Çka, kur të përfundojë kjo pandemi?

Çka, kur të përfundojë kjo pandemi?

Nga Asdren Rrahmani - 10/04/2020

 

Nuk e mbaj ndër mend që fillimi i prillit të kishte pasur temperaturë prej 22°C ndonjëherë. Edhe kjo për ironi. Me gjithë ndalesat për lëvizjen e lirë, komunikacionit dukshëm të reduktuar, mungesës së aeroplanëve në qiellin mbi Londër, në park mbretëronte një qetësi, të cilën nuk e kisha përjetuar më parë. Dëgjoheshin cicërima të zogjve të ndryshëm që jetojnë në këtë habitat, patave, pulëbardhave, rosave dhe shpendëve tjerë të shumtë. Drunjtë dhe lulet kishin lulëzuar dhe natyra as që donte t'ia dinte për pandeminë e as për karantinën e njerëzve

Unë e di që jam autori i këtij ditari, mirëpo nuk e di kush është përgjegjësi i skriptës së këtij filmi horror, të cilin jemi duke e përjetuar?

E kuptoj se shumica nga ju, që jeni duke i lexuar këta rreshta, si dhe rreshtat e tjerë të shumtë para këtyre, e keni brengën e Covid-19 dhe se si do të përmbyllet i gjithë ky epilog.

Nga ajo që po shoh këtu në Londër, Britani të Madhe respektivisht, dita-ditës është duke u përjetësuar frika ime se këtu situata do të përshkallëzohej edhe më shumë se ajo të cilën e kemi parë në Itali gjatë javëve të fundit. Ajo prognozë e imja fatkeqësisht po tregohet si e vërtetë dhe vetëm dje në Britaninë e Madhe në spitale humbën jetën 938 pacientë si pasojë e koronavirusit.

Reagimi i ngathët dhe injorimi nga Qeveria britanike e një situate e cila që nga muaji janar kishte pushtuar edhe kontinentin e Evropës, tani po e bën atë të cilës i druhesha më së shumti. Që të jetë kjo ironi edhe më e madhe, koronavirusi e preku edhe kryeministrin e Britanisë së Madhe, Boris Johnson, i cili tashmë është vendosur nën kujdesin intensiv mjekësor. Informacionet nga zyrtarët qeveritarë thonë se gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Me gjithë luftën e pakompromis dhe sakrificave të stafit mjekësor për shpëtimin e jetëve, reagimi i ngathët, i vonshëm, dhe injoranca ndaj kësaj pandemie nga Qeverisë rezultoi në numër shumë të madh të të infektuarve, si dhe në përqindje shumë të lartë të vdekshmërisë. Partia konservatore e Boris Johnsonit për vite të tëra e kishte bërë zvogëlimin e buxhetit të sistemit të shëndetësisë, që rezultoi me numër jo të mjaftueshëm të mjekëve, infermiereve, pajisjeve mjekësore dhe logjistikës përcjellëse.

Tash, në shumicën e spitaleve mjekët dhe stafi shëndetësor përballen me mungesë të mjeteve mbrojtëse dhe numri i testeve të bëra është shumë më i ulët sesa i vendeve të tjera evropiane. Në afat të mesëm flitej se do të vinte edhe deri te privatizimi i sistemit shëndetësor të Britanisë së Madhe dhe supozohej se blerës do të ishte Donald Trumpi/Amerika.

Ironia e këtij filmi horror është se edhe sistemi shëndetësor amerikan është duke e pësuar fiaskon e vet. Edhe në Amerikë, pas injorancës së cilës ia bëri presidenti Trump dhe administrata e tij kësaj pandemie, ajo erdhi si furtunë dhe sistemin shëndetësor e gjunjëzoi, numri i të infektuarve vetëm në Amerikë ka arritur në gjysmë milioni, ndërsa numri i të vdekurve nga virusi është 14.800. Në fakt, në përqindje nuk i bie as 2% nga numri i të infektuarve, përderisa në Britaninë e Madhe kjo përqindje shkon 12%+, ku nga 60.733 të infektuar 7.100 kanë humbur jetët e tyre.

Një ditë, kur e gjitha do të "pushojë", dikush do të kërkojë llogari nga të dyja këto qeveri, të cilat tashmë duart e tyre i kanë me gjak. Injektimet e tyre financiare për të zbutur situatën ekonomike në të cilën janë futur këto vende, një ditë, kur kjo pandemi të tërhiqet, nuk e besoj se do të jetë e mjaftueshme.

Së fundmi Qeveria amerikane akuzohet se është shndërruar në një qeveri të piraterisë moderne. Akuzat vijnë nga Kanadaja, Gjermania, Franca, shtete këto prej të cilave edhe me gjithë porositë dhe pagesat e tyre për maskat dhe pajisjet mbrojtëse nga Kina, Amerika ndërhyri qoftë duke paguar me shumë më të madhe të parave, ose qoftë duke e ndërruar destinacionin e kargos së këtij materiali për në Amerikë.

Edhe shtetet e Bashkimit Evropian e treguan çarjen ndërmjet tyre. Ajo u dëshmua sikur në mungesën e gatishmërisë së tyre për t’u dalë në ndihmë Italisë dhe Spanjës, ashtu edhe nga takimi i ministrave financiarë evropianë, të cilët nuk arritën që të bënin një marrëveshje për ndihmën financiare, të cilën Bashkësia Evropiane do ta ndante për t’i zbutur pasojat nga koronavirusi.

E gjitha kjo një ditë do të përfundojë dhe ashtu kjo botë më nuk do të jetë ajo e njëjta, të cilën e kemi njohur para se kjo pandemi ta përfshinte atë.

Dje e shfrytëzova rastin dhe, pasi që dola për të blerë bukë, e bëra një xhiro edhe në park. Nuk e mbaj ndër mend se fillimi i prillit të kishte pasur temperaturë prej 22°C ndonjëherë. Edhe kjo për ironi.

Me gjithë ndalesat për lëvizjen e lirë, komunikacionit dukshëm të reduktuar, mungesës së aeroplanëve në qiellin mbi Londër, në park mbretëronte një qetësi që nuk e kisha përjetuar më parë. Dëgjoheshin cicërima të zogjve të ndryshëm që jetojnë në këtë habitat, patave, pulëbardhave, rosave dhe shpendëve tjerë të shumtë.

Drunjtë dhe lulet kishin lulëzuar dhe natyra as që donte t'ia dinte për pandeminë e as për karantinën e njerëzve. Njerëzit e paktë, të cilët po shëtisnin, e mbanin distancën nga njëri-tjetri, disa me maska në fytyrë e disa të tjerë pa to, disa duke vrapuar me veshjet e tyre sportive, ashtu siç kishin bërë edhe me qindra herë të tjera para se të ndodhte kjo pandemi.

Pyes veten se çfarë mësimesh do të mësojë njerëzimi nga kjo pandemi dhe nga kjo përvojë e hidhur në këtë periudhë historike. A do të shndërrohen bota dhe shoqëritë moderne demokratike në shoqëri shumë më humane me njeriun në epiqendër të saj, mirëqenien e njeriut, shoqërisë, përkujdesje ndaj natyrës dhe të gjitha krijesave të cilat e ndajnë atë me ne.

Brishtësia jonë u shpërfaq edhe një herë, sistemet e rrejshme të ndërtuara shoqërore, të cilat pothuajse ranë sikur kulla prej letrës. Virus, i cili nuk i dalloi monarkët nga fshatarët, politikanët nga punëtorët e thjeshtë. Vdekja e të gjithë atyre, që ndërruan jetë si pasojë e këtij virusi ishte vdekje e izoluar nga të afërmit e tyre duke mos mundur që t'ia thonë as fjalët e fundit përshëndetëse njëri - tjetrit.

Secili në mënyrën e vet e ka mundësinë që të reflektojë dhe që të shikojë jetën në retrospektivë, se cilat do të ishin gjërat e para që do t’i bënte kur një ditë kjo karantinë të përfundojë. Si do ta shijojë lirinë e vet përsëri? Çka do të mund ta bënte në një njeri më të mirë?

Para ca ditësh më shkroi privatisht mikesha ime Kaltrina nga Londra, e cila më tha se ishte formuar një grup në Facebook dhe qëllimi i këtij grupi do të ishte ndihma për familjet në nevojë, të cilat janë të goditura ekonomikisht në Kosovë nga pandemia dhe pasojat e karantinës. Lutja e saj ishte që edhe unë të bëhesha njëri nga administratorët e grupit pasi që kam miq dhe përcjellës të shumtë në Facebook. Propozimin e Kaltrinës e pranova duke mos u menduar dy herë.

Grupi nuk bën grumbullim të mjeteve materiale, por ai shërben si ndërmjetësues i familjeve në nevojë dhe njerëzve zemërgjerë, të cilët ofrojnë gatishmëri për t'iu dalë në ndihmë këtyre familjeve në nevojë. Aty në grup u njoftova edhe me shumë djem e çika të reja nga Kosova dhe diaspora, si: Kaltrina, Rina, Saranda, Jeta, Enisi dhe shumë vullnetarë e njerëz të vullnetit të mirë, të cilët janë ata që e bëjnë ndryshimin me punën dhe angazhimin e tyre të palodhshëm.

Për vetëm një javë është arritur që t’u dilet në ndihmë 135 familjeve të ndryshme nevojtare anembanë Kosovës. Ditëve të ardhshme pritet që të ketë fluks edhe më të madh të kërkesave, por, gjithashtu, pritet edhe përfundimi i një bashkëpunimi me "GJIRAFA", ku edhe bashkatdhetarët tanë nga diaspora do të kenë mundësinë që në mënyrë direkte t’i ndihmojnë këto familje duke e bërë pagesën për pakot e ndryshme me ndihma në gjëra ushqimore, mjete higjienike dhe barnat esenciale, të cilat mund të jenë të ndryshme nga sasia, varësisht nga numri i anëtarëve të një familjeje dhe do të jenë të mjaftueshme deri në 4 javë.

Unë këtu e shoh shpresën e Kosovës kur këta të rinj aq energjikë e kanë aq të ngulitur në personalitetin e tyre sensin e solidaritetit dhe vullnetarizmit, unë nuk marr ndonjë kredi pse jam anëtar i këtij grupi. Punën më të madhe janë duke e kryer këta të rinj, ku vërej një organizim enorm dhe komunikim jo të thatë, por me substancë. Sikur t’i kishim pasur edhe politikanët tanë me një çaajw të tillë, Kosova jonë sot do t’i kishte pasur punët shumë më ndryshe.

Por jo, ne ardhmërinë e vendit ua besuam cubave dhe piratëve të buxhetit shtetëror. E këta të njëjtit, me pafytyrësinë e tyre më të madhe edhe pas 20 vjetësh në kohë pandemie, primare i kishin apetitet dhe egot e tyre politike, duke mos votuar buxhet të shtetit, si dhe duke votuar mocion për qeverinë në kohë të pandemisë. E di, ndoshta u jam bërë i mërzitshëm duke ua përsëritur të njëjtat fjalë javë pas jave, por nuk kam se si të mos i përsëris ato kur cubave u interesojnë vetëm karriget, edhe privilegjet, edhe hajnitë e tyre, e populli u shërben vetëm kur të vijë koha t’ua vjelë votat atyre.

Jo, më nuk do të lejojmë një gjë të tillë. Mjaft e keni kullotur jeshil. Tash mund të tentoni të fshiheni mbrapa mburojës, të cilën po ua ofron karantina e njerëzve dhe ju të vazhdoni me makinacionet dhe lojërat e pista tuajat, por edhe kjo pandemi një ditë do të përfundojë (shpresoj sa më lehtë në pasoja për qytetarët e Kosovës), dhe ky popull do të kërkojë llogari nga cubat e tij që sunduan këndej qe 20 vjet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco