Luli, Yuri, lulja!

Luli, Yuri, lulja!

Nga Çim Peka - 04/06/2020

Mëngjesin e 17 majit shqiptarët u zgjuan nën pamjet horror të dhunës policore mbi artistët dhe aktivistët e shoqërisë civile, të cilët kishin plot 27 muaj që mbronin teatrin, si një nga simbolet e fundit që i kishin mbijetuar babëzisë 22-vjeçare të Edi Ramës.

Tërheqja zvarrë e qytetarëve të pambrojtur, shqelmat kokës, gjuri në qafë, ishin akte për të cilat më së paku pritej një reagim nga dashnorët e të drejtave të njeriut. Rruga e Elbasanit qëlloi e përgjumur atë ditë.

Edhe kur reagoi, Yuri, shoqja e Lulit, postoi në profilin e Twitter disa lule. Asgjë nuk kishte ndodhur as kur u tërhoqën zvarre edhe zyrtarët e opozitës. Fundja, as kur nxori blindat e armatosur të ushtrisë pa akt parlamenti për të luftuar virusin.

E humbur në tranzicion, zonja Kim duket se ka zgjedhur rrugën më të lehtë dhe më të thjeshtë, atë të bërit njësh me qeverinë dhe me Kryeministrin. Është një film që e kemi parë edhe herë të tjera, me çdo qeveri. Prioriteti numër një i zyrës së saj është reforma në drejtësi, dhe me të drejtë.

Një reformë dizastër, që u ka ngelur në derë të gjithë aktorëve dhe faktorëve. Një reformë që nuk shtyhet dot me tutje sepse ka dështuar, dhe as që mund të ketë kthim prapa sepse s'duhet dhe s'mund të kthehet dot më. Në kushtet e një bllokimi të tillë, ndodhin edhe pazaret e ambasadorëve për emra të veçantë e për llogari të pushtetit, si ato që publikoi presidenti.

Fabula që përmendet nëpër ambasada është se opozita, presidenti, ish-kryeministri nuk e duan reformën në drejtësi. Për ironi, është e njëjta fabul që kanë përdorur të gjithë trafikantët e drogës, të qenieve njerëzore, përdhunuesit, vrasësit, të cilët Edi Rama ka futur në Parlament, administratë, kryetarë bashkish të kapur nga ligji i dekriminalizimit, madje edhe gazetarë që me Çuçin në krah bridhnin komisariateve të jugut kur policia arrestonte venezeluane si trafikantë droge.

A nuk ju kujtohet Elvis Roshi, në podium krah Edi Ramës dhe nën zgërdheshjet e tij, i cili pasi ishte provuar nga opozita si trafikant dhe përdhunues, akuzonte Lulzim Bashën se po e sulmonte politikisht, sepse ai, Basha, kishte frike dhe po pengonte Reformën në Drejtësi.

Edhe Sajmir Tahiri, Ndoka, Prenga, Dako, Peçi, Bushi, Pjetri, Bardhi, Kokoneshi e shumë të tjerë, të përzgjedhur personalisht nga Edi Rama, secili prej tyre ka akuzuar Lulzim Bashën se nuk donte reformën në drejtësi.

Presidenti i Republikës foli për një lob serb në Uashington që përkrah pa limit Edi Ramën. Nuk e di për lobin serb, por di që kur më 23 shtator ai urdhëroi strukturat shtetërore t’i suleshin portalit SYRI.net dhe të më dërgonte policinë në shtëpi në mes të natës, ai ishte nën ekzaltimin e një takimi kokë më kokë me presidentin amerikan.

Takimi i rregulluar nga një sekser, mik i përbashkët i Ramës dhe Vuçiç, i cili qëndron edhe pas nismës së Ramës për legalizinin e kanabisit, ishte caktuar për datën 25 shtator në orën 11:00 në Trump Tower.

Megjithëse Rama i krekosur kishte dalë përballë që në orën 10:00 dhe priste që stafi i presidentit të dilte dhe ta merrte (kemi publikuar foto të Ramës në ditën dhe orën që po flasim kur priste në lokal), Rama priti deri pas orës 12.00 dhe jo vetëm se nuk doli njeri ta merrte, por as nuk e njoftoi njeri se takimi nuk do bëhej.

Madje, edhe sot Rama nuk e di se çfarë ndodhi. Nëse ka një lob, ai është në Departamentin e Shtetit, në zyrat që merren me Ballkanin dhe me Europën.

Ajo që më irriton me Lulzim Bashën është se ai e di tërë këtë konjukturë, madje edhe më tepër, dhe përsëri pranoi si negociatorë për reformën elektorale ata që më tepër se diplomatë, duken si përfaqësues të Antifa-s në dy brigjet e Atlantikut.

Kërkesat e opozitës janë minimaliste. Çdo opozitë në vendin e kësaj do të kërkonte garanci maksimale nga një qeveri që është e kapur me zë e me figurë duke përdorur krimin e organizuar dhe paratë e drogës për të blerë dhe manipuluar zgjedhjet.

Kërkesa maksimaliste ishte ajo e një qeverie tranzitore; nga e cila u hoq dorë lehtë. Çdo kërkesë tjetër është më shumë se legjitime. Ajo çfarë Edi Rama po bën me ndihmën e përfaqësuesve të Antifa-s në Tiranë, është se po i heq të drejtën opozitës që të numërojë votat e veta.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco