Hashim Thaçi i gatshëm të bëjë çdo gjë për të shmangur padinë nga Tribunali Special i Hagës

Hashim Thaçi i gatshëm të bëjë çdo gjë për të shmangur padinë nga Tribunali Special i Hagës

Nga Daniel Serwer - 04/06/2020

Ndërsa parlamenti ka aprovuar sot një Qeveri të re në Kosovë, këtu janë disa mendime për fatin e saj. Do të udhëhiqet nga LDK-ja dhe do të ketë një shumicë të vogël të mbështetur në disa parti minoritare si dhe disa parti të vogla që kanë qenë në opozitë gjatë jetës së shkurtër të koalicionit VV/LDK.

Qëllimet kryesore të kësaj qeverie janë

Të nxirret vendi sigurt nga pandemia COVID-19;

Të merret me ndikimin negativ të pandemisë në ekonomi;

T’u përgjigjet amerikanëve dhe evropianëve që po kërkojnë një rinisje të dialogut të stagnuar me Beogradin.

Kjo është një agjendë e frikshme, ndonëse Kosova duket se ka shmangur më të keqen e COVID-19.

Edhe një qeveri me shumicë të fortë e përbërë nga një parti (me pjesëmarrjen e kërkuar të minoriteteve) do ta kishte të vështirë t’i menaxhonte këto kërkesa. Një koalicion i disa partive me një shumicë të vogël e udhëhequr nga i treti i zgjedhjeve të fundit do të ketë telashe dukshëm më të mëdha. VV-ja në opozitë do të rrisë vështirësitë sërish, si në parlament ashtu edhe në rrugë.

Ajo që bën kjo është fuqizimi i lidhjes së presidentit me Qeverinë. Mekanizmat e tij me amerikanët kanë çuar te vota e mosbesimit për Qeverinë jetëshkurtër të Albin Kurtit. Presidenti tash do të marrë rolin kryesor në bisedimet me Beogradin, që Kurti kishte tentuar t’ia mohonte – Thaçi sigurisht nuk ka interes të udhëheqë për COVID-19 apo ekonomi.

LDK-ja duhet të ketë premtuar se nuk do të kontestojë lidershipin e tij në bisedimet me Beogradin, si çmim për të marrë postin e kryeministrit. Amerikanët do ta përkrahin atë, sepse ata e kanë atë nën kontroll dhe ai është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të evituar padinë nga Tribunali Special i Hagës. Kjo pavarësisht se si Gjykata Kushtetuese ashtu edhe parlamenti kanë thënë se bisedimet me Beogradin duhet të jenë përgjegjësi e qeverisë dhe jo e presidentit.

Richard Grenell, i dërguari i SHBA-së për dialogun Serbi - Kosovë, thotë se ai është vetëm i interesuar që të përmirësojë marrëdhëniet ekonomike mes Beogradit dhe Prishtinës, e jo për shkëmbim territoresh siç kam thënë unë dhe të tjerët. Nuk është një gjë e besueshme. I kritikuar tashmë për rolin e tij në këtë fushatë, ai dëshiron t’i ofrojë presidentit Donald Trump një ceremoni në “Rose Garden” në prag të zgjedhjeve në SHBA më 3 nëntor. Asnjë marrëveshje ekonomike nuk do të realizonte këtë.

Atij i duhet shkëmbimi i territoreve jo vetëm për vete, por edhe për të rikonfirmuar parimet etnike nacionaliste të Administratës Trump, por edhe pasi mendon se mund të shitet si një plus i madh për paqe dhe stabilitet në Ballkan, duke zgjidhur një çështje që as Clintoni nuk ka mundur të zgjidhë.

Kjo nuk është e vërtetë: nuk zgjidhë asgjë. Një shkëmbim i territoreve herët a vonë do të rezultojë në jostabilitet në Serbi, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe ndoshta edhe në Maqedoni. Po ashtu do të forcojë shtrëngimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë.

Por, çfarëdo pajtimi që arrihet në “Rose Garden” nuk duhet të qëndrojë vetëm deri më 3 nëntor. Marrëveshja e aviacionit civil që Grenell thotë se e ka negociuar është avulluar tashmë, pa e vërejtur ndonjëri.

Gjasat që as parlamenti serb e as ai i Kosovës nuk do të aprovojnë shkëmbimin e territoreve, apo nuk do të pranohet në referendumet në këto vende, nuk do të ketë rëndësi pas zgjedhjeve në SHBA. Dëmi do të jetë bërë: kudo që kufijtë e rinj të vizatohen, njerëzit do të lëvizin – disa vullnetarisht e disa pa vullnetin e tyre – në anën “e duhur” te grupi i tyre etnik. Ata që nuk do të lëvizin do të dëbohen.

Kështu që e shoh Qeverinë e re – i kërkoj falje Avdullah Hotit – si fatkeqe. Do të tentojë të hapë rrugën për një marrëveshje që kosovarët, amerikanët dhe evropianët do të pendohen. Fituesit e vetëm do të jenë Putini dhe të përkëdhelurit e tij si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Tash për tash, edhe vet presidenti Thaçi duhet të ketë dyshimet e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco