Buka e paardhur dhe doktrina Bolton

Buka e paardhur dhe doktrina Bolton

Nga Veton Surroi - 06/04/2020

1.

Dallimi mes bukës së ardhur apo të paardhur, të bukës së përgatitur me tharm apo pa të, është njëri prej dallimeve doktrinare që mbijeton te njerëzimi për gati njëmijë vjet. Ky është njëri prej tri dallimeve të Skizmës së madhe, që ndau Kishën në atë të Perëndimit (Katolike) dhe të Lindjes (asaj që sot njohim si Ortodokse). Dhe kjo gjë ka lidhje me krizën e tanishme politike në Kosovë, që në një moment mori dimensionin ndarës në një interpretim banal mbi atë se kush është i dëgjueshëm apo jo ndaj Amerikës.

Për shumicën e njerëzve nuk ka ndonjë rëndësi se çfarë duhet të jetë buka ceremoniale, e ardhur apo jo, por njëherë e inicuar si debat doktrinar, bëhet çështje që merr domethënie parësore. Nuk kam ndërmend të shpjegoj punën e bukës - është një shpjegim i gjatë teologjik dhe nuk i hyn në punë shkrimit, por do të përqëndrohem se si një debat doktrinar, i cili e ka origjinën krejt dikund tjetër, u spostua si skizmë, si ndarje politike në Kosovë.

Origjina e debatit doktrinar mund të identifikohet me ardhjen e John Boltonit në Shtëpinë e Bardhë si Këshilltar për Siguri Kombëtare. Për një shumicë njerëzish në Kosovë ai tashmë njihet si njëri prej kundërshtuesve të pavarësisë së Kosovës - një raritet në mendimin politik amerikan, konservator a liberal. Me këtë prapavijë ishte e kuptueshme që Serbia konsideroi, për herë të parë në tridhjetë vjet, se mund të llogariste në vesh simpatie në Washington për qëndrimet e veta. Dhe mund të ketë qenë koincidencë apo jo që njëri prej qëndrimeve më konsistente të Serbisë, të formuluar nga Dobrica Qosiq mbi ndarjen e Kosovës dhe këmbim territoresh për herë të parë të mos jetë refuzuar nga administrata amerikane. Zoti Bolton për herë të parë kaloi diçka që ishte vijë e kuqe në politikën e jashtme amerikane në Ballkan, atë të këmbimeve territoriale mes Kosovës dhe Serbisë, kur u pyet për këtë si mundësi më 2018:

“Mosmarrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga çështjet më të rëndësishme. Shumë njerëz kanë tentuar të ndërmjetësojnë. Këto përpjekje kanë dështuar (…). Mirëpo, unë mendoj se ka shenja të reja se të dyja qeveritë mund të kenë vullnet për të negociuar këtë çështje në heshtje. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon neve”.

2.

Për mbledhësit e simboleve duhet zgjeruar kontekstin edhe pak. Nuk ishte vetëm deklarimi i parë i këtillë amerikan për Ballkanin, duke lejuar ndryshime kufijsh të vendeve në konflikt. Ishte deklarimi i parë i këtillë për një hapësirë evropiane pas vitit 1945. Politika amerikane prej vitit 1945 deri më 2018 insistoi që kufijtë të mos ndryshohen, por ato të shkrihen mes shteteve - BE-ja është produkt i një politike të këtillë amerikane. Dhe, ky deklarim u dha në Kijev të Ukrainës, në një shtet de facto të ndarë, me “konflikt të ngrirë”.

Pra, prej vitit 2018, presidenti i Serbisë ka mundur të konsiderojë se nuk ekziston pengesë amerikane nëse mund të merret vesh me presidentin e Kosovës. Këtë, me formulim të ngjashëm e ka kuptuar prej ndërmjetëses evropiane, Mogherini, e cila përsëriti formulë të ngjashme. Dhe këtë në shpjegime të ndryshme (komunat e veriut si dhuratë e Rankoviqit, këmbejmë metër për metër) u kuptua edhe nga dekarimet e presidentit të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco