Rent a Qeveri

Rent a Qeveri

Nga Asdren Rrahmani - 05/06/2020

Këtë rent a Qeverinë Hoti po e ndërlidhi me shembullin e lodhtë të cilin na e mori Richard Grenell gjatë një telefonate derisa po intervistohej nga Berat Buzhala në Televizionin T7. Ai tha se nëse të nevojitet veturë rent a car për të shkuar në Serbi me të, atë gjë s’mund ta bësh. Shih ti, se ai na qenka problemi ynë me palën serbe. Kështu që tash Grenelli e ka në dispozicion rent a Qeverinë për të realizuar rent a car-in e vet me Serbinë

Isha mjaft i shqetësuar sa edhe gjumin s’mund ta bëja rehat. Në fakt, nuk fjeta fare, do ta shkruaja Ditarin tim dhe më pas sigurisht se lodhja do ta bënte të veten, dhe ndoshta edhe do të më merr gjumi. Mendoj që shqetësimin tim e kanë ndarë edhe shumë qytetarë të tjerë të Kosovës pas seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës ku u votua rent a Qeveria Hoti.

61 vota të lodhëta dhe 1 votë shumë diskutabile e deputetit Etem Arifi, i dënuar me vendim të prerë me burgim prej 1 ½ vjet, që sipas Kushtetutës së Moldavisë do të duhej që me automatizëm t’i merrej mandati i deputetit. Në mesin e këtyre 61 votave, 10 nga to të Listës Serbe, e cila direkt teledirigjohet nga Serbia dhe Vuçiqi. Të gjithë ata të cilët thonë se është normë kushtetuese gënjejnë sa janë të mëdhenj. Ajo dispozitë nuk ekziston askund e shkruar në Kushtetutë se duhet të jenë pjesëtarë të koalicionit dhe ta votojnë Qeverinë, se ju takojnë ministritë me automatizëm ajo është tjetër gjë, por t’i fusësh në Qeveri është krejtësisht diçka tjetër.

Haxhi Shala, deputeti i NISMËS, e shpërfaqi atë të vërtetën të cilën shumë nga ne e themi qe shumë kohë, se Hashim Thaçi, presidenti i Moldavisë, bën presion dhe i shantazhon deputetët, politikanët, gjyqtarët sipas nevojave të tij. Kësaj radhe këtu iu kishte bashkëngjitur edhe Ramush Haradinaj, dhe për hatër të tyre Haxhi Pishmani i votoi edhe këta të dy e edhe rent a Qeverinë Hoti.

Këtë rent a Qeverinë Hoti po e ndërlidhi me shembullin e lodhtë të cilin na e mori Richard Grenell gjatë një telefonate derisa po intervistohej nga Berat Buzhala në Televizionin T7. Ai tha se nëse të nevojitet veturë rent a car për të shkuar në Serbi me të, atë gjë s’mund ta bësh. Shih ti se ai na qenka problemi ynë me palën serbe. Kështu që tash Grenelli e ka në dispozicion rent a Qeverinë për të realizuar rent a car-in e vet me Serbinë.

Ai do ta ketë ndoshta në dispozicion rent a Qeverinë, por nuk mund të garantoj se do ta ketë ende pozitën e emisarit për bisedimet Kosovë-Serbi në bazë të asaj se si po rrjedhin gjërat në Amerikë dhe sesi popullariteti i shefit të tij është në rënie të lirë dhe nuk jam i sigurt se ai do ta arrijë edhe nëntorin për zgjedhjet e reja atje në Amerikë.

Për ju të cilët e përcillni Ditarin tim unë kam parashikuar se kjo koha e pandemisë në Amerikë mund të sjellë edhe shumë telashe të tjera për atë vend. Thjesht, duke u bazuar nga ngjarjet e së kaluarës të cilat edhe vetë i mbaj mend dhe jo nga librat historikë. U mjaftua vrasja e George Floyd nga ana e policëve në Minneapolis të Minnesotas dhe spiralja e protestave, plaçkitjeve ta marrë dhenë. Presidenti Trump, një njeri i dëshmuar për mungesë empatie dhe një sociopat i rexhur, me deklaratat e tij vetëm sa i hedh edhe më shumë benzinë zjarrit. Njëra nga to kishte të bënte me dërgimin e ushtrisë së rregullt në qytetet amerikane për të venë rend dhe qetësi. Kjo do të ishte diçka kundërkushtetuese dhe kjo nxiti që top ushtarakët të fillonin të distancoheshin prej tij. Fillimisht gjenerali i pensionuar Wesley Clarke, ndërsa dje edhe ish-sekretari i tij i Mbrojtjes, James Mattis, i cili ishte tepër i rreptë me kritikën e tij ndaj presidentit Trump, ku shkarazi e krahason edhe me nazistët, edhe si përçarës të kombit. Zërit të kritikave gradualisht i është shtuar edhe zëri i Mark Esper-it, i cili aktualisht e mban pozitën e sekretarit të Mbrojtjes. Pastaj PR saltoja mortore e tij për ta vizituar kishën St John's, e cila është aty në afërsi të Shtëpisë së Bardhë dhe e cila pjesërisht edhe ishte djegur gjatë trazirave të para disa netëve, bëri që Garda Nacionale të përdorte dhunën ndaj masës së njerëzve të cilët po protestonin aty në paqe. Kjo i ka irrituar intelektualët, ushtarakët dhe të gjitha mendjet e shëndosha amerikane. Pozimi i tij me Biblën e kthyer mbrapsht në dorën e tij irritoi edhe masën e përfaqësuesve religjiozë në Amerikë, të cilët e kritikuan se presidenti po e përdorte religjionin për ambiciet e veta të sëmura politike.

Të gjitha këto i them, sepse si diplomat e kam brengën time të pakontestueshme se ngutja jonë për bisedimet tona me Serbinë, nën udhëheqjen e një administrate amerikane e cila krizat e veta në vend, qoftë ato të shkaktuara nga coronavirusi, qoftë edhe këto problemet e reja pas vrasjes së George Floyd, është duke e humbur tokën nën këmbët e veta dhe nuk jam shumë i bindur se në këso rrethanash diçka e mirë do të dilte për palën kosovare. E shoh të rrezikshme që Trump të merret me Kosovën për ndërtimin e imazhit të tij të rrënuar përtokë në vendin e vet. Paramendojeni se sa mërzitet ai se çfarë epilogu do të kishin bisedimet Kosovë-Serbi përderisa ai është i gatshëm që t'ia fusë flakën Amerikës anë e përtej.

E këtu tek ne gjithashtu e ka këtë sociopatin tonë, njeriun pa empati dhe antipatik, presidentin e Moldavisë, Hashim Thaçi. Jo, nuk është gabim shtypi. Dekretit të tij për emërimin e mandatarit Avdulla Hoti për kryeministër, Gjykata Kushtetuese me dhjetëra herë e ka krahasuar duke marrë shembuj nga Kushtetuta e Moldavisë, kështu që t’i rrumbullakojmë gjërat ashtu siç ato do të duhej të ishin. Për ironi, vitin e kaluar që të gjithë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të Moldavisë kishin dhënë dorëheqje për shkak të allishverisheve me Kushtetutën dhe njërin nga magnatët e Moldavisë dhe ish-presidentin e korruptuar të Moldavisë e për të cilin përflitet për afera korruptuese me Richard Grenellin. Shumë indikative që të gjitha këto të jenë koincidenca të rastit. Diplomacia nuk funksionon ashtu. Asgjë nuk është e rastësishme dhe e pamenduar dhe e pakalkuluar.

Sociopati ynë president pa empati dhe antipatik derisa po mbante konferencën për shtyp me rastin e votimit të rent a Qeverisë Hoti u thërrit nga një zë jashtë kompleksit të ndërtesës së Kuvendit "hajn o hajn". Gorillat që i pamë e të cilat e rrethojnë atë si mbrojtje e tij e afërt e lanë presidentin gafil vetë në konferencën e tij për shtyp dhe iu sulën në përndjekje djaloshit të ri aktivistit të VV-së, Veron Hasani. Ata e zunë atë dhe shkaktuan dhunë fizike mbi të. Në intervistën e mbrëmjes sociopati pa empati, presidenti i Moldavisë, Hashim Thaçi, deklaroi se: "dy duar për një kokë janë, ata që pretendojnë me të goditë, unë i godas i pari. Nuk ka më bilbila, ujë, gaz, unë ua tregoj vendin”. Kështu, despoti moldav na kërcënon të gjithë qytetarëve për shprehjen e mendimeve tona të lira, qofshin ato edhe nofkat HAJN për te. Askush asgjë nuk po i shpif. E tha Veroni bukur "hajn i vullnetit të qytetarëve".

Kur po mendoj më thellë dhe po kërkoj përgjigje në të gjitha gjërat të cilat po ndodhin në botë, në mënyrë që të kem njëfarë logjikshmërie të rrjedhës së gjërave, po më del se horoskopi i vitit 2020 për politikanët është diçka shumë ters. Trumpi punët llugë, Boris Johnson punët llugë, presidenti unifikues i hajnave dhe prostitutave politike të Moldavisë (çdo respekt për ato prostitutat e vërteta moldave të cilat paranë e fitojnë me mund e me djersë) Hashim Thaçi punët llugë. Yjet këtë vit nuk janë aspak të pozicionuar në favor të tyre. E sigurisht se as pozicionimi i planetëve nuk është aspak i favorshëm këtë vit për ta.

Sa i përket rent a Qeverisë Hoti nuk do të kem aspak qasje gjentëllmene ndaj saj, pikërisht për shkak të sjelljeve të këtyre politikanëve me Qeverinë e kaluar dhe me rrëzimin e saj në kohë pandemie. Kështu që sa më përket mua kritikat e mia do të jenë të drejtuara ndaj saj që nga dita e parë e punës së saj, e që po koincidon me shkrimin e këtij Ditarit tim.

E di që aq ju bën juve për kritikën time ndaj jush. Se mos pahiri ju ka mbetur ndopak ftyrë e po më skuqeni. Edhe ashtu zakonisht qysh Ditarin tim e përfundoj me Post Scriptum mesazh për kryeministrin, atë tash do t’ia kushtoj kryeministrit faktik të Kosovës, presidentit të Moldavisë, Hashim Thaçi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco