Presioni

Presioni

Nga Flaka Surroi - 23/05/2020

Vendimi mund edhe të mos merret deri më dt. 29. Mund të ndodhë që të ketë nevojë për shtyrje deri në gjetjen e formulës për ta shpëtuar edhe Thaçin, edhe LDK-në. E mund të ndodhë që Kushtetuesja të veprojë me mend, ashtu siç kishte bërë më 1 maj, kur e shpëtoi Kosovën edhe nga një krizë të thellë politike në mes të pandemisë, dhe të interpretojë se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje

Nisi faza e dytë e menaxhimit të pandemisë në Kosovë dhe thuajse dolëm pak nga kontrolli dhe nevoja për të bartur maska e për të mbajtur distancë. Njëkohësisht, u kthye rrëkeja e veturave nëpër Prishtinë, thuajse krejt kanë shumë punë për të bërë, edhe në kohën kur shumëçka vazhdon të mos punojë me kapacitet të plotë.

E kaluam njëmijëshin e të infektuarve. Numri i të vdekurve do të bjerë për një, ngase supozohet se njëra nga viktimat që u regjistrua si rast vdekjeje nga COVID-19 doli të ketë vdekur nga sepsa, për shkak të shpërthimit të ulcerës në zorrën dymbëdhjetëgishtore. Se a ka pasur neglizhencë profesionale, do të jetë punë për t'u hetuar nga organet përkatëse.

Ndërkohë Kosova po hyn në javën e fundit, së paku të paralajmëruar, para se Gjykata Kushtetuese të vendosë se çfarë të bëjë me rastin e ngritur nga Vetëvendosja në lidhje me dekretin e Hashim Thaçit për emërimin e Avdullah Hotit mandatar të Qeverisë së re eventuale.

Edhe një orkestrim

Java nisi me zbulimin e vendndodhjes së punimeve përgatitore të Kushtetutës së Kosovës, pra e dokumenteve që do të duhej të shpjegonin se cila ka qenë fryma që i ka udhëhequr shkruesit e Kushtetueses kur janë përcaktuar për formulime të caktuara në aktin më të lartë juridik.

Kur ndodhi i famshmi aktgjykim i 2014-s, këto dokumente nuk gjendeshin "as për farë". Askush nuk dinte të tregonte se ku ishin vendosur, as nën përkujdesjen e kujt kishin qenë, e as pse nuk dihej se nuk ishin ruajtur në Kuvend dhe në arkiv. Vendimi atëherë u mor pa e pasur këtë dokumentacion për bazë, me gjasë me hamendje, dhe përfundimisht sipas kërkesës politike të momentit që e favorizonte PDK-në.

Dokumentet përnjëherë u shfaqën dy javë pasi u sfidua dekreti i Thaçit, dhe iu nisën Kuvendit nga Arkivi shtetëror. Kushtetuesja iu drejtua Kuvendit me kërkesën që ta merrte një kopje. Kopja u përcoll me një shkresë nga kryeparlamentarja Vjosa Osmani: "Kuvendi nuk mund të vërtetojë autenticitetin e këtyre dokumenteve dhe as nëse ndonjëherë ka pasur ndërhyrje në to; Kuvendi nuk mund të vërtetojë se kush i ka poseduar këto dokumente para se ato të dërgoheshin në arkivat e Kosovës, si dhe nëse gjatë këtyre viteve ka pasur ndërhyrje në to”.

Pa dyshim, reagim me vend, dhe heqje e përgjegjësisë ndaj një diçkaje që do të mund të ishte edhe e montuar pas 12 vjetësh. Dhe meqë Kuvendi nuk mund t’i vërtetojë saktësinë dhe autenticitetin, kjo bën që këto dokumente të mos jenë valide, për pasojë nuk mund të shërbejnë si bazë për çfarëdo vendimi. E posaçërisht kur kuptohet detaji se këto dokumente i ishin dorëzuar arkivit nga Zyra e Kryeministrit vetëm më 24 nëntor të 2014-s, pra pesë muaj pasi Kushtetuesja tashmë kishte vendosur siç kishte vendosur në favor të PDK-së.

Një ditë më vonë gazeta bëri me dije se disa ekspertë nga Komisioni i Venecias u ishin përgjigjur dy pyetjeve sugjestive të Gjykatës Kushtetuese që çonin nga përshtypja se kishin për qëllim që ta përkrahnin vendimin e Thaçit. Pra, pyetjet e formuluara ishin:

1. A duhet të shkohet domosdo në zgjedhje pas një mocioni mosbesimi kundër Qeverisë, dhe

2. A mundet Kuvendi të formojë Qeveri me shumicë tjetër parlamentare nga ajo e dalë nga zgjedhje.

Pra, pyetje që logjikisht do të duhej ta merrnin përgjigjen "po", ndërkohë që anashkalohet thelbi i problemit që do të duhej zgjidhur me përgjigjen: A është Dekreti i Presidentit kushtetues apo jo, përkatësisht a ka mundur kreu i shtetit t’ia japë mandatin një partie tjetër që nuk është fituese e zgjedhjeve, duke e konsideruar mospërgjigjen e fituesit të zgjedhjeve si refuzim dhe heqje dorë nga e drejta kushtetuese për dërgim të emrit të mandatarit.

Kjo për shkak se të gjithë rastin para Kushtetueses e krijoi pikërisht ky dekret, i cili qe interpretimi i lirë i Thaçit të (mos)veprimit të Kurtit ndaj disa letrave që ia nisi për ta caktuar emrin e mandatarit, edhe pse Kushtetuta nuk e njeh këtë veprim si përgjigje dhe për shkak se Kushtetuta nuk parasheh afat për këtë çështje.

Përpjekja për manipulim

Dhe në vazhdën e aktiviteteve të Thaçit për ta shtyrë para agjendën e tij, i ftoi ambasadorët e Quintit dhe ambasadoren Apostolova për t'iu folur e kërkuar përkrahje që me një deklaratë të përbashkët të dalin me qëndrimin se vendimi i Kushtetueses duhet të respektohet nga të gjitha palët.

Se pse pikërisht të nesërmen pas komunikimeve me Komisionin e Venecias u thirr kjo mbledhje, do të jetë lehtë të konkludohet: informatat për rrjedhën e gjërave në Kushtetuese Thaçi duhet t'i ketë prej dorës së parë, ose prej dikujt të afërm me GJK, prandaj edhe ka hapësirë për manovrim.

Sidoqoftë, burimet nga ky takim kishin treguar se ambasadorët nuk kishin dhënë asnjë premtim dhe nuk janë pajtuar që të dalin me çfarëdo komunikate, për shkak se janë ngopur nga manipulimi me deklaratat e tyre sipas momentit dhe qejfit politik të kujtdo. Dhe i bënë thirrje Kushtetueses që të veprojë me profesionalizëm dhe sipas frymës së Kushtetutës.

Për shkak se Gjykata Kushtetuese duhet të japë interpretimin e asaj që kontestohet, për t'i dhënë zgjidhje dhe përgjigje një kaosi kushtetues që e ka krijuar vetë me vendimin e 2014-s, që, të kujtojmë edhe një herë, i krijoi tri qeveri, me një logjikë që nuk do të duhej të ishte përcaktuar si e duhura dhe la hapësirë për interpretim sipas qejfit njeriut që është shkaktari kryesor i këtij kaosi.

Dilema e Kushtetueses

Lajmi i fundit që erdhi nga burime të lidhura me Kushtetuesen tashmë tregojnë se shtatë nga nëntë gjyqtarët janë për opsionin për ta ndihmuar Thaçin, pra që ta caktojnë një afat brenda të cilit Kurti duhet të japë përgjigje për mandatarin, e që eventualisht më pas të shkohet me mandatimin e dikujt tjetër, po qe se VV-ja nuk e përmbush afatin.

Porse problemi fundamental me këtë qasje është se kjo nënkupton se dekreti i Thaçit është kundërkushtetues, për pasojë Thaçi do të duhej të jepte dorëheqje ose të shkarkohej nga Kuvendi për shkak se e ka shkelur Kushtetutën.

Në një intervistë gjatë javës, Thaçi kishte deklaruar se nëse Kushtetuesja konstaton shkeljen dhe nëse Kushtetuesja konstaton se duhet dhënë dorëheqje, atëherë ky do të jepte dorëheqjen. E kjo punë është blof i tiji, për të mos thënë rrenë. Ngase Kushtetuesja nuk është krijuese e Kushtetutës, por interpretuese e saj, për pasojë, Kushtetuesja nuk ka prerogativë për të vendosur në emër të Kuvendit, duke udhëzuar nëse dikush duhet të japë dorëheqje ose jo.

Gjykatësit e Kushtetueses pra janë duke u munduar, sipas burimeve, ta gjejnë një zgjidhje ku dekreti i Thaçit shpallet jovalid, për pasojë kundërkushtetues, ndërkohë që ta gjejë formulimin sipas të cilit heshtja e Kushtetutës sa i përket afatit për dhënie përgjigjeje për mandatar të plotësohet me një afat, të cilin ajo vetë nuk ka të drejtë ta vendosë, por ta propozojë si zgjidhje, ashtu që Kuvendi dikur ta miratojë.

Pa paragjykuar se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese, megjithatë nuk duket se ka shumë hapësirë për manovrime për ta shpëtuar Thaçin kësaj radhe, nëse vërtet do të interpretohet si duhet vendimi që vetë e kanë miratuar. Porse, duke ditur se Kushtetuesja njëherë kishte vendosur t'ia akomodonte dëshirat Thaçit, askush nuk e përjashton mundësinë që këtë ta bëjë sërish, posaçërisht kur merret parasysh fakti se këta gjykatës kryesisht nuk janë zgjedhur për profesionalizëm sa për simpati partiake e interesa grupore.

* * *

Vendimi mund edhe të mos merret deri më dt. 29. Mund të ndodhë që të këtë nevojë për shtyrje deri në gjetjen e formulës për ta shpëtuar edhe Thaçin, edhe LDK-në. E mund të ndodhë që Kushtetuesja të veprojë me mend, ashtu siç kishte bërë më 1 maj, kur e shpëtoi Kosovën edhe nga një krizë të thellë politike në mes të pandemisë, dhe të interpretojë se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje.

Dhe që kështu të hapë rrugë që në legjislaturën e radhës, Kuvendi t'i bëjë ndryshimet e domosdoshme kushtetuese që nuk do të lënë hapësirë për keqinterpretime, apo për interpretime sipas qejfit të Thaçit.

Për 12 vjet shtet ia dolëm t'i krijonim 12 milionë probleme, sepse nuk ditëm ta ndërtonim shtetin ngase, siç e kam thënë shumë herë deri tash, lejuam që të na udhëheqin injorantët që në emër të patriotizmit na ngujuan në fund të pusit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco