Kosova sot zhvillon betejë të dyfishtë: Atë kundër pandemisë dhe kundër hajnokratëve të bashkuar

Kosova sot zhvillon betejë të dyfishtë: Atë kundër pandemisë dhe kundër hajnokratëve të bashkuar

Nga Kim Mehmeti - 10/04/2020

Kosova sot zhvillon betejë të dyfishtë: atë kundër pandemisë dhe, betejën kundër hajnokratëve të bashkuar ‘proamerikanë’!

Kosova sot e ka më vështirë se cili do shtet i këtyre hapësirave sepse njëherazi përballet me dy beteja: me atë kundër pandemisë, për të shpëtuar jetë njerëzish dhe, me betejën kundër hajnokracisë së bashkuar ‘proamerikane’, për ta shpëtuar vetveten dhe për ta mbajtur gjallë shpresën rinore!

Dhe jo vetëm Kosova, por të gjitha ‘Shqipëritë’ tona, në kohë pandemie përballen me të vërtetën se ato nuk drejtohen nga parti politike, por nga ‘Kompani Aksionare’, që u sjellin përfitime të mëdha disa drejtuesve të tyre hajdut.

Kështu që, Kosovës sot, me në krye Lëvizjen Vetëvendosje, i ka rënë në hise që e para ta fillojë luftën e rëndë që t’ua hekë maskën këtyre ‘kompanive’ që strehojnë edhe hajdutë dhe t’i detyrojë ato o të zhbëhen, o të bëhen parti që do i shërbejnë shqiptarisë.

Me këtë betejë herdo - kurdo do duhet të përballet edhe Shqipëria. Ngaqë vetëm kështu ajo do mund të ‘çlirohet’ nga ‘robëria’ e ‘Rilindësve’ të Piktorit, që e rilindën krimin institucional dhe e vranë shtetin.

Kështu që do mund të ndodh që ‘Shqipëritë’ tona të shohin një të ‘mirë’ nga kjo pandemi: të shpëtojnë nga ‘hajdutokracia’, që trojet tona i bëri të pabanueshme për shqiptarët!

Në ndërkohë, shqiptarët e Maqedonisë kurrë nuk ia dolën ta shijojnë barazinë me të tjerët, ngaqë disa ‘komandantë’ të djeshëm, e politikanë të sotëm të tyre, u sollën njësoj si edhe disa ‘çlirimtarë’ të Kosovës: si mercenarë që e nxorën në shitje lirinë, për ta grumbulluar haraçin e luftës!

Dhe sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, ata s’kanë ku shkojnë më tej se kaq pa u bërë shtete të mirëfillta atdhe Kosova e mëmëdhe Shqipëria. Por do bënin mirë nëse një ditë e më parë do e fillonin luftën politike kundër enveristëve që e drejtojnë BDI-së, e të cilët janë një nga kulmet e trekëndëshit të së keqes mbarëshqiptare, trekëndësh të cilin e mbyllin ‘Rilindësit’ e Piktorit në Tiranë dhe politikanët e dalë nga ‘Strofulli i Gjarprit’ në Prishtinë

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco