COVID-19, pandemia që po e ndryshon edhe Kosovën

COVID-19, pandemia që po e ndryshon edhe Kosovën

Nga Syri.net Kosova - 07/04/2020

Nuk ka vend tjetër në botë, ku qeveria sulmohet egërsisht si në Kosovë, në këto rrethana të jashtëzakonshme, kur njerëzit luftojnë për mbijetesë me një armik të padukshëm, që e ka mbyllur botën dhe i ka stërmbushur spitalet.

Kriza shëndetësore, humanitare e ekonomike, keqpërdoret për sulme të ashpra politike duke filluar nga kreu i Republikës, i cili do të duhej të ishte mbi palët dhe përfaqësues i unitetit.

Imagjinoni se çfarë na kanë bërë ky soj politikanësh qe dy dekada!

Për më pak se dy muaj, një qeveri nuk mund ta gjykosh, sepse nuk ke edhe çfarë të matësh saktësisht. Disa veprime fillestare ishin inkurajuese në drejtim të çkapjes së shtetit, por mocioni i mosbesimit e goditi vullnetin e qindra mijëra votuesve për një ndryshim rrënjësor në Kosovë.

Përhapja e COVID-19 edhe në vendin tonë, nxiti përveç masave të autoriteteve për të penguar shpërndarjen e virusit vdekjeprurës, edhe një betejë të paparë politike. Jemi shteti i vetëm në botë, me siguri, që çdo mbrëmje debatojmë për politikë, për rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një tjetre, për zgjedhjet e reja dhe gjithfarë marifetesh partiake.

Aspak për t’u befasuar, në krye të kësaj sage që po ia dyfishon mundimit shoqërisë kosovare, qëndron si gjithnjë, ai, të cilit më së shumti i shkon këto ditë përshkrimi - gjarpri.

Opinioni dhe politika janë ndarë në dysh, njëra pjesë me Hashim Thaçin&CO e pjesa tjetër me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen. Garda e vjetër po përpiqet të shpëtojë privilegjet, të vazhdojë abuzimet, duke menduar se po u bënë bashkë në Kuvend, kjo është punë e kryer.

Presidenti me këmbëngulje kërkon qeveri të re, nga ata që humbën zgjedhjet, ndërsa e injoron në vazhdimësi fituesin e tyre. Në secilin rast që i vjen, edhe pasi ia doli ta shkarkonte, e sulmon kryeministrin në detyrë, duke e fajësuar për menaxhim të keq të pandemisë.

Tërë Kosova e di se edhe pse me një shëndetësi të stërkequr, qeveria po bën një punë të admirueshme.

Ironia shkon deri aty sa, Hashim Thaçi pasi e shan Kurtin, e lavdëron partnerin e tij në planin monstruoz për ndarjen e Kosovës, Edi Ramën, për menaxhim të mirë të situatës, edhe pse është e mjerueshme mënyra se si kryeministri i Shqipërisë, po reagon në parandalimin e përhapjes së virusit.

Pandemia po shkakton pasoja dramatike ekonomike, por gjithashtu do të ketë efekte edhe në politikën tonë. Kosova nuk do të jetë më e njëjta dhe njerëzit do të reflektojnë, kur rreziku të ikë dhe më në fund, të ndihemi të lirë për të lëvizur e për të punuar.

Njerëzit do të maten mirë kur të shkojnë te kutia e votimit. Ata që paturpësisht dhe pa kurrfarë argument, e zhytën Republikën në një krizë të dyfishtë, nuk mund ta kenë më besimin e askujt për të qeverisur.

PAN-i dhe LDK e akuzuan VV-në për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, një vendim që buron jo vetëm nga një zotim elektoral, program qeveritar, por nga Kushtetuta dhe ligjet. Kundërshtarët dhe partneri e quajtën anti-amerikan kryeministrin.

Si t’i quajmë tani këta që kërkojnë nënshtrimin e Kosovës ndaj Serbisë, heqjen e reciprocitetit, kur një gjë të tillë e kërkon edhe Rusia? T’u themi pro-rusë?

Kulmin, marrëzia politike kosovare në kohën e koronavirusit, e mbërriti me veriun. Serbia, Kosovën e ka ende pjesë të kushtetutës së saj. Gjatë këtyrë 20 viteve, strukturat paralele kanë funksionuar dhe nuk janë shuar edhe pas marrëveshjeve të Brukselit.

Opozita që ka përgjegjësinë e saj kryesore për situatën në veri, u hodh në fushatë akuzuese kundër qeverisë në detyrë, sepse lejoi disa mjekë e infermierë nga Serbia që t’i vinin në ndihmë komunitetit serb atje.

Thaçi&CO u përpoqën përmes propagandës së mediave që i kontrollojnë, ta paraqesin si një agresion të Serbisë ndaj Kosovës, duke nxitur kështu tensione të panevojshme, por të qëllimshme.

Në intervistën e radhës, mbështetësi i flaktë i pazarit territorial në kurriz të Kosovës, nuk e fshehu “idealin” e tij për bashkangjitjen e Luginës. Presidenti nuk ka hequr dorë nga ndarja, pavarësisht që e mohon kategorikisht kohëve të fundit.

Një herë thotë se nuk ka plan, pastaj e pohon se e ftoi Kurtin të shkojnë ta përmbyllin marrëveshjen. Ka apo nuk ka tani?

Shfrytëzimi politik i pandemisë, do të mbahet mend për një kohë të gjatë nga kosovarët. Këtë e kanë kuptuar edhe vetë autorët dhe mbështetësit e mocionit të mosbesimit.

Prandaj, nuk duan zgjedhje, por qeveri në tavolinë me çdo kusht. Ata edhe munden ta bëjnë me ndihmën e Thaçit, por debakli zgjedhor edhe më i fortë do të jetë pastaj.

Kosova pas pandemisë do të jetë dukshëm më ndryshe. Njerëzit do të tregohen më të kujdesshëm, jo thjesht se kujt ia shtrëngojnë dorën.

Nuk mund ta kenë më besimin e sovranit, rrënuesit e një shprese në kulmin e krizës më të madhe që ka njohur bota që nga Lufta e Dytë Botërore.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco