Çka do të duhej të ligjërohet nesër në xhamitë shqiptare?

Çka do të duhej të ligjërohet nesër në xhamitë shqiptare?

Nga Bajram Mjeku - 23/05/2020

Sikur të mos ishte pandemia, nesër mbas faljes së Bajramit të Madh, Kleri mysliman para besimtarëve, do të duhej të ligjëronte për tolerancën fetare në dy dekadat e fundit. Leksionet për tolerancë fetare, nuk mjaftojnë sa për sy e faqe dhe vetëm ditën e Bajramit, por çdo të premte në Ditën e Xhumasë dhe çdo fundjavë në Meshën e së Dielës.

Në dy dekadat e fundit, toleranca fetare jo rrallë doli jashtë shtratit të saj, mbasi pati përplasje dhe tendenca të ashpra për braktisje të islamit tradicional. Flirti me islamin politik, nuk mungoi as nga disa parti politike. Të implikuara nga fonde të dyshimta, fuqizuan këto tendenca mbrapa kulisave dhe zgjodhën heshtjen faqe botës!

Veç tolerancës fetare, vëmendje të veçantë do të duhej t'i kushtohej mënyrës së veshjes dhe faljes sipas modelit iranian. Veshja sipas këtij modeli dhe burka e frikshme, as i përkasin islamit tradicional, as kulturës shqiptare.
Në vitin 1953 në Kosovë, regjimi komunist për t’i provokuar ndjenjat e shqiptarëve, nxori një dekret, përmes të cilit ndalonte bartjen e ferexhes. Shqiptarët e besimit islam, u ndjenë të goditur aq rëndë, sa u desh të kalojnë edhe katër vite, që gruaja shqiptare të dilte pa ferexhe ditën për diell!

Megjithëse shifra e analfabetizmit atëbotë në Kosovë ishte e frikshme, edhe regjimi komunist dëshmoi se ishte mediokër. Duke pretenduar t’i godiste shqiptarët, në fakt goditi veten dhe gruas shqiptare i shkrepi fati në fatkeqësi. Gratë e besimit islam përfituan shumë, sepse nga pamja orientale nisën të duken oksidentale dhe ky veprim i hapi rrugë integrimit të tyre!
Gjatë gjysmë shekulli të regjimit, komunistët kosovarë këtë sukses ia dedikonin vetes, duke shpërfaqur naivitetin e tyre dhe duke fshehur rrengun e udhëheqjes jugosllave!

* * *
Aspak e lehtë për të pranuar, por toleranca fetare midis shqiptarëve, ishte shumë më e kultivuar ta zëmë 90 vjet më parë se sot.
Në vitin 1927, Stak Mirdita i besimit të krishter, i njohur si Stak Marku, që ishte pjesëtar i një familjeje të vjetër, e cila në Prishtinë ishte ngulitur në vitin 1885, nisi të ndërtonte kishën e Shën Ndout, aty ku sot është monumenti i heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë. Fisnikët e Prishtinës të besimit islam në krye me Shyqri Beg Ramadanin, grumbulluan mjete financiare dhe ndihmuan Stak Mirditën për ngritjen e saj. Kisha më shumë njihej si Kisha e Stakajve se Kisha e Shën Ndout në Prishtinë.

Një mëngjes të vitit 1957, regjimi komunist në emër të kinse rregullimit të planit urbanistik, vendosi të rrënonte Kishën e Stakajve, por atë ditë ndodhi diçka e pazakontë. Një kompani shtetërore nisi të rrënonte kishën, por punëtorët shqiptarë të besimit islam, refuzuan ta rrënonin dhe regjimi komunist u detyrua të angazhonte punëtorë të komuniteteve tjera për rrënimin e saj.

E kur flasim për tolerancën dhe diversitetin fetar, edhe Kleri i Kishës Katolike në Kosovë, duhet të merr përsipër barrën e përgjegjësisë për aq sa i takon. Megjithëse i vogël në frymë, duket ky të jetë shkaku që Kisha Katolike, zhvillimet është duke i parë me indiferencë e jo rrallë edhe duke bërë veshin e shurdhër.

Këtë shkrim simbolik, të cilin e publikoj Natën e Bajramit të Madh, ia dedikoj gjyshit tim të ndjerë Salihut, i cili shquhej si besimtar i devotshëm dhe humanist i madh. Kur në dimrin e vitit 1972 u kthye nga haxhi, refuzonte të bartte shenja të identitetit fetar. Me plis të bardhë është nisur dhe me plis është kthyer nga vendet e shenjta. Vepronte kështu, sepse shumë besimtarë që dëshironin t’i vizitonin vendet e shenjta, kishin vështirësi financiare të sendërtonin ëndrrën e tyre, për të kryer njërën nga Pesë Shtyllat e Islamit.

Me fat Bajrami miqtë e mi të mirë. Zoti ua pranoftë axhërimin dhe paqja e begatia qofshin të pranishme në familjet tuaja!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco