Nga ditari i luftës

Nga ditari i luftës

Nga Nga Anton Quni - 09/04/2020

Kemi përjetu shumë momente kritike, por kam zgjedhur të ndaj me ju, ngjarjet e datës 10/11.05.99.

Ishin ditët kur armiku kishte ndërrmarr një operacion kompleks duke i shfrytëzu të gjitha potencialet e veta të luftës.

Me datën 10.05.99, në mbrëmje, njësitet elite të AJ-ës me forcën e një kompanie të paisur dhe maskuar për kushte dimri, tentuan t'na godasin në befasi për ti kapur objektet: Gomure, Maja e Zezë dhe Ujezë të cilat llogariteshin si pozicione fillestare që do të ju mundësonte krahëmarrje dhe gjysëm rrethim të sigurt të forcave tona. Kurse me forcat në drejtimin kryesor kanë llogaritur të asgjësonin forcat tona në objektin Rr.e Koshares dhe kështu në drejtimin ndihmës të kapnin objektin Maja e Kokës.

Beteja do të fillonte në 20.30, me intensitete të ndryshme do të zgjaste deri në mëngjes, në 1500 m lartësi mbidetare, në teren të thyeshëm kodrinor, të zhveshur nga vegjetacioni dhe të mbuluar me 20-30 cm borë.
Ne ndërkaq, me forcat minimale (një togë), duke mos i ekspozuar forcat rezervë dhe armatimin e rëndë, arritëm të mbrojmë pozicionet që kishim zënë.


Goditjen e parë e pranoj kompania e III e FK Delta e komanduar nga Cen Aliçkaj, por që fal paisjeve për vëzhgim dhe shikim natën, lëvizjet e armikut u zbuluan me kohë, por që i lejuam që të zhvillohen në formacion luftarak dhe t'ju afrohen pozicioneve tona deri në 30-50 metra, duke e ditur se serbet ishin të bindur se do të arrinin këtë në befasi të plotë, pa e patur idenë se ne e i kishim zbuluar me kohë.
Pasi ishim afruar tek trupat e tyre në distancën prej të cilës vëreheshin konturat dhe dëgjohej edhe komunikimi, bëmë që ata të gjendeshin nën zjarrin tonë të koncentruar. Sulmi ynë filloi, por megjithë humbjet e para që ju shkaktuam, nuk dukeshin se ishin të befasuar. Kjo fliste se përballë nesh kishim formacione profesionale. Mundoheshin të shfrytëzonin cdo mundësi për mbrojtje dhe maskim dhe kundërpërgjigjeshin me breshëri të shkurtër duke i ndërruar pozicionet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që i vetmi orientim për qitje, për të dy palët, ishte zjarri nga tytat.
Kjo betejë mund të quhej lirisht beteja e hijeve.

Duke parë se nuk po arrinin të dobësonin pozicionet tona, armiku filloi të hapë zjarr edhe nga mortajat 60mm, tromblonat thermusë, raketahedhësit “Osa”90mm dhe “Zolja”64mm.
Por, as kjo nuk po u ndihmonte, sepse njësia e jonë ishte shumë mirë e pozicionuar dhe e fortifikuar. Megjithatë nuk tërhiqeshin, në vazhdimësi tentonin ti pushtonin pozicionet tona duke e kombinur zjarrin me manovër, metodë e cila nuk po ju jipte asnjë rezultat.
Beteja e hijeve do të zgjaste deri në fillimin e mëngjesit.

Me rrezet e para të diellit, arena e luftimeve dukej e tmerrshme!

Në drejtim të pozicioneve të armikut, bora ishte skuqur nga gjaku i të plagosurve dhe të vdekurve, çdo kund mund të vëreheshin fasha dhe gjësende të përgjakura, pako të ndihmës së parë, pjesë të uniformave..etj.
Ndërkohë, në anën tonë shiheshin vetëm njolla të zeza që ishin shkaktuar nga goditjet artilerike.

Ushtria serbe kishte lënë pas edhe shumë paisje luftarake si: raketahedhës, radiolidhje, paisje të vezhgimit, helmeta, tromblona, municion, bomba dore..etj. që fliste për humbjet e mëdha që u kishim shkaktuar njesiteve të tyre elite.
Nga togu i III-të të FK ”Delta” në këtë betejë u plagosën dy ushtarë ndërkohë një përfundoi me pasoja psikike.
Duke qenë të bindur se krahët tanë nuk posedojnë armë anti-blind dhe artileri, serbet nuk kishin llogaritur në asnjë rrethanë që, ne do ti sulmonim në drejtimin kryesor, prandaj, të njëjtin mëngjes, me datë 10.05.99, duke mos e plotësuar detyrën e parë (sigurimin e krahëve), armiku filloi përsëri të na sulmonte fort me goditje të fuqishme artilerike, duke hapur zjarr nga shumë drejtime, prej kalibrave të ndryshëm dhe kryesisht me goditje që ishin të përqendruara mbi pozicionet e batalionit të II-të.

Goditjet ishin të sakta, por pa ndonjë efekt të veçant, sepse ushtarët tanë ishin mirë të fortifikuar.

Duket që kjo i çmendi serbet duke i sjellur ata në situatë të fusnin edhe mundësinë e përdorimit të helmeve kimike si e vetmja mënyrë për dobësimin e vijës tonë të parë. Kjo edhe ndodhi, u hodhën disa predha me mbushje toksike në drejtim tonin..

Fati ynë i madh që në Bataljonin e dytë e kishim oficerin për mbrojtje kimike, biologjike dhe atomike, Milazim Maraj, i cili filloi të jepte menjëherë instruksionet e duhura për mbrojtje adekuate, pasi që kishte indentifikuar tipin e helmeve të përdorura dhe shkallën e kontaminimit.
Të prekurve nga helmet, po ju jepej menjëherë ndihma e parë mjekësore.
Njëri ndër ta ishte dukshëm i lënduar në fytyrë dhe duar, kurse të tjerët kryesisht kishin ngacmime të syve dhe organeve të frymarrjes të përcjellura me reagime emocionale.
Dukej që ishin përdorur, së paku, dy lloje të helmeve. Falë paisjeve adekuate për mbrojtje kimike, ushtarët ishin në gjendje të mbronin pozicionet edhe më tutje. Ishim të sigurt që këmbësoria e armikut nuk do të sulmoi para se shkalla e kontaminimit të zvogëlohej.
Në këtë situatë, po e bënim vlerësimin se ku do mund të përqëndrohej goditja e armikut. Grupi për përgjim elektronik ishte në gatishmërinë më të lartë dhe po zbulonte informata të rëndësishme, falë përgatitjes dhe paisjeve të mira që kishin, arrinin shumë mirë të përgjonin çdo bisedë që zhvillohej nëpërmjet radiolidhjeve, madje ia dolën që të dekodojnë edhe folësin në anën e armikut, kjo edhe përkundër faktit që serbet ishin shumë të disiplinuar në komunikim dhe mundoheshin sa më pak të përdornin radiolidhjet.
Ende pa e përfundu sanimin e goditjeve kimike, mbi ne u paraqiten dy aeroplan MIG-21 dhe filluan me shpejtësi të sulmonin mbi caqet tona, duke goditur fillimisht depon e municionit ku jetën e humbën gjashtë luftëtarët tanë: Ali Hasi, Gani Mehmeti, Naim Arllati, Kreshnik Ademaj, Fatos Ademaj dhe Emin Kryeziu. Gjatë këtij sulmi patëm edhe disa ushtarë të plagosur rëndë.
Për shkak të shpejtësisë së madhe të këtyre aeroplanve (2500km/h) dhe disa vetive të tjera, nuk ishte e zakonshme që këto fluturake të përdoren për goditje ajër-tokë. Nuk kishim ndonjë shpjegim pse serbet po e bënin këtë, përveq se me një tentim që pas goditjeve MIG-at të kenë mundësi t'ju ikin aeroplanëve të NATO-s.
Goditjet ishin shumë të fuqishme, por për fatin tonë depoja mbeti e paprekur. Artileria e armikut për një moment e barti zjarrin në thellësi, që për ne kjo do të thoshte se ky ishte fillimi i sulmit me këmbësori, ndërkohë që nga regjioni i Çabratit godisnin edhe me shumëtytsha.

Nga Rrasa e Koshares, komandanti Fadil Hadergjonaj, lajmëronte për forca të mëdha të armikut të mbështetura me tankse. Po ashtu, në krahun e djathtë ku ishte i pozicionuar bataloni i I-rë, nën komanden e Hysen Berishës, fillojnë luftimet, por me intensitet më të ulët.
Ushtria serbe, dukej që po tentonte që këto forca ti ndërlidhte mes vete.
Në rezervë të Brigadës kishin dy kompani të gatshme për intervenim të shpejt.
Mbi ne ende po fluturonin dy MIG-21 duke kërku cakun e ardhshëm, që dukej të ishte komanda dhe grupi artilerik.

Ishim me fat që këto fluturake nuk kishin aftësi të mira manovruese kështu që ju duhej kohë për tu drejtuar në cakun e ardhshëm.
Në komandë nuk gjindej askush, kurse grupin artilerik ne nuk e kishim të koncentrum në një vend.
Në ato momente, ne po shpresonim dhe luteshim në heshtje që aeroplanët e NATO-s të fillonin të merreshin me ta.

Do të ishte krejt ndryshe sikur edhe ne të posedonim ndonji “Stinger” apo “Strella-2M”..padyshim se me lehtësi do ti godisnim.
Xhemajl Fetahu me telefon satelitor, nëpërmjet kanaleve tona, lajmëronte selinë e NATO-s në Bruksel në lidhje me aktivitetin e MIG-ave dhe pas kësaj shumë shpejtë fluturaket u goditen nga aleatët tanë.

Ishte betejë e madhe edhe për mjekët të cilë po bënin çmos tu dilnin në ndihmë të lënduarve.

Tima dhe Ilirijana për shumë të plagosur, ishin e vetmja shpresë për shpëtim.

Ndërkohë rreth e rrotull nesh, me dhjetëra fotoreporter të huaj po filmonin skenat e të vrarëve dhe të plagosurve të mbetur. Në një moment, i tmerruar dhe emocionuar nga pamjet, ndihmë mjekësore filloi të jep edhe reporteri spanjoll Miguel Gill Moreno.
Afër komandës ishin sjellur shumë luftëtarë të plagosur, disa madje edhe pa gjymtyrë. Nuk më hiqet kurrë nga mendja një ushtar që kishte himbur të dy këmbët, me plagë të hapura në trup, i tëri i përgjakur pash që po i dorzonte shokut të vet ca letra dhe fotografi për t'ia dërguar familjes..
Nga autoparku në Papaj me shpejtësi po arrinin mjetet për transportimin e t’plagosurve për në spitalin e Bajram Currit.

Forcat armiku tash po na godisnin në tërë vijën e frontit e edhe në thellësi po tentonte të bënte çrregullim total në radhët tona duke tentuar madje të na bllokonte edhe komunikimin përmes sulmeve elektronike.

Në këto kushte, e vetmja mundësi për komunikim na mbetej përdorimi i radiolidhjes me program të koduar dhe kurirët, ndërkaq për urgjencë e përdornim edhe një motoçikletë tereni.
Për një moment, ashtu siç edhe e kishim parashikuar, ushtria serbe të gjitha forcat e veta i koncentroi në objektin strategjik, Rrasa e Koshares.
Duke e pasur të qartë rëndësinë e këtij objekti, forcat tona po bënin çmos që ti mbanin pozicionet. Eshte po e njejta hapesire ku me jetë e kishin mbrojtur ne krye te njesive Agim Ramadani dhe Sali Çekaj.

Tanket e armikut, nën masa të mëdha të maskimit, kishin arritur të na afroheshin në dhjetëra metra afër vijës së parë të mbrojtjes. Paraqitja e tankseve në këtë territor të thyeshëm malor na befasoi, prandaj u mor vendim që menjëherë të dërgohet njësia me armatim adekuat për luftë të afërt kundër blindë, detyrë kjo që ju dha Kompanisë së II-të të FK Delta.
Por, për të arritur në vijën e parë, u duheshin së paku dy orë udhëtim dhe atë nën goditjet e pandërprera të artilerisë. Fadil Hadergjonaj po premtonte se do të qëndroi deri në ushtarin e fundit. Mbi istikamin e Abaz Thaqit kaloi tanku T-55 dhe me këtë rast nga predha e tankut u vra Besim Nuka.
Shumë ushtarë serbe po vriteshin, ndër ta edhe oficier të lartë, ndërkohë që po i degjonim duke kërkuar përforcime te reja.

Në këto momente, u urdhërua që të gjitha tytat e artilerisë të koncentrojnë zjarr të fuqishëm në drejtimin operativ 777 (Rrasa e Koshares).

Forcat e këmbësorisë u ndeshen drejtpërsdrejti dhe në luftimet e rrepta nga Batalioni II u vran Izet Beqiraj dhe Xhevdet Loshi.

Për ushtarët tanë, si vend më i sigurt tashmë kishte mbetur vetëm mundësia që të qendrojnë sa më afër tankeve të armikut, pra nën këndin e vdekur ku ata nuk mund të godisnin, ndërkohë që në ajër po shkëmbeheshin predhat e artilerisë së të dyja palëve.

Goditjet tona dukej që ishin shumë më të sakta për shkak të qitjeve direkte. Grupi ynë artilerik i quajtur “Apokalipsa “ përbëhej prej minahedhësve 82;107;120 dhe 160 mm me rreze veprimi deri në 8 kilometra.
Serbet në dispozicion kishin më shumë grupe artilerike, por më aktivet ishin “Vullkan” dhe “Orkan” që për fat tonë qitjet i bënin në mënyrë indirekte.

Por ne ishim të sigurt në fitore. Kishim besim në ushtarët tanë që poashtu besonin tek ne. Në ato momente, për të gjithë ne ishte kruciale që të qëndronim, qoftë edhe një minut më shumë se armiku.
Për çfarë do lloj befasie apo urgjence në forcat rezervë, ne posedonim një ndër njësitë më të pregatitura, që ishte kompania e I-rë e FK-Delta.
Me gjithë epërsinë e armikut në numër dhe teknik, ishte diçka që më fasciononte, fakti se nuk vëreja asnjë shenjë paniku apo nervoze tek ushtarët, të gjithë ishin në nivel të detyrës.

Na gëzonte lajmi që erdji nga grupi ynë i përgjimit i cili tregonte se armiku kishte filluar të shfaqte shqetësim dhe se nuk po arrinin të perceptonin qëndrushmërinë e forcave tona.
Deri sa po afrohej mesdita, djemt tanë të logjistikës, pandërprerë po e furnizonin vijën e parë të frontit me municion dhe predha, disa prej tyre të entuziazmuar u kyqen në luftime. Ishte koha që edhe ne të kundërpërgjigjeshim me ndonjë befasi. Duke pasur parasysh që trupat armike kishin arritur që vetëm me tanke të depërtojnë në vijën e parë të mbrojtjes, Fadil Hadergjonaj kërkon nga kompania e III-të e FK-Delta në krahun e majtë që të poziciononte armatimin kundër blind ( top-75mm) dhe të fillohej menjëherë me goditje.
Goditjet precize që po bëshehish u arrite të shkaktohej befasi e plotë te armiku qe po sulmohej nga krahu duke bërë që këmbësorinë t'ja ndajmë nga tanket. Një tank e paaftësuam dhe disa të tjerë i lamë pa ekuipazh të plotë.

Në momentin e duhur në drejtimin 777 arriti Kompania e II-të FK- Delta e udhëhequr nga Naim Dashi që u vu nën komanden e F.Hadergjonaj.

Ishin këto momente kur morëm signale se armikun e kishte kapluar paniku nga hubjet e madhe. Dëgjoheshin duke kërkuar ndihmë, mbështetje dhe instruksione tjera..

Nga ana jonë erdhi vlerësimi se ky është momenti për kundërsulëm. Ashtu edhe ndodhi, forcat tona po rigrupoheshin për të kaluar në kundërsulm të bashkërenditur me zjarr të artilerisë.

Ushtria serbe pas një kohe kërkoi leje për tërheqje që nuk u miratua nga ne. Snajperistët mundoheshin të bënin rezistencë, por edhe ata pas një kohe u eliminuan.
Nga ana e jonë u vra edhe Nikoll Dodaj.

Njësitë e armikut filluan të mos përfillin më eproret e vet, ushtarët e tyre po iknin kah mundeshin..
Në përgjimet tona, dëgjonim komunikimin vullgar e plotë mllef që bënin mes vete. Kishin humbur radhitjen dhe orientimin. Disa prej tyre po binin në fusha të minuara të cilat vetë i kishin vendosur.
Ishte ky momenti kur forcat tona kalojnë në ndjekje, por gjithnjë duke qenë të kujdesshëm që mos të biejnë në ndonjë grackë.
Shihej qartë tashmë se Komanda e njësive të armikut nuk kishte llogaritur në dështim të sulmit në drejtimin kryesor, në drejtimin ndihmës si duket kishin parapar që të asgjësonin Batalionin tonë të I-rë në objektin Maja e Kokës dhe nga ato pozicione pastaj të bënin asgjësimin e forcave tona të cilat do të gjendeshin në rrethim, të pozicionuara në fshatin Koshare dhe përreth karaulles.

Në këto vende, pozicionet i kishin zënë bat.III dhe IV të komanduara nga Skender Rexhahmetaj dhe Pren Marashi.

Serbet tash ishin në hamendje për vazhdimin e operacionit. Ata e dinin se do të ishte vetëvrasje të vazhdohej operacioni pa u pushtu Rrasa e Koshares dhe duke patur parasysh se përball kishin batalionet tona të fuqishme të cilat sapo u kishin përgjysmuar shumë njësi.
Dukej që asnjë ushtar i armikut nuk kishte vullnet të linte kokën te Maja e Kokës kështu që pasdite vonë të gjitha njësitet e armikut filluan të tërhiqen.

Ishte kjo fitorja e jonë e madhe.

Komandanti i GO-3 Rrustem Berisha me anë te radiolidhjes po i përgëzonte të gjithë komandantët e njësive dhe luftëtarët e ne po e uronim për udhëheqje të shkëlqyeshme të operacionit.
Në mbrëmje filluam pregatitjet për funeralin e shokëve tanë të vrarë.
Nuk kishim dyshime asnjëherë se, të mbijetuarit do ta mbanin në mend tërë jetën e tyre tmerrin e Koshares.

Për koincidencë po këtë ditë, SHP i UÇK-ës, GO-3 e emërtoi Brigadën 138” me emrin e Agim Ramadanit..

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco