Mësimi i dytë: telefoni nuk është shkollë

Mësimi i dytë: telefoni nuk është shkollë

Nga Veton Surroi - 08/04/2020

Sot ishim në ZOOM, aplikacion që mundëson konferenca virtuale. Paradite ishin djemtë e mi, njëri me mësuesen dhe shokët e klasës e tjetri me mësuesin dhe shokët e klasës. 

Pasdite isha unë në një seminar interneti në Universitetin e Pennsylvanias (Webinar quhet tash togfjalëshi në anglisht), ku folës kryesor qe njëri prej ekspertëve më të njohur amerikanë të shëndetit publik dhe ish-këshilltar i presidentit Obama, dr.Ezekiel “Zeke” Emanuel. Djemtë ushtruan mësimin e ditës në matematikë dhe gjuhë shqipe; morën edhe në email detyra për të zgjidhur në lëndë të tjera. Unë kisha një mësim të shkurtër për atë çka na pret. 

 

Sipas dr. Emanuel, krizën e tanishme COVID-19 duhet ta shikojmë si krizë 18-muajshe. Për t’u kthyer në normalitet, në gjendjen çfarë ishim para pandemisë, botës do t’i duhet vaksina, e ajo nuk do të jetë e gatshme së paku deri në korrik a gusht, a shtator të vitit 2021. Nuk do të ndihmojnë shumë as vera dhe moti i ngrohtë, ngaqë, siç shihet, ka virus në vende me mot të ngrohtë si Singapori, Egjipti e Australia. 

Dhe ndonëse dikur do të zbresë lakorja e infeksioneve në shtetet tona dhe do të fillojmë të dalim gradualisht nga karantina, pas valës së parë të infeksioneve pason vala e dytë, ndoshta jo kaq e fuqishme, por që do të kërkojë rikthim të masave më drastike të distancimit social. 

2. 

 

Mësimet tona në ZOOM u ndërlidhën. Nëse mbesin të qëndrojnë konstatimet e dr. Emanuelit, atëherë duhet të mësohemi me “normalitetin e ri”. E normaliteti i ri është që ka gjasa që fëmijët tanë të mos kthehen për një kohë të gjatë në rregullin mësimor që e kemi pasur deri në shfaqjen e pandemisë, ose të hyjnë e të dalin nëpër karantinë të herëpashershme.  

Për dallim prej shteteve të tjera evropiane, ky dimension e prek Kosovën më shumë me strukturën e popullsisë që ka , meqë kemi të bëjmë me 320 mijë nxënës, me mësuesit dhe prindërit e tyre. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco