Rapsodia Iso-Hashimiane, ekzekutuar në kohë pandemie

Rapsodia Iso-Hashimiane, ekzekutuar në kohë pandemie

Nga Ramazan Bekteshi - 03/06/2020

(Mirëdita pikllim)

Kosova po hyn në një qark vicioz pas episodeve të tradhtisë dhe skenarëve të pas zgjedhjeve. Sa shpejtë u zhduk entuziazmi, ajo shpresa e madhe, sapo u shfaq Thaçi furishëm në skenë duke e komanduar LDK-në nga prapaskena, LDK-në vasale e pa zot shtëpie, që me përpikëri zbaton urdhëratë e Thaçit, duke tradhtuar koalicionin dhe votuesin, duke krijuar konceptin imagjinar te anti-amerikanizmit dhe me krahun e Ambasadorit Grenell do të shkaktonin grushtet, të vetmin në botë në kohë pandemie, për t’i hapur rrugë kushtetueses së Hashim Thaçit.

Nga një dëshpërim i madh në kohë karantine nga ballkonet e Prishtinës do të dëgjonim gjëmimin e rapsodisë vajtuese të tenxhereve e tiganëve, posa të kaplonte muzgu dëshpërues i natës se gjatë në karantinë. Ishin ato klithmat e qytetarit të ngujuar brenda qytetit me tym, të betonuar e pa gjelbërim, i ngulfatur, pa ajër e pa liri, që shprehnin lemerinë dhe trishtimin e qytetarit të pashpresë. Poashtu, në kohë karantine Thaçi e fillon lojën me kushtetuesen me një paradoks se anëtarët e saj vinë nga eshalonët partiake të bekuar po nga Thaçi. Pauza do t’i ndihmonte që skuadra e kushtetueses së Thaçit, pas gati një muaji natën vone do të ekzekutonte një aktgjykim antikombëtar, qe humbësi i zgjedhjeve të 6 tetorit të bëhet fitues e kryeministër, dhe të arrijë një marrëveshje të shpejtë të qeverisë me Listën Sërbe pa kushte.

Sërish vjedhësit e shekullit po rigrupohen, ata që kontrolluan nëntokën dhe nën qiellin kosovar për 20 vite rresht, sërish do te bashkohen, jo për t’i ndihmuar qytetarit por për ta vazhduar plaçkën aty ku e lanë në postet më neuralgjike. Të vazhdojnë krimin si në dhomën e dëshmive në Policinë e Kosovës 47.6 kg heroine, ne Prishtine, 25kg ar ne Peje, arsenal armesh ne Zubin Potok), të abuzojnë me privatizimin, tokat, tenderët, terminalet e sallonet, t’i ruajnë fajdexhinjtë që tregtojnë paratë e tyre të pista me kamata enorme, që shpesh viktimat kanë përfunduar në psikiatri, kanë bë vetëvrasje, apo janë ekzekutuar. Sërish do t’ua mësyjnë ambasadave përtace të Kosovës nëpër botë për turizëm, rekreacion e shoping që edhe ashtu për dy vite s’erdhi asnjë njohje e vetme përveç shumë çnjohjeve. Politikanët për pushtet krijuan edhe ‘racizmin’ brenda shqiptar, armiqësuan miqtë dhe familjet përbrenda për qëllime të ulta.

Mirëdita pikëllim, është përshëndetja për qeverinë që po vjen në aleancë me Listën Serbe, pa kushte. Ç ‘faj ka ky populli që votoi për ndryshim dhe ai ndryshim iu vodh me pabesi, ç’faj ka qytetari që atë s’do t’a përfaqësoj më fituesi por humbësi, ç’faj ka qytetari që komandantët multimilionerë pos vjedhjeve të shekullit, atentatit ndaj demokracisë janë në gjendje të bëjnë më shume koncesione, të falin edhe më shumë toka si ç’ falen me herët, të vazhdojnë jetën e tyre luksoze derisa populli vuan, të flirtojnë me ndërkombëtarët pa kusht, vetëm për të mbet në pushtet dhe të ruajnë sarajet e tyre, derisa populli rënkon, vuan, e një pjese e braktis vendin nga dëshpërimi i madh. Ç‘faj ka ky popull që Dulla rrëzoi Albinin për Rakiqin, qe ai te jete pranë AKI-se, Ambasadës sonë ne Uashington DC, e ku mos.

Lamtumirë shpresë, një qeveri, më e shkurta në historinë tonë po perëndon për të rilindur sërish, një burrë dhe një grua, nga dy parti të ndryshme nuk u lanë të qeverisin sepse oligarkëve u kërcënoheshte pushteti, pasuria dhe liria e tyre. Megjithatë, ata treguan sa mund të bëjnë për shtetin qoftë edhe për 52 ditë. Dy njerëzit më të votuar të Kosovës e humbën pushtetin sepse s’e pranuan nënshtrimin, bënë aq shumë për 52 dite, më shumë se komandantët për 20 vjetë. Ata u larguan sepse mund dhe të kenë bërë gabime por jo dhe tradhti, jo kompromis në shpinë të shtetit e të qytetarit. Ata e humbën pushtetin për ‘fajin’ e vetëm sepse në vend të servilizmit mbrojtën dinjitetin e qytetarit dhe republikën me kufijtë e pacenuar. U rrëzuan pabesisht për t’u ngritur më lartë.

Kosova po hy në një fazë të re me plote rreziqe, tani fatkeqësinë ia sollën vet shqiptarët, ata që qeverisën plotë 20 vite, me duar të ndyta e shpesh edhe të përgjakta. Tani është koha për reflektim, nëse do të zgjedhet protesta paqësore si formë demokratike, ajo duhet të pranohet dhe kurrsesi mos të abuzohet. Kosova s’e meriton dhunën, as vandalizmin, por as diktaturën. Populli ynë është i mençur sa të mos lejoj të na hynë në mesin tonë elemente të dërguara nga Beligradi që i josh Thaçi.
Në këto ditë të tensionuara e të turbullta nevojitet gjakftohtësi kolektive dhe solidaritet vëllazëror, edhe pse s’është lehtë kur në krye të shtetit është Thaçi, njeriu më i urrejtur i Kosovës por njëkohësisht edhe më i plotfuqishmi. Ai është kryetar i Kosovës, kryetar i parë i PDK-së, kryetar i LDK-së nën hije, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, dhe kryetar i partive më të vockla, sepse zëri i Thaçit është zëri i tyre. Mbi Thaçin qëndron vetëm vëllai i tij Vuçiq që i erdhi për ndihmë me Listën Serbe sa herë që pati nevojë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco