Tri argumente kyç për Qeveri të re edhe pse nuk janë valide

Tri argumente kyç për Qeveri të re edhe pse nuk janë valide

Nga Veton Surroi - 08/04/2020

1.

Prej votës së suksesshme të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës janë ndërtuar tri argumente kyç pse duhet një qeveri e re, e sajuar nga përbërja e tanishme e Kuvendit të Kosovës. Argumentet, në formë të shkurtuar, po i quajmë Dialogu, COVID-19 dhe 82-shi.

Argumenti i parë, Dialogu, u ndërtua me një rrëfim, i cili pak a shumë shkon kështu: është e gatshme apo pothuaj e gatshme një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të nënshkruhet në Washington, por për ta bërë atë duhet hequr taksën e të mos vendoset reciprociteti këtë të premte, të merren tri këmisha me vete për udhëtim në Washington e aty të nënshkruhet marrëveshja të martën a të mërkurën e ardhshme. Ky rrëfim pastaj degjeneroi në debatin se kush është më shumë e kush më pak i dëgjueshëm ndaj Amerikës, kush e do më shumë e kush më pak dhe pse duhet dashur Amerikën e jo Evropën. Lista për degjenerim të mëtejmë të rrëfimit mund të jetë më e gjatë, siç është në natyrën, zaten, të rrëfimeve.

Tash, pas votës së mosbesimit, argumenti i Dialogut vazhdon me insistimin që nga kjo përbërje e Kuvendit të formohet një Qeveri e re (qoftë e Unitetit, qoftë me përbërje tjetër prej kësaj në detyrë) që do të merrej me negociatat me Serbinë.

Ky argument ka pak gjasa të fitojë mbështetje bonsensi. Negociatat me Serbinë, dhe çdo gjë tjetër sot në botë, varen prej pandemisë COVID-19. Është kriza më e madhe botërore pas Luftës së Dytë Botërore dhe ende nuk dihet se çfarë do të jetë rrjedha - kur do të dilet nga karantina, me çfarë humbjesh në jetë njerëzish, çfarë kosto në ekonomi, çfarë kosto sociale, çfarë kosto në dobësimin e institucioneve shtetërore e organizatave ndërkombëtare. Nga kjo perspektivë formula “heqim taksën të premten, nënshkruajmë marrëveshjen të mërkurën” tejkalon naivitetin e komiken dhe ka kaluar tashmë prej kohësh në vulgaritet e ofendim.

E vështirë është që ky argument, i Dialogut, të jetë bindës për qytetarët e Kosovës. E vështirë është të jetë bindës edhe për diplomatë amerikanë e evropianë. Është e vështirë për të gjithë në kuptimin logjik: është dashur të prishej një koalicion në mënyrë që të bëhet një koalicion tjetër - më i gjerë apo më i besueshëm - që të merret me negociata të paqena në kohë pandemie? Dhe të kërkojë besimin e të gjithë kosovarëve?

2.

Argumenti i dytë që po ofrohet është se duhet formuar një Qeveri të re (nga përbërja e tanishme e Kuvendit) në mënyrë që të luftohet kriza COVID-19. Ky argument është vështirë i kapshëm për logjikën, fillimisht ngase luftimi i krizës COVID-19 në Kosovë është më i suksesshmi në regjion dhe shembullor për shumë vende të Evropës, marrë parasysh se është vendi më i varfër dhe me kapacitete më të ulëta mjekësore në nivel kontinenti. Bashkimi Evropian sapo ka hapur qesen prej 160 milionë eurosh në dispozicion për Qeverinë në detyrë, për muajt e ardhshëm. Pra, përse do të duhej ndërruar kalin, siç do të thoshte Abraham Lincoln, kur je duke e kapërcyer lumin?

Për më tepër, futja e opozitës në Qeveri do të nënkuptonte se opozita ka forca të fshehta luftimi kundër COVID-19, të cilat Qeveria e tanishme nuk i ka. Por koronavirusi nuk njeh as pushtet e as opozitë. Në fakt, sulmon aty ku qeverisja mund t’i japë hapësirë. Njëra prej vatrave më të mëdha të shpërndarjes së virusit është sot Malisheva, komunë ku në pushtet është një parti opozitare, NISMA. Një pjesë e madhe e shpërndarjes së virusit i bie hise pushtetit komunal, i cili ka në duar kompetenca administrative dhe legjitimitet politik për të vendosur regjim të distancimit social, por, sipas rezultateve, nuk është treguar i aftë për ta bërë. Me çfarë freskie do të hynte Nisma Socialdemokrate në atë Qeveri të unitetit të ndërtuar për të luftuar krizën COVID-19 ?

3.

Dhe, argumenti i tretë është ai i quajtur 82-shi, sipas numrit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që votuan mosbesimin ndaj Qeverisë.

Për dallim prej dy argumenteve të tjera, ky është më i qëndrueshmi. Pra, ndërsa ai i Dialogut dhe COVID-19 nuk e kalonte testin e konfrontimit logjik, ky ka tërë logjikën brenda numrit. Fakti se 82 deputetë rrëzuan një Qeveri është argument bindës se ata kanë forcë të mjaftueshme parlamentare për ta krijuar një Qeveri tjetër.

Por, ky argument nuk mund të lexohet pa argumente të tjera. Nëse Dialogu nuk qenka urgjencë por qenka COVID-19, të cilën krizë Qeveria në detyrë po e lufton me sukses, cili qenka shtytësi kryesor për “ndërrim kali “ të Abraham Lincolnit, mu në mes të krizës më të madhe botërore?

Shtytësi mund të jetë dëshira për pushtet. Dhe ky është një objektiv legjitim. Por, nëse është kështu atëherë edhe problemi do ridefinuar. Pra dashka ndryshim pushteti, sepse forcat politike që janë të përfaqësuara në Kuvend me 82 deputetë duan ta sajojnë Qeverinë tjetër.

Dhe, për ta sajuar Qeverinë tjetër, disa, shumica apo të gjitha partitë (shqiptare) të përfshira në këtë numër prej 82 janë angazhuar në veprime që duhet të legjitimojnë synimin e tyre. Në tri javët e kaluara është ndërmarrë thirrje dhe fushatë për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, presidenti i vendit i cili kërkon Qeveri të re ka bërë ftesë për rezistencë ndaj vendimeve të Qeverisë dhe së fundmi që të gjitha partitë shqiptare që synojnë Qeveri të re kanë protestuar ndaj vendosjes së dy komunave me shumicë serbe në karantinë, me arsyetimin se në formën si është bërë dëmton sovranitetin e vendit. Euforia që për pak momente u krijua nga këto parti dhe medie të afërta me to i përngjante nxitjes për konflikt në mars të vitit 2004, të bëra kryesisht nga televizioni publik dhe medie të tjera të afërta me organizatën e udhëhequr nga presidenti i tanishëm.

Pra, në fund formula legjitimuese është ose do të ketë Qeveri të re, ose do të destabilizohet Kosova. Gjegjësisht, për të qenë besnik dhe kurajoz në përcaktim të formulës do të ishte ose do ta bëjmë Qeverinë, ose do ta detabilizojmë vendin.

4.

Kërcënimi me destabilizim të vendit (me gjendje të jashtëzakonshme, nxitje të konflikteve etnike apo thirrje për insubordinim të policisë) nuk janë të panjohura në veprimin e partive politike. Puna është se a ka legjitimitet të mjaftueshëm moral një ndërmarrje e tillë, apo madje a është fare e mençur për interesa të partive që të lozësh politikash në kohë të kësaj krize botërore. Se a është e mençur apo jo, ky është një vendim që u përket vetëm partive, ky është një risk në të cilin sovranitet kanë vetëm ato. Ndërsa, tek legjitimiteti i mjaftueshëm moral nuk besoj të ketë vend në botë ku do të pinte ujë arsyetimi “ose unë e marr pushtetin, ose e destabilizoj vendin”. Jo vetëm në politikë, kjo quhet kërcënim. E kërcënimi nuk mbështetet mbi grumbullim të legjitimitetit; kërcënimi është legjitimitet me detyrim, me dhunë. Ky quhet argument i forcës.

Në këso gjendjeje mbetet vetëm legaliteti. Në zgjidhjet kushtetuese që i ka Kosova, Qeveria në detyrë mund të zëvendësohet nga një Qeveri tjetër, e votuar nga përbërja e tanishme e Kuvendit vetëm nëse për këtë e jep pëlqimi LVV si parti fituese. Ndërkaq, LVV ka të drejtë ta mbajë Qeverinë në detyrë derisa të zgjidhet një përbërje e re e Kuvendit nga e cila del një Qeveri tjetër. Pra, ka të drejtë të jetë në detyrë deri në zgjedhje parlamentare.

Ky quhet ngërç politik dhe ditët në vijim do të jenë ditët e përjetimit të tij në kohën kur ekziston një ngërç shumë më i madh dhe i rëndësishëm që ka kapluar tërë botën, ai i krizës COVID-19.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco