Koha prapë punon për Albin Kurtin

Koha prapë punon për Albin Kurtin

Nga Liri Loshi - 04/04/2020

Argumenti 1 ose argumenti i menaxhimit të krizës

Nëse krahasojmë menaxhimin e krizës globale për shkak të koronavirusit në botë, Kosova po del se që nga dita e parë e tutje e ka menaxhuar këtë krizë pothuaj në mënyrë përfekte. Jo vetëm që këtë e ka bërë më se miri në rajon, por Kosova mund të radhitet nder shtetet që e kanë menaxhuar krizën më së miri në botë.

Meritat për një menaxhim të tillë të suksesshëm i takojnë qeverisë në detyrë dhe kryeministrit Albin Kurti. Suksesi, apo dështimi në menaxhimin e krizës së virusit do të jetë përcaktuese për fatin e mëtejmë të të gjitha qeverive në botë. Pavarësisht pse qeveria Kurti tani mund t’i ketë të numëruara ditët në detyrë, ajo do të mbetet në mendjen e qytetarëve si qeveri e suksesit. Sepse, një kryeminsitër që e menaxhon mirë një krizë nacionale e që në këtë rast është edhe krizë globale, lirisht mund të thuhet se e ka dhënë provimin për drejtimin me sukses të vendit.

Meqë menaxhimi i mirë i qeverisë shpëton jetërat e qytetarëve, nuk ka si të ndodh ndryshe, pos që qytetarët të jenë falënderues ndaj kryeministrit dhe ndaj qeverisë. Dhe, ky disponim do të shprehet masivisht në vota në zgjedhjet e ardhëshme. Për kohën e këtyre zgjedhjeve do të vendosë Kuvendi në bazë të Kushtetutës. Por, nuk është larg menç që nëse mes vendimit të Kuvendit dhe disponimit të shumicës popullore, ka një disproporcion të dukshëm, atëherë kohën e zgjedhjeve ta përcaktojë presioni i popullit, i cili në formë proteste do ta manifestojë frustrimin e tij për padrejtësinë që i është bërë kur në mënyrë joparimore i është mohuar qeveria që ka prodhuar ai vetë me votën e tij.

Si përfundim i tërë kësaj, koha nuk punon për LDK-në dhe “aleatët” e saj joparimorë që u bënë baskë dhe për interesa meskine rrëzuan qeverinë Kurti. Koha punon për Albin Kurtin. Në fakt, nuk është koha, por është puna e tij e mirë që ka bërë në menaxhimin e një krize që kishte potencial për të marrë qindra, apo mijëra jetëra njerëzish.

PS. Neser do të shkruaj për argumentin 2, ose argumentin e taksës, përkatësisht reciprocitetit që favorizon Albin Kurtin në të ardhmen.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco