Teatri, Pandemia, Gjykata!

Teatri, Pandemia, Gjykata!

Nga Astrit Veliqi - 01/06/2020

Po kalojmë jo vetëm si vend por edhe si komb në një situatë aspak të palakmuar, për të mos thënë të jashtëzakonshme, me shumë çudi e paradokse si në rrafshin politik, shëndetësor por edhe në atë kulturor e ekonomik.

Pandemia e Covid-19 gjatë kësaj përiudhe na ka bërë më të përgjegjshëm por edhe na ka sforcuar, ku në çdo hap që po e bëjmë po kontrollojmë jo vetëm lëvizjet tona të përditshme por edhe të atyre që i kemi përballë apo i takojmë rrugës.

'Një kontroll total mbi emocionet dhe ndjenjat tona' për të jetuar, me stilin e ri të jetës, i cili si duket tash e tutje do të na ndjek shumë gjatë.

Por si për koinçidencë, në këtë kohë ndodhën edhe shumë ngjarje që tensionuan, jo vetëm shpirtin e një kombi por edhe të vetë atyre që e duan të gjallë shpirtin kulturor të një vendi.

Shembja e teatrit në Tiranë ka qenë shëmbëlltyra më e shëmtuar që sistemi i pushtetit atje ka treguar forcën, duke shkallmuar jo vetëm një monument të jashtëzakonshëm kulturor por edhe duke dhunuar me çizme të hekurta mbi supet e artistëve por edhe të qytetarëve të cilët me pahir e kundërshtuan fuqishëm rrënimin e atij monumenti kulturor.

Por jo vetëm kaq, në një situatë, aspak të zakonshme, ndodhi e gjithë ajo zhurmë dhe përplasje ku pushteti i egër i Rilindjes me Ramën në krye tregoi edhe njëherë se nuk qan kokën aspak për artistët, por as për kulturën e cila demonstronte një trashëgimi të lashtë të kryqytetit të vjetër shqiptar.

‘Pandemia e Teatri’ nuk kanë asgjë të përbashkët, përveç si i pari është virus i padëgjuar më parë i cili e tronditi pothuaj gjithë botën, kurse teatri është monument kulturor ku artistët derdhen gjithë dellin dhe fantazinë e tyre për shumë vite.

Por ajo që i bashkon është se ndodhën në një kohë kur Covid-19 kishte marrë nën kontroll gjithçka, lëvizjen tonë, ndjenjat tona, frikën, emocionet, madje edhe psikologjinë tonë, derisa teatri pikërisht u rrënua kur virusi kishte mbërthyer edhe jetën e qytetarëve në Shqipëri, ku natën u vendos për fatin e tij tragjik, ku dikur heronjtë e shfaqjeve aty e kanë përjetuar një fat të tillë, por me heroin e tyre tragjik si në tragjeditë e letërsisë antike.

Sido që të jetë për rikthimin e tij ende lufta po vazhdon...madje edhe me peticione, por së paku teatri atje do të duhej të mbetej edhe një muze i cimentuar jo vetëm për trashëgiminë e Tiranës por edhe për gjithë kulturën e lashtësisë shqiptare.

E bashkë me fatin e teatrit dhe virusin Corona, në Kosovë nuk munguan as përsiatjet politike, duke polarizuar skajshmërisht çdo pore të substancës sonë si shoqëri.

Vendimi i fundi i Gjykatës Kushtetuese pa dashur të paragjykoj në aspektin juridik dhe profesional të vlerësimit për verdiktin final, si duket e ka ndezur edhe më shumë përplasjen politike edhe ashtu të etabluar dhe shumë tensionuese sikur ka qenë.

Përkundër kësaj edhe qeveria e cila edhe pse ishte në detyrë tregoi sinjale pozitive sa i përket menaxhimit të pandemisë por edhe elementet e tjera qeverisëse.

Por ajo që i duhet vendit në këtë moment, domosdo krijon bindjen për një tranzicion demokratik të pushtetit ngase përveç një pune të jashtëzakonshme qe e pret qeverinë e re, edhe krizat e njëpasnjëshme do ta godasin vendin, ku sipas një raporti të Bankës Botërore, rreth 150 mijë kosovarë rrezikojnë të zhyten në varfëri.

Kjo për një vend si Kosova me një ekonomi të brishtë dhe demokraci edhe me të lënduar do të jetë sfidë e madhe për ekzekutivin e ri.

Pra ‘Teatri’ ishte ajo karma e zezë e cila nisi ashtu në terr dhe mbaroi në kohën e pandemisë, derisa me virusin ende po vazhdon lufta, kurse me polarizimet politike vendi domosdo do ta jap vendimin se a është për një shtet ku sundon e drejta, përgjegjësia dhe meritokracia apo duhet të vazhdohet me avazin e vjetër.

Prej sot me 1 qershor, ka filluar edhe hapja e madhe e vendit, pothuaj në të gjitha sektorët, duke u kthyer normaliteti, derisa testi i demokracisë politike mund të ‘vuloset’ edhe me një ekzekutiv të ri, që hëpërhë mund të jetë edhe 'Java D' e saj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco