Kush është më i forti?

Kush është më i forti?

Nga Majlinda Bregasi - 28/05/2020

Të gjitha palët kanë rënë në një armëpushim në dukje, por provat e protestës nga ana e Vetëvendosjes, mesazhet kërcënuese të Thaçit, janë të gjitha presion ndaj Kushtetueses

Politika e ngritur mbi populizëm nuk ka qenë asnjëherë kaq ngadhënjyese sa në këtë epokë. Mjafton të marrim tre shembujt më spikatës në botë - Trumpi, Johnsoni dhe Ergodani - për të kuptuar se tashmë populizmi është kthyer në stil politik triumfues. Kush e zotëron më mirë del fitues. Populizmi është stil kompleks, ku nuk përfshihet vetëm diskursi gjuhësor, por gjithë performanca, gjestikulimi, toni i zërit, imazhet, simbolet.

Aktori populist na shfaqet si një lloj avokati i popullit, të cilin e shikon si një masë “të pastër”, “të dinjitetshme” që ka trashëguar “vlera të larta morale” dhe që meriton të jetojë në vendin e vet si në parajsën e premtuar. Por të gjitha këto tashmë po rrezikohen nga “një armik” që mund të jenë refugjatët që po “pushtojnë” perëndimin apo rivalët politikë, të cilët po rrezikojnë stabilitetin e shtetit, ekonominë, shëndetin. Në këto rrethana, populistët na shfaqen si shpëtimtarët e vendit dhe bota sot po lulëzon prej tyre.

Në këtë frymë i fitoi zgjedhjet edhe Trumpi. Në historinë moderne është parë se çka ndodh në Amerikë, ndihet kudo. Proceset që zhvillohen në SHBA janë motori i parë për proceset që do të ndodhin pastaj në botë, aq më tepër në Kosovë, e cila që në vitet ’90 sillet si një satelit i Amerikës në Ballkanin e trazuar. Liderët tanë e kanë pasur nuhatjen të kuptojnë se kush është më i forti dhe nuk kanë nguruar ta ndjekin hap pas hapi. Aq e shpejtë ka qenë ngutja për t’i ndjekur liderët e SHBA-së, sa nuk e pamë që paskemi shkuar edhe disa hapa para tyre.

Debati i fundit në SHBA si për paradoks është mbi emërimet e gjyqtarëve federalë nga presidenti Trump, i cili, si askush më parë në historinë e shtetit amerikan, ka përzgjedhur 192 të tillë, 51 gjykatës të Apelit dhe 2 gjykatës supremë. Asnjë president tjetër i SHBA-së nuk kishte shkuar kaq larg me këto emërime.

Në fakt, në 2016, Trumpi kishte premtuar se do t’i mbushte gjykatat me gjyqtarë konservativë, duke iu dhënë mesazhin krishterëve evangjelistë se ai ishte njeri i tyre, njeriu për t’u besuar. Të tjerët ishin ata që nuk ishin si “ne”, nuk mund t’u besohej.

Sot Kosova, sateliti i vogël amerikan i Ballkanit, ndodhet në pikën më të zezë të orbitës, nga e cila nuk dihet çfarë trajektore do të marrë. Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse ka apo jo dritë pas kësaj vrime të zezë nëpër të cilën po kalon sateliti. Të pesë nga gjyqtarët që kanë mbi supe barrën e shtetit janë zgjedhur nga koalicionet e PDK-së me LDK-në e AAK-në dhe katër nga PAN-i në 2018.

Në këto kushte, mundësitë që vendimi të jetë në favor të presidentit Thaçi janë shumë të mëdha. Cinizmi i presidentit, duke akuzuar Kurtin si uzurpues të shtetit e shkelës të Kushtetutës, ishte mesazh i fortë për opinionin publik dhe jo vetëm. Në anën tjetër, Kurti iu kundërpërgjigj me një qetësi cinike jo aq të natyrshme për një lider shpesh emocional si ai.

Në këtë atmosferë lufte të ftohtë, një gjë është e qartë, përplasja mes Mustafës dhe Kurtit ishte vetëm fasadë e një përplasjeje edhe më të fortë, asaj mes Thaçit e Kurtit. Kjo përplasje, që duket të ketë rrënjë të thella, do të jetë prodhues i vazhdueshëm destabiliteti. Temat nacionale pas të cilave shpesh mbahen liderët politikë, janë vetëm strategji për mbijetesë politike.

Pas raportit të Dick Martit, duke u mbrojtur pas luftës së drejtë të popullit të vet, Thaçi deklaroi se do ta akuzonte atë për shpifje, por ende nuk e pamë një akuzë të tillë. Ndoshta ka ende kohë, Thaçi është ende i ri, siç pati deklaruar para 10 vjetëve.

Por në opinionin ndërkombëtar po rikthehen në skenë akuzat ndaj presidentit, duke dashur ta vënë në të njëjtin nivel me kriminelët serbë të luftës të cilët po kandidohen në zgjedhje në Serbi. Kurrë më shumë se sot Thaçit nuk i duhet edhe një kundërshtar si Kurti, i cili në rrethana të tjera ndoshta do të kishte mundur ta mbështeste.

Çfarëdo gjëje që të ndodhë, vështirë se opinioni do t’i besojë Kushtetueses dhe kjo është gjëja më e keqja që do të mund t’i ndodhte vendit. Çdo vendim i saj do të sjellë mospranim, kundërshtim dhe si rrjedhojë trazirë në vend. Të gjitha palët kanë rënë në një armëpushim në dukje, por provat e protestës nga ana e Vetëvendosjes, mesazhet kërcënuese të Thaçit, janë të gjitha presion ndaj Kushtetueses.

Jemi në luftë. Sërish. Nuk ka Zot që sjell paqe në këtë vend. Nuk ka virus që na ndal.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco