Metamorfoza…e Avdullah Hotit

Metamorfoza…e Avdullah Hotit

Nga Syri.net Kosova - 04/06/2020

Avdullah Hoti i vitit 2018 thoshte se nuk mund të ketë një qeveri stabile që varet nga votat e Listës serbe të dirigjuar nga Beogradi. Nuk e ka pasur keq.

Avdullah Hoti i vitit 2019, përbetohej duke kërkuar vota për kandidaten për kryeministre Vjosa Osmani, nën sloganin”Beso”, se LDK nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti të PAN-it. Edhe këtu, mirë ka folur.

Avdullah Hoti i vitit 2020, u zgjodh kryeministër falë votave të partive të PAN-it dhe Listës serbe. Vendimtare ishte vota e Haxhi “Legjendës”, deputeti që u “bind” nga Hashim Thaçi, por jo nga shefi i partisë, Fatmir Limaj.

Avdullah Hoti i vjeshtës së para një viti, zotohej se ndaj Serbisë do të ketë reciprocitet të plotë në qeverinë e paralajmëruar me Lëvizjen Vetëvendosje, por si zëvendës i Albin Kurtit, e kundërshtoi ashpër premtimin që e kishin përfshirë edhe në programin qeveritar.

Avdullah Hoti i qershorit të sivjetëm, ka premtuar se në vendimet e para si kryeministër, do të jetë heqja e çdo mase reciprociteti ndaj Serbisë.

Në ditën e parë pasi u zgjodh kryeministër i pakicës shqiptare, i propozuar nga partia që i humbi zgjedhjet, por jo edhe “dashurinë” për presidentin, Hoti nuk u shfaq në asnjë ekran televiziv, për të shpalosur programin e tij.

Në fakt, nuk kishte nevojë fare. Për “programin” e qeverisë Hoti, u përkujdes Hashim Thaçi. Nervoz dhe banal, i vrazhdë dhe i frustruar, pasi e rishau Albin Kurtin,  ia përkujtoi ekzekutivit të ri se dialogu është çështje emergjente. Çdo pengesë duhet hequr.

Marrëveshja duket e qartë. Presidenti e mban timonin e dialogut me Serbinë drejt marrëveshjes finale, kryeministri ekzekuton zbatimin e saj.

Isa Mustafa dhe i preferuari i tij, Hoti, vazhdimisht kanë theksuar se kundërshtojnë cënimin e territorit të Kosovës. Kështu thoshin edhe në rastin e Demarkacionit me Malin e Zi, që ia humbi vendit mbi tetë mijë hektarë.

Këtyre politikanëve nuk mund t’u besosh më. Ata e rrëzuan vullnetin e sovranit për ndryshim, duke i shërbyer një kauze të mbrapshtë të Hashim Thaçit.

Avdullah Hoti, një tip politik i aftë për të ndryshuar qëndrime e shkelur mbi parime, nuk e ka për gjë, t’i përshtatet synimeve të presidentit, i gatshëm të nënshkruajë me Vuçiqin marrëveshje të dëmshme, me gjasë, siç e rithekson analisti i njohur Daniel Server, për t’u amnistuar nga një përballje e pritshme me Specialen.

Profesori i ekonomisë, mund ta ketë përmbushur një ambicje të rëndësishme në karrierën e tij politike, por Kosova nuk ka pasur një kryeministër më të padëshirueshëm.

Është fatkeqësi kur një burrë i ndershëm e intelektual, transformohet kësisoj, për shkak të etjes së madhe për pushtet.

“Kur një mëngjes Gregor Samsa u zgjua nga ëndrrat shqetësuese e gjeti veten në krevat të shndërruar në një kandër të madhe”. Franc Kafka, e kishte përshkruar kështu në “Metamorfozën” e tij të famshme, ndryshimin e personazhit të tij.

Pavarësisht se si është ndjerë mëngjesin e sotëm, Avdullah Hoti, ka mundur t’i bëjë ballë hutimit e të shkojë në Kuvend, aty ku duhet të jetë ai dhe ministrat kur ka seancë parlamentare.

Edhe pse, e ka vetëm një urdhërdhënës, nuk mund ta shfaqë kaq hapur varësinë nga presidenti dhe shpërfilljen ndaj parlamentit që e zgjodhi në tehun e një vote.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco