Java e vendimit të madh kushtetues

Java e vendimit të madh kushtetues

Nga Tomorr Avdia - 22/05/2020

Zhvillimet politiko-juridike në Republikën e Kosovës kanë  hyrë në ditët më të ndjeshme  që nga dita kur koalicioni në detyrë u rrëzua me mocion mosbesimi në Parlament me 25 Mars.

 Jo vetëm palët e interesuara direkt por edhe opinioni është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në lëndën e dërguar kohë më parë nga 30 deputetë të VV-së, e ku kërkohet interpretim për Dekretin e Presidentit për nominimin e z. Avdullah Hoti për kryeministër të Republikës së Kosovës.

Derisa, vet Gjykata Kushtetuese i ka reaguar Presidentit, partive si dhe Kryeministrit të vendit, duke u ankuar për presion ndaj punës së saj.

Sipas një qëndrimi publik të Gjykatës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti “po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re.

 “Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e aktorëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”.

Por derisa Gjykata ka bërë thirrje nga palët për përmbajtje në opinion tanimë qarkullon lajmi se vendimi në favor të Dekretit te Presidentit, është punë e kryer dhe është vetëm çështje ditësh kur ai do të behët publik edhe zyrtarisht.

Përtej këtyre shtyrjeve, përplasjeve,  deklarative në relacionin Gjykatë-Presidencë-Qeveri dhe anasjelltas, një gjë tjetër që duhet trajtuar me seriozitet është shumësia e lëndëve të dërguara në Gjykatën Kushtetuese.

Janë me dhjetra procese kryesisht ‘poetike’, në harkun e shkurtër kohor të cilat që të gjitha kanë përfunduar të protokolluara në Gjykatën më të lartë të vendit.

 Kjo ka bërë që kjo gjykate, përveç që të jetë në qendër të vëmendjes nga të gjitha, të shndërrohet praktikisht në një gjykate kujdestare dhe nivelit qarkor apo themelor, gjë e cila i humbet peshën e rëndë të këtij digasteri të drejtësisë dhe zbehë përgjegjësitë madhore që i ka të përcaktuara me ligj.

 Kjo praktikë duhet ndaluar sa më shpejt, një Gjykate e këtij rangu duhet të trajtojë vetëm çështje me peshë, të punoj e shqyrtojë lëndët në konfidencë e profesionalizëm të plotë dhe nuk ka pse të jetë pika kryesore referente mediale në baza ditore.

Kjo Gjykatë gjatë karrierës së saj të shkurtë, ka marrë vendime me një dorë të ‘rëndë’ ku si pasojë dy presidentët, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli, janë detyruar të lëshojnë karrigen e presidentit dhe i kanë zbatuar ato vendime edhe pse kanë qenë të përfshira në debate politike dhe publike.

Por vendimi që pritet të merr Gjykata Kushtetuese në javën e fundit të majit, duke se jetë shumë më peshë dhe ngarkesë në opinionin e jetesë politike dhe shoqërore të Kosovës.

Kjo për faktin se dy kampet, një i përfaqësuar nga Presidenti Thaçi dhe tjetri nga Kryeministri Kurit, janë skajshmërisht të ndara dhe si rezultate, edhe nëse ai vendim do të merret nga juristët më të mirë të kontinentit tonë, do  të duket i padrejtë dhe i papranueshëm për njërën palë.

A do të jetë ky vendim që do ta largonte presidentin e tretë të Kosovës nga karrika  e tij...?

A do të jetë ky vendim që do të kthente, partinë më të madhe në vend, VV-në, në sheshet e protestave...?

Një gjë është e pashmangshme se vendimi do të mbahet mend gjatë dhe mund të ndryshojë mënyrën e ndërtimit të qeverive në të ardhmen në Kosovë.  

Kjo është java e Gjykatës, le ta presim me qetësi dhe respekt..!        

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco