Dalja nga kriza

Dalja nga kriza

Nga Agron Bajrami - 05/04/2020

Çkado që të ndodhë tani, kur pandemia të ketë kaluar, Kosova do të ketë nevojë për zgjedhje të reja që do të prodhojnë një Parlament të ri dhe një fitues zgjedhor, i cili do të duhet të krijojë një shumicë parlamentare të re, e cila më pas, diku në pranverën e vitit të ardhshëm, do të mund të zgjedhë një president të ri. Vetëm kështu do të mund të dilet nga kriza...

Kriza e fundit politike, e nxitur përmes mocionit të mosbesimit të Qeverisë në kohën e pandemisë COVID-19, nuk duket se do të zgjidhet lehtë dhe shpejt. Palë të ndryshme nga anë të ndryshme të barrikadave politike, e shohin zgjidhjen në mënyra të ndryshme, të kundërta me njëra-tjetrën.

Qeveria Kurti në detyrë thotë se rrugëdalja nga kriza është vetëm në shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme. Presidenti dhe partitë e tjera parlamentare nuk i preferojnë zgjedhjet dhe kërkojnë që ose partia që fitoi zgjedhjet e fundit, Vetëvendosja, të gjejë partnerë për të krijuar një shumicë të re parlamentare ose të lëshojë rrugë që të krijohet një shumicë tjetër parlametare pa fituesin e zgjedhjeve.

Në këtë frymë kaloi edhe java e fundit – me presidentin që organizoi konsultime (të kontestuara) politike dhe ia ofroi mandatin Vetëvendosjes, e cila tani nuk ka ndonjë afat për të propozuar mandatirin, por që çdo ditë e më tepër do të përballet me presionin politik që të pranojë disfatën dhe të dorëzojë mandatin te presidenti, ashtu që mundësia e krijimit të qeverisë t’i kalohet partisë së dytë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila edhe inicoi rrëzimin e Qeverisë ku vetë bënte pjesë.

E gjithë kjo ndodhi në një ambient ku Kurti, si kryeministër i rrëzuar në kohën kur ballafaqohej me koronavirusin vdekjeprurës, përfiton simpatinë e publikut, i cili nuk arrin ta kuptojë dot se pse LDK-ja dhe opozita nuk mund të prisnin edhe pak javë apo muaj, deri sa të kalojë kërcënimi fatal i pandemisë. Në këtë skenë, tani do të zhvillohet akti i radhës i krizës politike – akti kushtetuese
 

* * *

Ekspertë të ndryshëm kanë folur këto ditë. Kanë folur edhe më shumë analistë laikë e politikanë të mëdhenj e të vegjël, që të gjithë me interesa shumë personale që ndikohen nga fakti se kush do të jetë e kush jo në Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Folën dhe thanë shumëçka, dhe publiku zor se e kuptoi se cila është rruga që përshkruan Kushtetuta, meqë dikush tha se duhet vetëm zgjedhje, dikush tha se duhet vetëm qeveri me VV-në, e dikush tha se bën edhe Qeveri pa zgjedhje e pa VV-në apo edhe një Qeveri “teknike” apo edhe “gjithëpërfshirëse”.

Dikush u thirr në nenin 82, dikush në nenin 95, e dikush në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014, kur pas zgjedhjeve, PDK-ja si fituese nuk e kishte shumicën, por partitë e tjera – LDK, AAK, Nisma dhe VV – e kishin shumicën, por nuk e kishin mandatin e fituesit.

E dimë si përfundoi situata më 2014, kur PDK-ja joshi LDK-në duke ia ofruar pozitën e kryeministrit Isa Mustafës, por ai lloj precedenti zor se mund të funksionojë këtë herë. Së pari, për shkak se zor që VV-ja t’ia ofrojë postin e kryeministrit dikujt tjetër me të vetmin synim për të mbajtur pushtetin, nëse për asgjë tjetër, atëherë se partia e Albin Kurtit, për dallim nga PDK-ja e Hashim Thaçit e vitit 2014, ka popullaritetin në ngritje, dhe nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani, do të mund të arrinte përqindjen e votave të krahasueshme me ato që arrinte LDK-ja në kohën e Ibrahim Rugovës.

Në anën tjetër, është pikërisht ky faktor – pra një ngritje e madhe e VV-së – që i bën partitë e tjera të druajnë nga ballafaqimi zgjedhor tani, sepse do të pësonin rëndë, jo vetëm pse VV-ja do të dilte bindshëm e para, por edhe për faktin se disa prej tyre, mbase LDK-ja më së shumti, do të pësonin rënie të madhe.

Pra, argumentet politike që për rrugëdaljen kushtetuese nuk janë kredibile, sepse interpretimet e politikanëve dhe përkrahësve të tyre politikë e publikë, për premisë kanë pikën që politikisht u konvenon dhe u sjell avantazh drejt pushtetit, jo parimin kushtetues.

Në këtë kaos interpretimesh ndihmon edhe paqartësia që e kanë lënë në Kushtetutë vetë hartuesit e Ligjit suprem të vendit tonë – nene të ndryshme lënë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe nuk bëhet dallim mes situatave. Për shembull, Qeveria e dorëhequr dhe ajo ndaj së cilës është votuar mosbesimi, në Kushtetutë trajtohen njëjtë.

Për këtë, sigurisht, interpretimin final dhe të vetmin të vlefshëm duhet pritur nga Gjykata Kushtetuese, nëse çështja përfundon aty – dhe gjasat janë shumë të mëdha se kështu do të ndodhë.

Por, edhe kur kjo të bëhet, dilemat dhe paqartësitë do të mbeten, pakënaqësitë do të shprehen dhe legjitimiteti do të kontestohet. Kushdo që përfundon në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, pa kaluar testin e votuesve në zgjedhje të përgjithshme, do të konsiderohet nga shumë anë si uzurpator i vullnetit të popullit, edhe nëse interpretimet kushtetuese dhe vota parlamentare do të jetë në anën e tyre.

Sepse, realiteti politik i situatës aktuale është se mocioni i votuar i mosbesimit në kohën e krizës me koronavirus nuk e ka pasur për pasojë vetë rrëzimin e Qeverisë, por edhe diskreditimin e institucioneve të tjera të vendit në sytë e një pjese të madhe të popullatës, para së gjithash atë të Presidentit të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës. Andaj, kjo situatë nuk mund të riparohet me ndërrimin e një Qeverie. Kjo situatë kërkon ndërrimin e gjithë strukturës që aktualisht përfaqëson vullnetin e popullit.

* * *

Pra, nga situata aktuale do të mund të dilet përmes një interpretimi kushtetues. Por, kriza politike do të vazhdojë. Dalja nga kriza e vendit do të jetë e mundshme kur populli, përmes vullnetit të tij të shprehur lirshëm dhe në mënyrë demokratike, të prodhojë institucione të reja, të pangarkuara nga barra e gabimeve që kanë bërë institucionet aktuale.

Çkado që të ndodhë ndërkohë, kur pandemia të ketë kaluar, diku gjatë verës apo në vjeshtën e hershme, Kosova do të ketë nevojë për zgjedhje të reja, që do të prodhojnë një Parlament të ri dhe një fitues zgjedhor, i cili do të duhet të krijojë një shumicë parlamentare të re, e cila më pas, diku në pranverën e vitit të ardhshëm, do të mund të zgjedhë një president të ri.

Vetëm kur ky cikël të përmbyllet, do të mund të shpresojmë që vendi të jetë në një situatë që nuk është krizë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco