Oportunistët edhe për një përdorim

Oportunistët edhe për një përdorim

Nga Flaka Surroi - 06/06/2020

Thaçi i realizoi qëllimet që ia vuri vetes nga fillimi i vitit - ta rrëzojë Qeverinë Kurti dhe ta instalojë qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, të cilën do ta manipulojë për aq kohë sa do t'i nevojitet. Kësaj radhe LDK-ja nuk e zvarriti marrëveshjen për punën se kush do të jetë kryetar i shtetit në mandatin e ardhshëm, sepse kjo tashmë është thuajse e qartë. Dhe këtë gëzim "e ndau" me qytetarët e Prishtinës, me një torturë fishekzjarrësh që zgjatën 10 minuta

Politikanët do të duhej të mendoheshin dy herë para se të bëjnë postime në FB, e mbase i pari, Avdullah Hoti, i porsazgjedhuri kryeministër, shembull tipik i oportunistit, që edhe ndërron qëndrime e edhe i ha fjalët e veta. Natyrisht, sa herë që preket interesi i tij personal e edhe i atyre që e sollën në kolltukun e të parit të ekzekutivit.

Avdullah Hoti, FB, 27 mars 2018: "Dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës konfirmon vërejtjet që kemi bërë me rastin e themelimit të Qeverisë, kur votimi i saj u vonua derisa nuk mbërritën nga Beogradi deputetët e Listës Serbe.

Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar.

Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës.

LDK-ja në asnjë rast nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.

Qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës".

"Shpëtimtarët" e Qeverisë së re

Pas paraqitjes së shkëlqyer të Gjylieta Mushkolajt në "Deskun" e javës së shkuar, tash e kemi edhe më të qartë se atë që e ka bërë Kushtetuesja me vendimin e ri është skandal edhe më i madh se aktgjykimi i 2014-s.

Instrumentalizimi i skajshëm i trupit më të lartë interpretues të Kushtetutës së Kosovës u pa që në çastin që vendimin u përpoqën ta arsyetojnë në 167 faqe duke u mbështetur mbi dokumente që nuk u dihet autenticiteti dhe mbi përvojat e Gjykatës Kushtetuese të Moldavisë - duke e cituar këtë të fundit madje 21 herë. Me gjithë faktin se gjashtë gjykatës të Kushtetueses moldave kishin dhënë dorëheqje pikërisht për shkak se kishin anuar, me kësi interpretimi për "njeriun e fortë" të asaj ane.

Edhe një element me rëndësi që u përmend, e po përsëritet qe sa herë, është pjesëmarrja e deputetit të dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm që ende merr pjesë në seanca e voton. Po qe se do të gjendej kush që do ta dëshmonte mbi bazën e ligjit se ky njeri nuk ka të drejtë të votojë, del se kjo Qeveri nuk i ka pasur votat për të kaluar në ditën e votimit. Porse shtrohet pyetja: kush do ta japë këtë interpretim? Paralelja e ndarë fizike e Gjykatës së Moldavisë në Prishtinë, sërish?

Pra, kjo paralele e ndarë fizike e Gjykatës së Moldavisë do të duhej të merrej edhe me presionin që i është bërë Haxhi Shalës, deputetit të NISMËS, që ta votonte qeverinë - që në fund doli të ishte vota kyç.

Vetë tregoi se përse kishte ndërruar mendje, dhe me këtë fakt tregoi se ishte shkelur Kushtetuta - sepse pa zor apo favor të madh, vështirë se kishte lejuar që dikush të ndikonte të gjykimin e tij të lirë për të vendosur - që ia përkufizon Kushtetuta.

Për më keq, nuk pati as përpjekje më të vogël që kjo deklaratë të përgënjeshtrohej as nga Haradinaj e as nga Thaçi. I pari e përmendi lidhjen nga lufta, i dyti tha se ishte i gatshëm të jepte këshilla kurdo, kujtdo që ia kërkon. Dhe, për më tepër, kurdo që kjo kërkesë të vijë, qoftë edhe pas mesnate.

Po të ishte munduar ky këshilltar kaq shumë për Kosovën, sa mundohet për deputetin/dele e zezë në tentativë, sot njëmend kishim qenë Zvicra a Suedia e Ballkanit. Zgjidhni, s'po di cila po ju pëlqen më shumë.

Natyrisht, vota e Shalës nuk kishte pasur peshë po të mos ishte përkrahur nga 10 votat e Srpskas, me të cilat u sigurua jostabiliteti i Qeverisë, me shumicën e thjeshtë që varet nga deputetët e Listës Serbe, e të cilët LDK-ja nuk ka se si t'i ndalojë që ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës. Për shkak se e gjithë kjo fizkulturë është në fakt skenar shkruar nga Thaçi dhe Vuçiqi, për ta përfunduar planin e nisur prej kohësh, ku do të negociohen territoret dhe ku dikush do të dalë shumë i pasur nga i gjithë ky muhabet.

Mustafa cinik

Njeriu vendimtar për krejt marrëveshjet që janë bërë për t'i akomoduar qejfet e Hashim Thaçit është Isa Mustafa. Nuk e lëshoi fronin në LDK as në kohën kur u sëmur, e as më vonë kur tashmë deklarativisht thoshte se është lodhur. Arsyet e veta do t’i ketë, porse një gjë është e sigurt: qëndrimi i tij në LDK ishte pengesë për rifreskimin e udhëheqjes së kësaj partie, që pas potezit të fundit do të ketë humbur përkrahje, thjesht për shkak se veprimet i ka pasur zhgënjyese.

Përherë inatçi, vazhdon të japë deklarata që tregojnë se kur fliste për përmbysjen e së keqes dhe sjelljen e një ndryshimi radikal për të mirën e Kosovës në zgjedhjet e shkuara, nuk e kishte pasur përnjëmend. Si parti e mbajti një premtim: që të mos lidhte marrëveshje me PDK-në për ndonjë koalicion të ardhshëm qeverisës.

Iu fut negociatave me VV-në, si partnerin e vetëm në këtë konstelacion, që nuk kishte pasur përvojë në qeverisje, dhe që hynte në pushtet me duart e pastra. Dhe i ngeci negociatat me muaj të tërë, për shkak se kërkonte që të përcaktohej emri i kandidatit për kryetarin e shtetit.

Në çastin kur e pa se qeveria e re, në të cilën qëndruan edhe pas mocionit edhe ministrat e tij, vërtet ishte nisur nga shthurja e një sistemi klanor të shpërndarë gjithandej, dhe se kjo mund të prekte shumë interesa të të gjithë atyre që dikur kishin mbajtur pushtet, u kap për taksën, e shpiku antiamerikanizmin e partnerit qeverisës, dhe iu kthye dashurisë së vjetër: Hashim Thaçit.

Ai u tregoi se çfarë duhej bërë LDK-ja, përderisa i tërhiqte penjtë në Kushtetuese dhe te të gjithë Haxhinjtë që do të kishin "dilema" nëse duhej votuar qeverinë e re ose jo. Kësaj radhe nuk pati nevojë për cirkun Pacolli, ngase tashmë votat ishin siguruar.

Ditën kur u zgjodh qeveria e re, në një seancë të shëmtuar, që i vinte era zymtësi, e shkroi një status dhe tha: "Urime deputetë që votuat pa hezituar dhe pa u frikësuar! Vota juaj do të shpëtojë Kosovën. Sot përcollëm një ekspoze të qartë, konkrete me orientime vizionare të Kryeministrit tonë. Të njeriut me tipare humane, me dije të thella shkenëcore; i thjeshtë dhe i afërt me njerëz.

Nuk e ofendoi askend; apeloi për ura bashkëpunimi; reflektoi vullnet të paskajshëm për familjen evropiane dhe euroatlantike" (gabimet ortografike janë tijat).

Vota pa hezituar dhe pa u frikësuar - ishte votë interesi, se si ndryshe të shpjegohet lidhja me AAK-në që e mbrojti taksën, kur tash Hoti do ta heqë madje edhe reciprocitetin. Sepse si ndryshe të shpjegohet orientimi vizionar i Hotit kur që dje e mori vendimin për t'ia bartë kompetencat Thaçit që ta përfaqësojë Kosovën në negociata me Serbinë, rolin që ia kishte mohuar LDK-ja në programin qeverisës që e kishte lidhur me VV-në në qeverinë e shkuar.

Urimi i Mustafës i përmendte shprehimisht partitë politike shqiptare të koalicionit të ri, dhe partitë që "i përfaqësojnë komunitetet joshumicë", ngase nuk deshi ta linte të shkruar se qeverinë të cilën pranoi ta formonte varet nga Beogradi. Shkruar ose jo, ndër ata që votuan pa hezituar dhe pa u frikësuar qenë edhe serbët, të cilët e duan Zajednicën, që do ta kujtojmë, ua nënshkroi Isa Mustafa kur kishte qenë kryeministër.

Atëherë terrenin për Zajednicën e kishte trasuar Thaçi. Dhe po e njëjta gjë do të ndodhë sërish - Thaçi do të bëjë negociata me Vuçiqin; do ta nënshkruajnë një copë letër ku Kosova do të marrë premtime, e Serbia do të fitojë krejt çfarë të dojë. E kur të vijë puna për ratifikimin, Hoti do ta bëjë ligjin ndërkohë që do të nisë seria e re e presioneve në Kuvend që marrëveshja të kalojë - për shkak se do të jetë "historike".

Sepse krejt plani është që marrëveshja të arrihet para zgjedhjeve amerikane, asisoj që do të anashkalohet Evropa e të përzihet Rusia - fundja pse do të duhej kushdo të lodhet për neve, kur ne vetë e shkatërruam edhe ëndrrën, edhe shtetin tonë për dikë që vepron veç për qejf.

* * *

Thaçi i realizoi qëllimet që ia vuri vetes nga fillimi i vitit - ta rrëzojë Qeverinë Kurti dhe ta instalojë Qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, të cilën do ta manipulojë për aq kohë sa do t'i nevojitet. Kësaj radhe LDK-ja nuk e zvarriti marrëveshjen për punën se kush do të jetë kryetar i shtetit në mandatin e ardhshëm, sepse kjo tashmë është thuajse e qartë. Dhe këtë gëzim "e ndau" me qytetarët e Prishtinës, me një torturë fishekzjarrësh që zgjatën 10 minuta.

Ndërkohë, nuk e ndal diskursin fyes dhe provokues - duke dashur ta nxehë gjendjen edhe më shumë, që t'i rrisë tensionet ashtu që ky vend të kërcasë. Trazirat eventuale që do të mund të ndodhnin nëpër protesta, ku fare lehtë do të infiltroheshin ata që do të ishin të paguar për të krijuar hallakamë, do t'ia plotësonin edhe një dëshirë të paplotësuar: që ta shpallte gjendjen e jashtëzakonshme dhe ta merrte krejt shtetin nën kontroll - tashti me letra.

Qysh i kemi punët, duket se vetëm një mrekulli mund të na shpëtojë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco