Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetutese tashmë e bën të pakuptimtë sistemin plural politik të vendit

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetutese tashmë e bën të pakuptimtë sistemin plural politik të vendit

Nga Besnik Pula - 29/05/2020

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetutese të Kosovës tashmë e bën të pakuptimtë sistemin plural politik të vendit që ekziston në vend që nga paslufta. Parimi i proklamuar më 2014, se nuk mund të formohet një qeveri pa partinë që ka dalë e para, tashmë u shpall i pavlefshëm. U shpall e pavlefshme gjithashtu norma e pashkruar, që një qeverie i jepen të paktën 100 ditë, para se kundër saj të nisin procedurat e mosbesimit. Me një fjalë, u legjitimua harbutëria totale në politikë, lojaliteti në koalicione u dekretua si çështje totale e kalkulimit afatshkurtër.

Nën këto rregulla të reja të luftës politike, domethënë se në sistemin politik të Kosovës tani e tutje duhet të jesh ose parti e shumicës absolute, ose parti e vogël. Si parti e shumicës absolute (>50%), qeverinë e formon vetë (me partnerët e detyueshëm nga partitë e minoriteteve). Si parti e vogël, mund ta kushtëzosh partinë që është afër shumicës, me kërkesa shumë të mëdha — deri edhe tek dorëzimi i kryeministrisë — për votën e qeverisë. Sipas rregullave të reja, partia e vogël nuk ka motiv tjetër pos të sillet si oportunist maksimal për veten e saj.

Nën rregullat e reja, më e keqja është të jesh parti e mesme, me 20, 25, 30% të votës. Të jesh në mes, as nuk formon dot qeveri vetë, kurse i nënshtrohesh apetiteve të partive tjera të mesme e të vogla, të cilat formojnë koalicion me ty sot, vetëm për ta prishë atë nesër që të formojnë koalicion me tjetrin që ofron më shumë. Pra, partitë e mesme duhet ta degradojnë veten sa më shumë politikisht në luftë për mbështetje nga partitë e vogla, në mënyrë që të qeverisin. Nuk ia vlen më të jesh parti e mesme — të tilla çfarë ishin me radhë partitë qeverisëse PDK, LDK dhe VV. Ky model i qeverisjes tashmë u hodh në pleh nga rregullat e reja të praktikuara nga LDK dhe të legjitimuara nga GjK.

Pra, modelit të deritanishëm i qeverisjes në Kosovë ju dha fund. Konsolidimi i skenës politike tani e tutje do të jetë interesant, pse jo edhe shkrirjen e nevojshme të PLAN në një parti të vetme siç edhe realisht do të duhej të ishte.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco