Sulme skandaloze kundër ambasadorit gjerman

Sulme skandaloze kundër ambasadorit gjerman

Nga Enver Robelli - 01/06/2020

Kur emisari Grenell e paragjykon vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe thotë se mezi po pret të bashkëpunojë me "qeverinë e re", lugovistët që i shërbejnë nëntokës politike - heshtin. Sepse kjo u konvenon.

Kur ambasadori gjerman Heldt vetëm e citon një anketë të organizatave ndërkombëtare mbi popullaritetin e qeverisë dhe kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë për argatët lëdëkëistë të nëntokës kjo është arsye për ta sulmuar ambasadorin gjerman.

Retorika antigjermane bëhet për shkak se Gjermania është fuqia kryesore që po e kundërshton hedhjen në ajër të Republikës së Kosovës dhe po kundërshton prekjen e kufijve.

Para 10 vitesh ministri i Jashtëm gjerman mbajti një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku tha: "Në këtë rajon kufijtë janë vizatuar njëherë e përgjithmonë". Që kjo nuk u pëlqente shovinistëve serbë, dihej. Që dalin edhe politikanë shqiptarë dhe bëhen aleatë të hegjemonizmit pansllavist, këtë pakkush e ka besuar.

Tash pjesë e këtij projekti është edhe "partia e lugovistëve", kuptohet duke sulmuar edhe Gjermaninë, ku bajraktarët e sotëm të LDK-së kanë jetuar me dekada si ministra në ekzil, duke "menaxhuar" fonde qindramilionëshe të diasporës. Standardet e dyfishta tregojnë se në çfarë moçali ka rënë politika në Kosovë.

Çka guxon të bëjë një emisar, nuk i lejohet as 1 për qind ambasadorit të shtetit që ka investuar qindra milionë në Kosovë, ka hapur tregun e punës për mijëra kosovarë dhe është vendi vendimtar për të ardhmen evropiano-perëndimore të Kosovës. Po, ky vend s'po ia heq vizat Kosovës. Por a mund të ketë lidhje kjo mos-heqje vizash me keqqeverisjen shumëvjeçare në Kosovë? Ndoshta...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco