Edi Rama, kryeministri që mbështeti ndarjen, i padëshirueshëm në Kosovë

Edi Rama, kryeministri që mbështeti ndarjen, i padëshirueshëm në Kosovë

Nga Syri.net Kosova - 29/06/2020

Miku i Hashim Thaçit e viziton sot Kosovën. Ai duhet të jetë gjithashtu i zhgënjyer si presidenti kosovar, për dështimin e takimit të Uashingtonit. Jo më kot e kishte dërguar atje, tinëz, marionetën e tij Gent Caka.

Aktakuza e Speciales, që rëndon mbi kreun e Republikës dhe liderin e PDK-së, e ka turbulluar skenën politike kosovare. Është e qartë se Thaçi nuk mund ta udhëheqë më dialogun me Serbinë, që me mbështetjen amerikane po hynte në fazën finale. Por, pa evropianët.

I tërë mundi i presidentit në kohë pandemie, që nga rrëzimi i qeverisë së Albin Kurtit e deri te zgjedhja e kryeministrit formal Avdullah Hoti, shkoi dëm. Në këtë periudhë kritike, kur çdo veprim lidhej me dialogun, Edi Rama ia mbante ison mikut të tij. Ai refuzoi çdo bashkëpunim me Kosovën për t’a përballuar bashkarisht koronavirusin. Por, kjo nuk ishte aspak risi.

Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, që prej se e mori pushtetin lideri socialist, janë zbehur së tepërmi. Pavarësisht atyre mbledhjeve të pafrytshme të qeverive të të dy vendeve, raportet u përkeqësuan aq shumë sa kulmuan me një padi në gjykatë. Pasi u dekonspirua publikisht plani për ndarjen, ku ishte mpleksur edhe Rama, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e denoncoi kryeministrin shqiptar.

I zënë ngushtë, Rama e paditi Haradinajn në Prishtinë. Një veprim i ulët i një lideri të mbrapshtë. Historia nuk ndryshoi në marrëdhëniet me Kurtin. Kur, kryeministri kosovar e vizitoi Tiranën, Rama nuk ia ofroi atij as përafërsisht ngrohtësinë që ia dhuroi Vuçiqit gjatë një vizite më herët.

Treshja Vuçiq-Thaçi-Rama, ishin afër finalizimit të një marrëveshjeje në kurriz të Kosovës, e për interesin personal të presidentit të Kosovës. Kushdo që u dilte në rrugë sulmohej nga Thaçi, e sulmet merrnin herë miratimin e hapur e herë në heshtje nga kryeministri i Shqipërisë.

Pas publikimit nga Specialja të aktakuzës për krime lufte, Edi Rama mbajti një fjalim propagandistik në Parlamentin e Shqipërisë duke derdhur ‘lotë krokodili’ për heronjtë e UÇK-së e duke akuzuar Serbinë gjenocidiale. Serbia ishte po ajo e njëjta, kur presidenti i saj u prit me dashuri nga Rama, vjet, pas tërmetit.

Rama u lidh aq fort me Thaçin, saqë u bë palë në zhvillimet politike kosovare. Sa më tepër binte mbështetja për mikun e tij, aq më shumë e mbronte atë Rama.

Duke qenë i përfshirë në skenarin monstruoz për ndarjen e Kosovës, Edi Rama nuk është i mirëpritur në Kosovë. Ai mund të jetë i mirëpritur nga miqtë e paktë që i kanë mbetur, por për pjesën dërrmuese, është i padëshirueshëm.

Gjykata Speciale, të cilën sot Rama e kritikon, nuk u kundërshtua nga Shqipëria në kohën kur u votua në Kuvendin e Kosovës. Po të kishte pasur një angazhim më serioz të Tiranës zyrtare, ndryshe mund të ishte edhe rrjedha e Speciales.

Vizita e kryeministrit shqiptar, është e padobishme, për sa kohë ai nuk është distancuar nga planet për ndarjen dhe nuk ka mbajtur një qëndrim korrekt në raport me lidershipin kosovar dhe situatën në Kosovë. Është punë e tij që t’i besojë vetëm Hashim Thaçit e Baton Haxhiut, por duhet të bindet se Kosova e sotme, është tjetër.

Për ta dhënë një sinjal se mund të ndryshojë pozicionin e tij skandaloz, Edi Rama së paku ka mundur sot ta shpallë tërheqjen e padisë kundër Ramush Haradinajt.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco