I dashur Besnik Mustafaj, këtu nuk ndodh asgjë!

I dashur Besnik Mustafaj, këtu nuk ndodh asgjë!

Nga Agron Gjekmarkaj - 07/04/2020

Lexova me vëmendje dhe me po kaq trishtim shkrimin e Besnik Mustafajt, “Krimi po ndodh në Kapshticë” për dramën, e cila po konsumohet në tokën neutrale mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku rreth 60 shqiptarë, nga dita e premte, mbahen aty në kushte çnjerëzore nga qeveria e tyre, e cila nuk i lejoi të kthehen në shtëpi deri sot, kur nga presioni mori vendimin t’i fusë në karantinë për 14 ditë.

E padëgjuar dhe e paprecedent!

E vetmja shpresë që ata njerëz të tradhtuar në besimin minimal që individi ka ndaj shtetit të vet, të dhunuar në të drejtat e njeriut, që të gjejnë drejtësi mbetet Gjykata e Hagës, sepse drejtësia e vjetër, e cila po ikën e dëbuar nga Kryeministri dhe e reja që po lind në prehrin e tij, nuk do të japin kurrë një vendim pro qytetarëve dhe kundër kreut të ekzekutivit.

Mbase të gëzuar që po u lejohet të kthehen në vendin e tyre, do t’i kaplojë harresa, kjo karakteristikë kombëtare.

Shkrimtari dhe ish-ministri i Jashtëm, i cili, me një akt dinjiteti të pazakontë, pat dalë nga skena e pushtetit në vitin 2007 kur partia e tij ishte në apogje, duke e braktisur atë në emër të dinjitetit personal, kur në përgjithësi këtu durohet çdo poshtërim, bëhet çdo servilizëm, braktiset çdo kod, realizohet me sukses çdo vetëposhtërim për një karrige, ende beson se mes nesh mund të ndodhë diçka pozitive, habitet për shoqatat dhe komitetet që nuk reagojnë, të cilat në masë mbresëlënëse janë bërë si oturak i qeverisë.

Problemi është se shoqatat e komitetet e shumta në këtë vend nuk është se kanë ndonjë princip, ato kanë vetëm projekte, të cilat u çojnë para në shtëpi! Seminaret, konferencat, botimet e tyre atë synim kanë. Ata aplikojnë pranë institucioneve shtetërore dhe kjo është arsye e mjaftueshme për të mbyllur gojën. Kapja kapilare po funksionon me përsosmëri që meriton zili.

Ndryshe nga Besniku, ndonëse pa përvojën e tij, besoj që këtu ndodh gjithçka e në të njëjtën kohë nuk ndodh asgjë. Interesi dhe frika e reagimit mbizotëron mbi çdo bindje apo parim. Rama, në rastin konkret, pa e thënë troç, i lë ata shqiptarë atje (midis dy qytetërimeve), duke i konsideruar si sjellësit e fatkeqësisë, duke luajtur me frikën, çoroditjen dhe trullosjen e pjesës tjetër këndej kufirit, e cila, e përzhitur në hallet e veta, nuk duron më shumë trazim.

Kësisoj, merr pozat e mbrojtësit të shumicës. Ai, si ekspert i pakonkurrueshëm i fushës, menaxhon me cilësi të lartë veset e shoqërisë, grupit politik, individëve, duke spikatur në këtë kohë pandemie më shumë se kurrë, e cila i dha mundësi të ndërtojë utopinë e tij për shtetin ideal, “qytetin e tij të diellit”!

Nëse ata bashkëkombës në Kapshticë do të ishin oligarkë, përfitues PPP-sh, familjarë qeveritarësh apo grupe interesi pranë saj, nuk do të liheshin aty asnjë minutë. Problem tragjik është si është ndërtuar gjithë zinxhiri i funksionimit të shtetit me mekanizmat e organizmat e shoqërisë. Në tendosje si kjo, ndryshku i tij na bie mbi dritën e syve dhe na e shkim krejt atë. Përtej profesioneve që kryejnë, disa sillen si sekserë të pushtetit, disa të kapur nga tenderët, projektet, nga mundësitë, vendet e punës dhe shantazhi, një pjesë bëhen propagandistë të zellshëm, të tjerë për inerci, shumë heshtin e kthejnë fesin mbi krye. Në majë të shumicës së institucioneve në vendin tonë, askush nuk është në sajë të një cv-je bindëse, të një profili publik profesional apo vlerave qytetare që ia njeh komuniteti për të tilla. Ata gjenden aty në sajë të rekrutimit për vese të caktuara dhe fjalorit të cungët e me gunga që i karakterizon. Kushtetuta dhe ligji trajtohen si prostituta plaka. Në këtë kohë pandemie, Kryeministri ynë po shfrytëzon çdo ekran vetëm për të ngritur kultin e individit shpëtimtar. Ai beson symbyllazi që shqiptari merr vesh vetme me kopaçe. Mbase ka të drejtë!

Ai dje bëri të pabërën, nxori në mënyrë hipotetike, thjesht një përrallë, një sondazh, sipas të cilit sa do të ishte numri i të prekurve dhe i vdekjeve pa mbylljen në shtëpi, masë kjo që po e ndërmerr gjithë bota nga halli, pa kurrfarë krenarie. Pra, të gjithë ata që nuk kanë vdekur dhe nuk janë sëmurur, duhet t’ia dinë për nder Shën Ramës.

Fatkeqësitë natyrore, tërmeti, koronavirusi, janë shndërruar në një aleat për Qeverinë, e cila ku mundësi të pafundme të abuzojë, të manipulojë me dështimet e veta, ta ekzagjerojë me frikën e të tjerëve, ta shtrijë papërgjeshmërinë dhe abuzimin me liritë deri në caqe të paimagjinueshme, që e bën pa iu dridhur qerpiku.

Së fundmi vihet re një përpjekje për të fyer dhe fajësuar Shkodrën për rastet e shtuara të koronavirusit në atë qytet dhe kryebashkiaken, këtë personazh luftarak të opozitës, më shumë të tillë se mjaft burra dhe gra të saj që bëjnë monolog në Tiranë, Voltana Ademin, në tabelë qitjeje të kësaj furie propagandistike, e cila nuk ka synim ndihmën, por krijimin e një demoni, që të tjerët nga divani ku shohin televizor të gjuajnë gurët virtualë anembanë Shqipërisë.

Aty, matrahulët belbacakë të pushtetit u shfaqen me fytyrat e veta mbuluar me pëlhurë, të cilat, në fakt, janë vetëm maska të Edi Ramës.

Trashësia e gënjeshtrave dhe e abuzimit në kohë të keqe vetëm u dendësuaka. Kjo urdi virusesh nuk na rrezikon vetëm shëndetin dhe ekonominë, por ajo përforcon bindjen se asgjë e mirë nuk do të ndodhë në këtë vend në raport me shpresat tona për standarde të më të fisme politike e shoqërore.

Madje, ajo, edhe opozitës, e cila mund të konsiderohet si i vetmi iluzion për ndryshim, i jep mundësinë të përforcojë e justifikojë hezitimet e veta për të mos e ndryshuar lëndën njerëzorë veshtullore e mediokre, që e mbështjell, me të cilën e ka jetike ndarjen, përtej propozimeve dhe përpjekjeve tejet pozitive të Lulzim Bashës gjatë kësaj krize. Kështu, sëmundja vjen dy herë: si fatkeqësi për shoqërinë dhe si një mundësi për politikën për të justifikuar veset e veta edhe për disa vjet.

Unë bie dakord me Mustafajn që në Kapshticë u konsumua një krim e nëse duam edhe gjenocid përtej vendimit të sotëm, por, nga ana tjetër, droja se këtu ndodh çdo gjë e nuk ndryshon asgjë më përforcohet derisa të kryhet eksperimenti unik që të ikë i gjithë populli se gjysma ia ka mbathur dhe të ndërtohet Republika e Politikës së Shqiptarëve dhe e Batakçinjve rreth saj si rast sui generis, siç jemi prej 108 vitesh për botën e qytetëruar. Problemet që zgjidh shoqëria, nuk i zgjidh dot drejtësia. Ajo përcakton natyrën e drejtësisë dhe politikës që dëshiron. Shoqëria po e lejon Edi Ramën ta kryejë krimin në Kapshticë dhe pastaj të sillet si shpëtimtar i tyre.

/Panorama.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco