Raportimi për vendosjen në karantinë të 210 qytetarëve dhe normat etike të gazetarisë

Raportimi për vendosjen në karantinë të 210 qytetarëve dhe normat etike të gazetarisë

Nga Dren Gërguri - 10/04/2020

Media e ka rritur ndikimin në shoqëri në këto ditë të pandemisë por nuk është imune ndaj gabimeve. Së fundi, në Kosovë është shënuar një shkelje etike kur portali “Sinjali” ka publikuar të dhëna personale të 210 qytetarëve, kryesisht serb dhe rom, të cilët janë vendosur në karantinë në Mitrovicën e Veriut dhe në qytete tjera.

Emrat, adresat dhe datëlindjet e 210 qytetarëve nga Komuna e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit, Graçanicës dhe Parteshit u zbuluan në raportimin e këtij portali, që pas disa reagimeve, kishte përmirësuar gabimin duke hijezuar ato të dhëna personale. Hijezimi i informacioneve personale është në përputhje me standardet etike gazetareske, sepse përmbushet interesi publik dhe rrjedhimisht, mbrohet privatësia e qytetarëve.

Mirëpo, lajmi i njëjtë u publikua edhe nga portale të tjera, duke përfshirë edhe portalin e televizionit publik të Kosovës, që gjithashtu përdorën dokumentet ku idenfikoheshin të 210 personat dhe këto portale nuk hijezuan të dhënat personale, për të mbrojtur privatësinë e atyre qytetarëve dhe nuk respektuan standardet etike të gazetarisë.

Në kontekstin politik, është i padiskutueshëm fakti për interesin publik në mënyrën se si u mor vendimi për t’i vendosur në karantinë mbi 200 qytetarë të Kosovës, mirëpo nuk është e nevojshme të zbulohet edhe identiteti i atyre qytetarëve që banojnë në ato komuna, siç nuk janë zbuluar as në rastet tjera kur disa komuna të Kosovës u vendosën në karantinë.

Mediet duhet të kenë shumë kujdes në respektimin e privatësisë së individëve që vendosen në karantinë apo që janë të prekur nga koronavirusi. Gazetarët nuk duhet të zbulojnë identitetin e atyre individëve, pavarësisht se ai lajm mund të tërheqë klikime. Normat etike të gazetarisë e trajtojnë raportimin etik, karshi privatësisë apo interesit publik dhe përcaktojnë që për personat të cilët nuk janë figura publike, në raportim nuk duhet të zbulohet identiteti, por duhet të përdoren vetëm inicialet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco