Kosova në prag të shpërthimit anti-PANdemik

Kosova në prag të shpërthimit anti-PANdemik

Nga Syri.net Kosova - 27/05/2020

Në pritje të shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në Kosovë situata duket në prag të shpërthimit.

Nëse interpretimi shkon në favor të planit të Thaçit për ta nxjerrë në opozitë fituesin e zgjedhjeve e për ta instaluar në postin e kryeministrit ‘kukullën’ politike të LDK-së, vendi hyn në një cikël protestash masive të udhëhequra nga  Vetëvendosja.

Nëse Gjykata, vlerëson se Kushtetuta mbetet e heshtur në afatet për partinë fituese që ka të drejtën e mandatarit për qeverinë e re dhe presidenti nuk mund ta caktojë afat sipas preferencës së tij, atëherë rrëzohet dekreti i Thaçit.

Në të dyja rastet, Kosova shkon pashmangshëm drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Interpretimi i Kushtetueses, është vendimtar për të ardhmen politike të Republikës.

Siç ka thënë vetë Gjykata në vitin 2014, kush fiton zgjedhjet, parti apo koalicion, ka të drejtën e  zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe të mandatimit të qeverisë së re. Humbësit, nuk mund ta bëjnë këtë, edhe nëse bëhen bashkë, si në rastin e koalicionit LDK-AAK-NISMA-AKR.

Rrënimi i këtij interpretimi që vetë Gjykata e ka bërë, mund ta godasë rëndë demokracinë dhe zgjedhjet në të ardhmen. Çfarë kuptimi do të kishte gara elektorale, nëse fituesi bëhet aq i parëndësishëm, ndërsa fatin e qeverisë e përcaktojnë jo programet e parimet, por prapaskenat e pazaret?!

Anëtarët e Gjykatës janë bënë përballë një sfide nga veprimet e paskrupullta të disa politikanëve interesxhinj të Kosovës. Në kushte normale, si në rastin e dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit, presidenti duhej të shpallte zgjedhjet. Këtë veprim, ia mundëson qartësisht Kushtetuta jonë, por ai në vend që ta zbatojë, vendosi të tejkalojë kompetencat presidenciale e të veprojë si një lider ekstremist.

Çdokush po e sheh këtë marrëzi të Hashim Thaçit me kosto të paparashikueshme.

Kreu i grupit “Pronto”, po përpiqet ta ulë debatin politik në nivelin e një përplasjeje që mund t’u shkonte për shtat karteleve mafioze të drogës. Duke e quajtur qeverinë në detyrë  si “grupi i Kurtit”, presidenti e ka shfrenuar fantazinë dhe e ka çoroditur presidencën.

Gjykata e ka në duart e saj, t’ia ndalë hovin këtij matrapazi, që është në perëndimin e fuqisë së tij politike dhe dëshiron me çdo kusht të ndajë Kosovën për interesa personale, të amnistojë edhe perandorinë financiare kriminale që e ka ndërtuar me argatët e tij.

Albin Kurti i ka dalë në rrugë dhe Thaçi dëshiron ta shtypë e me siguri mezi pret ta shohë duke protestuar, për ta ridërguar në burg.

Skenari presidencial e dërgon Kosovën në një valë revoltash qytetare. Për fat të mirë, argumentet kushtetuese janë në favorin e Gjykatës që t’i japë goditjen përfundimtare PLAN-it të presidentit.

Por a janë edhe gjyqtarët të vendosur që të mos i nënshtrohen diktatit të një lideri në ikje?

Të shohim se si do të vendosin. Ky nuk është një vendim për Albin Kurtin apo për Hashim Thaçin.

Këtu është në lojë fati i Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco