pavarësisht retorikës dhe propagandës, të vetmit që i frikësohen realisht reformës në drejtësi janë Edi Rama, qeveria dhe partia e tij. Të tjerët thjesht nuk kanë se pse t’i frikësohen. Për ata që nuk më besojnë, po i orientoj tek Neni 66 dhe 67 i Kodit Penal. Në Reformën e famshme në Drejtësi të miratuar në vitin 2016-2017, është sanksionuar se në mes të tjerash, ‘parashkruhen nga ndjekja penale veprat për të cilat parashikohet dënim me burgim deri në 10 vjet’. Dy veprat penale të cilat mund të kryhen nga zyrtarë të administratës shtetërore janë ‘shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘korrupsioni pasiv’.

Të dyja këto vepra, në bazë të nenit 66 të Kodit Penal nuk mund të ndiqen më penalisht nëse kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga kryerja e tyre. Si rrjedhojë, çdo vepër penale e ‘shpërdorimit të detyrës’ dhe e ‘korrupsionit pasiv’ të kryer para vitit 2010 është e parashkruar dhe askush nuk mund të ndiqet më penalisht (përveç veprave penale të vazhdueshme, siç janë koncesionet dhe PPP). Ketë nuk na e thonë, por Edi Rama e di mirë këtë. Prandaj dhe ka shkatërruar gjithçka në përpjekje për të kapur sistemin e drejtësisë. Nëse zyrtarët e qeverive të mëparshme do të shpëtojnë për shkak të ligjit, qeveria e Edi Ramës nuk ka asnjë shpëtim.  

Edi Rama në vitin 2016, ashtu si Hashim Thaçi në vitin 2015 (me ngritjen e Gjykatës Speciale) mori flamurin e reformës duke qenë i sigurt se ai do të kishte imunitet vetë si individ. Dhe për ketë ishte i bindur, ashtu si Thaçi deri para 4 ditësh. Më 25 maj kartat u përmbysën në tavolinë. Jo vetëm për Hashim Thaçin, por edhe për Edi Ramën. Të dy ndjehen të tradhtuar; Rama dy herë. Nëse keni dyshime, ju ftoj të shikoni retorikën anti-administratë Trump nga media pranë qeverisë në javët dhe muajt në vazhdim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco