Mendime 'pro' dhe 'kontra' heqjes së tarifës dhe vuarjes së masës së reciprocitetit

Mendime 'pro' dhe 'kontra' heqjes së tarifës dhe vuarjes së masës së reciprocitetit

Nga Musa Limani - 04/04/2020

Duke parë ndodhitë dhe proceset politike kohëve të fundit në Kosovë, që u krijuan pas mocionit dhe shkarkimit të Qeverisë Kurti, vendosa që të jap opinionin tim nga aspekti ekonomiko-shkencor, pra, duke u përqëndruar në çështjet që kanë të bëjnë me fushën ekonomike, përkatësisht rreth tarifës dhe parimit të reciprocitetit. Ndonëse, rreth tarifës dhe reciprocitetit kam dhënë mendimin tim profesional, të publikuar në portalin https://insajderi.com/ më 12.02.2020 dhe https://www.syri.net më 13.02.2020, të emërtuar: Tarifa (taksa) doganore apo reciprociteti. Me këtë rast, po ashtu sjelll opinionin tim profesional, rreth futjes, rolit, funksionimit dhe efikasitetit të masës së reciprocitetit si masë në rend të parë ekonomike, por me efekte edhe politike, duke mos pretenduar të mbrojë, apo të kritikojë askend.

Aktualisht, Kosova gjendet në një situatë të rëndë epidemike nga koronaviruesi dhe shumë të ndërlikuar politike, pas mocionit dhe shkarkimit të qeverisë aktuale. Në momentin kur duhet që të kemi një unitet të gjithë spektrit politik, dhe strukturave tjera, për ta luftuar koronaviruesin, i cili është përhapur në tërë botën, andaj edhe në Kosovë, e që po merr ditë e për ditë jetëra njerëzish, spektri politik në vendin tonë, po merret me mocion të mosbësimit dhe shkarkim të Qeverisë. Tani, preokupim kryesor i spektrit politik, është bërë tentimi për të gjetur zbrastësira në Kushtetutë, ose për të bërë një qeveri të re, ose për të shkuar prapë në zgjedhje të reja.

Lidhur me vendimin e Qeverisë për tërheqjen e tarfiës dhe vuarjen e masës së reciprocitetit, kemi mendime “pro” dhe “kontra”, si brenda Kosovës, ashtu dhe nga faktori ndërkombëtar. Brenda Kosovës, AAK-ja ishte kundër heqjes së tarifës (masë e cila kishte efekte positive ekonomike dhe politike), kurse LDK-ja dhe partitë e tjera parlamentare ishin për heqjen e tarifës, por kundër vuarjes së masës së reciprocitetit. Ndërkaq, nga faktori ndërkombëtar, pos Ambasadës të SHBA-së në Kosovë dhe përfaqësuesist special të Presidentit Trump z. Richard Grenell, që ishin për heqjen e tarifës pa kurfarë kushtesh, pra ishin kundër vuarjes së masës së reciprocitetit, ka edhe zëra që përkrahin heqjen e taksës dhe vuarjen e reciprocitetit. Me këtë rast, z. Grenell asnjëherë nuk ka deklaruar se çka do t’i sjellë Kosovës heqja e tarifës pa kurrfarë kushtesh. Ai bile pat deklaruar se nuk ka parë ndonjë Marrëveshje të fshehtë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po kurrë nuk ka deklaruar se nuk ekziston ndonjë marrëveshje e tillë. Profesori i Universitetit John Hopkins z. Daniel Serwer, njohës i mirë i Ballkanit, më 23.03.2020 në gazetën BIRN nga Jeta Xharra (burimi: https://prishtinainsight.com/daniel-serwer-grenell-is-no-friend-mag-mag-of-kosovo/),pati deklaruar se:

“Kosova të anashkalojë nënshkrimin e marrëveshjes e cila është pregaditur gjatë udhëtimit të Presidentit Thaçi në Uashington muajin e kaluar”.

Si rrjedhim z. Server, thekson se ekziston një marrëveshje (e fshehtë apo jo), mirëpo, këtë nuk e pohon z. Grenell. Madje, kongresmeni Z. Eliot Engel, Kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtëpinë e Bardhë, më 27.03.2020 në faqen e tij zyrtare (burimi:https://engel.house.gov/latest-news/engel-statement-on-us-policy-toward-kosovo/), ndër të tjera kishte deklaruar se :

“Unë kam ngritur shqetësimet e mia lidhur me taktikat e rënda që administrata e Trump-it po i përdorë në Prishtinë. Departamenti i Shtetit ka kërkuar që tarifat me Serbinë të hiqen. Por, kjo administratë i ka kthyer në ndëshkime ekonomike, vetëm disa javë pasi Kurti e mori Qeverinë. Në vend se t’i lihej qeverisë së re, të ballafaqohet me problemin e pandemisë të agjencive të saja dhe të vendos procedurat e brendshme, SHBA-ja kanë kontribuar në krizë politike në Prishtinë mbi tarifat me Serbinë. Tarifat janë mjete ligjore të një shteti sovaran. Si të tilla ato janë vendosur rreth e përqark botës nga Presidenti Trupmp kundër miqëve dhe armiqëve për arsye ekonomike dhe politike”.

Ndërkaq, ish ambasadori amerikan në Beograd Michael C. Polt, diplomat me përvojë mbi 35 vjeçare, më 02.04.2020 në Twitter-in e tij personal, kishte deklaruar:

“Nuk ka asnjë arsye që Kosova nuk do të duhej të kërkojë trajtim reciprok të tregtisë të saj me Serbinë. Presioni i SHBA-së në Kosovë në këtë rast është i gabuar”.

Po ashtu, ambasadorët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë etj; e kanë mirëpritur heqjen e taksës, duke mos përmendur reciprocitetin që në heshtje do të thotë se vuarja e kësaj mase nënkuptohet e pranueshme.

Andaj, nga ajo që u tha më sipër, del konstatimi se, vendimi i Qeverisë në detyrë i heqjes së taksës dhe vuarjes së masës së reciprocitetit, jo që nuk ka prishur raportet as me SHBA-në, e as me vendet e Bashkimit Evropian, përkundrazi, është përkrahur nga këto vende, përveq qëndrimit të Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe z. Grenell, qëndrim që është për tu çuditur!. Unë nuk do të lëshohem në detale lidhur me këto qëndrime, porse mund të them se duhet patur parasysh gjithmonë se këto masa nuk janë vuar as kundër SHBA-ve, e as vendeve të BE-së, por vetëm kundër Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, të cilat me sjelljet e tyre armiqësore kanë dëmtuar Republikën e Kosovës, si në pikëpamje ekonomike ashtu dhe politike.

Për çështjen e tarifës dhe reciprocitetit në ekonomi, do të duhej të flisnin vetëm ekonomistët edhe atë makroekonomistët, të japin mendime dhe sqarime profesionale, se çka në realitet paraqesin këto dy masa që kryesisht kanë të bëjnë me transaksione ekonomike, e të mos përzihen jo profesionalistët, sidomos disa analist as që i kuptojnë këto terme.

Vuarja dhe zbatimi i masave dhe instrumenteve të politikës së zbatuar ekonomike, janë e drejtë e patjetërsueshme dhe kompetencë e sovranitetit shtetëror të çdo vendi të pavarur. Andaj, edhe Kosova në bazë të sovranitetit të saj si shtet i pavarur dhe ndërkombtarisht i pranueshëm, do të caktojë dhe zbatojë masa dhe instrumente të politikës së zbatuar makroekonmike, ështu siç është interesi i bizneseve, përkatësisht ekonomisë së vendit tonë. Në këtë kuptim është caktuar edhe tarifa më parë dhe tani masa e reciprocitetit si imponim i sjelljeve armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës.

Andaj, si markeonomist, nga aspekti ekonomik dhe shkencor, e posaçërisht duke ditur rëndësinë, rolin, funksionin dhe efektet e masës së reciprocitetit, mendoj se e vendimi i Qeverisë, për heqjen e tarifës 100,0% për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe vuarjen e reciprocitetit, do të ketë impakt pozitiv ekonomik dhe politik, mendim që e kam elaboruar në këtë shkrim. Tarifa e ka dhënë efektin e saj, vazhdimi i më tejmë do të ketë efekte kontraproduktive, kurse masa e reciprocitetit duhet të jetë në fuqi, jo vetëm ndaj këtyre dy vendeve, por të gjitha vendeve që marrin masa ekonomike dhe politike në disfavor të Kosovës. Masa e reciprocitetit për kah funksioni dhe efikasiteti i saj ekonomik dhe politik është shumë më e gjerë se sa tarifa. Andaj, kjo masë duhet të mbetet në fuqi deri te marrëveshja finale e pranimit reciprok në kufijtë ekzistues ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Vuarja e masës (parimit) të reciprocitetit, është e drejtë ekskluzive e sovranitetit të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe ndërkombëtarisht i pranueshëm. Andaj, për këtë gjë, Kosova nuk ka nevojë të pyes e as të konsultojë askend, por vendos sipas interesit të saj ekonomik dhe politik. Nëse, për këtë gjë Serbia vënë kushte për fillimin e negociatave, atëherë Kosova edhe më tepër ka të drejtë morale që të vejë kushte para Serbisë, si: heqjen në preambullë të Kushtetutës së saj “Kosova i Metohija”, lobimin për tërheqjen e njohjeve, pengimin në anëtarësimin në organizma ndërkombëtare, hejqen e tarifave jotarifore në qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, përdhosjen e kushtetutshmërisë, sovranitetit dhe territorialitetit të Kosovës nëpër mjet “Lista srpska” etj. Tani shtrohet pyetja. Pse faktori ndërkombëtar asnjë herë deri më tani nuk bënë trysni ndaj Serbisë për këto sjellje armiqësore dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare ndaj Kosovës. Andaj, trysnia e faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës është në adresë të gabuar. Faktori ndërkombëtar, veçmas SHBA, Gjermania, Anglia, Franca, Italia e vendet e tjera të BE-së, të cilat janë të interesuara në zgjidhjen Kosovës dhe Serbisë, duhet paralelisht të bëjë trysni ndaj të dyja vendeve dhe heqjen e barierave ekonomike e politike nga të dy anët dhe arritja e një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me obligime juridike, duke respektuar integritetin territorial dhe kushtetues, që ofron stabilitet në rajon dhe prosperitet afatgjatë për popullatën e të dy vendeve.

Masat e reciprocitetit në fushën ekonomike. Në vazhdim të shohim se çka duhet kuptur me masën e reciprocitetit nga aspekti ekonomik? Reciprociteti ka dy anë të medalës: ekonomike dhe politike, si dhe pozitive dhe negative.

Nga aspekti ekonomik, në rastin konkret, reciprociteti nënkupton vuarjen e të gjitha barierave tarifore dhe jo tarifore, të cilat Serbia ia vënë Kosovës, të njëjtat t’ia vëjë dhe zbatojë edhe Kosova Serbisë. Pra, reciprociteti në ekonomi nuk ka të bëjë me sasi, por me marrjen e masave të ndërsjellta gjegjëse ndaj vendit tjetër. Serbia që nga pas lufta, kishte vuar barira tregtare ndaj Kosovës dhe asnjë herë nuk e ngriti zërin faktori ndërkombëtar për shkelje të parimeve të tregtisë ndërkombëtare dhe të CEFTA-së, kurse vuarja e të njëjtave bariera nga ana e Kosovës qenkan problem dhe shkelje sipas parimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO, dikur GATT). Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, masa e reciprocitetit nuk është në kundërshtim më të drejtën ndërkombëtare, por paraqet parim universal, kur një shtet merr masa simetrike, si kundër përgjigje ndaj veprimit të ngjajshëm të zbatuar nga vendi tjetër. Në këtë kuptim kemi anët pozitive dhe negative të masës së reciprocitetit. Në anën pozitive, në kuadër të instrumenteve në politikën e tregtisë së jashtme që bënë pjesë në masat ndërkombtare, janë kontratat ndërkombëtare ekonomike. Me anën e këtye kontratave rregullohen marrëdhëniet e ndërsjella ekonomike me karakter bilateral dhe mulitilateral, në të cilat hasim këto parime:

- Parimi (klauzola) e favorizimit më të madh. Nëse në kontratë figuron kjo klauzollë do të thotë se vendit përkatës i njihen të gjitha të drejtat, favorizimet dhe koncesionet që i janë dhënë (apo njohur) më parë cilitdo vend tjetër.

- Parimi i reciprocitetit. Sipas këtij parimi kërkohet që çdo lehtësim që i jepet një vendi në transaksionet ekonomike dhe politike, të përcillet (jepet) me lahtësim të kundërt gjegjës ekonomik e politik nga vendi përkatës.

- Parimi preferencial. Ky parim në vete përfshinë mundësin e dhënies së koncesioneve speciale në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve një vendi në krahasim me vendet e tjera.

- Parimi i tretmanit nacional. Ky parim në vete nënkupton që shtetet kontraktuese me rastin e kontraktimit, qytetarët dhe personët juridik e fizik të bashkënënshkruesit t’i trajtojnë për disa çështje saktësisht të përcaktuara ashtu si i trajton edhe qytetarët dhe personat juridik e fizik të vendit të vet.

Andaj, ana pozitive e reciprocitetit nënkupton që një vend i bënë koncesione dhe privilegje në fushën diplomatike dhe tregtare, të njëjtat duhet bërë edhe vendi i dytë ndaj të parit.

Siç kemi cekur më sipër, privilegjet e masës së reciprocitetit vlejnë edhe në zbatimin negativ. Me këtë rast veprimi i reciprocitetit duhet të jetë ekuivalent (i barabartë) me masat e vendit tjetër. Këtë po e ilustrojmë me rastin tonë konkret ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përkatësisht Kosovës dhe Serbisë. Kështu, nëse Serbia nuk lejon që mjetet transportuese dhe shtetasi i Kosovës të hyjë në territorin e saj me targa me regjistrim RK, atëherë Kosova

duhet t’i përgjigjet me të njëjtën masë. Madje, Serbia nuk i pranon çertifikatat fito-sanitare dhe veterinare të Kosovës. Me këtë rast, vjen deri te rritja e kostos, sepse duhet paguar çdo analizë shtesë, qëndrimi i mallit në terminal, prolongimi i kohës së dërgimit të mallit deri te vendi destinues etj. Automatikisht, këso veprimesh duhet të bëjë edhe Kosova ndaj mallrave me origjinë nga Serbia, aqë më parë kur dihet se ekzistojnë ligje të veçanta për prodhimet që i dedikohen tregut të Kosovës. Po ashtu, asnjëherë deri më tani dhe sigurisht as tani, Serbia nuk do të pranojë që mallrat nga Kosova të hynë në territotin e saj me made-in Republika e Kosovës. Andaj, sipas masës së reciprocitetit, Kosova fiton automatikisht të drejtën që të njëjtën masë ta zbatojë edhe për mallrat e Serbisë që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Në kontekst të kësaj duhet thënë se, marrja e këtyre masave nga ana e Kosovës, nuk paraqet kurrfarë diskriminimi në politikën e transaksioneve ekonomike ndaj Serbisë, por vetëm kundër përgjigje ndaj masave që ajo po ndërmerrë ndaj mallrave të vendit tonë. Tani vetëvetiu shtrohet pyetja, si për Serbinë ashtu dhe faktorin ndërkombëtar. Si nuk po paraqitka problem dhe diskriminim vuarja e masave jo tarifore dhe barierave tjera ndaj mallrave të Kosovës, por vuarja e të njëjtave masave e barierave nga ana e Kosovës mallrave të Serbisë, qenka problem dhe shkelje e parimeve tregtare bilaterale? Marrja e këtyre masave është në pajtim të plotë me Marrëveshjen e CEFTA-së. Sipas kësaj Marrëveshje, asnjë vend anëtar i CEFTA-së, ku është edhe Kosova, nuk mund t’i vëjë kurrëfarë përkufizimesh dhe barierash vendeve tjera anëtare të saj, në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve etj. Këto parime të kësaj Marrëveshje, që nga fillimi i kishte shkelur Serbia duke penguar Kosovën me masa jo tarifore e bariera tjera që të plasojë mallin në tregun e Serbisë, bile pengonte edhe kalimin tranzit. Çka është edhe më e keqja, për këto masa të Serbisë asnjëherë nuk e ngriti zërin BE-ja e as faktori ndërkombëtar, për diskriminimin e Serbisë ndaj Kosovës në qarkullimin e mallrave. Andaj, le ta dinë si Serbia ashtu dhe të gjithë të tjerët, se masa të reciprocitetit marrin të gjitha vendet e botës, por nuk trajtohen si të dëmshme dhe të pa lejueshme, sepse me masa të tilla i përgjigjen veprimeve të vendit tjetër. Pra, e drejtë sovrane e Kosovës është që në mënyrë të pavarur të merrë masa të njëjta kundër Serbisë në qarkullimin e mallrave. Masa e reciprocitetit si në botë ashtu edhe në Kosovë ka dhënë efekte positive. Me këtë rast unë vetëm po ia përkujtojë opinionit se para disa vitesh, Maqedonia bëri embargo ndaj eksportit të miellit nga Kosova. Si përgjigje ndaj kësaj mase, Kosova po ashtu vuri embargo ndaj eksporteve të Maqedonisë në Kosovë. Pas kësaj mase, Maqedonia brenda dy dite e hoqi embargon që e kishte vuar për miellin nga Kosova.

Andaj, reciprociteti nga aspekti ekonomik, do të thotë raporte të ndërsjellta ekonomike të një vendi me një vend apo vende të tjera. Me reciprocitet vendet duhet të zbatojnë masat që një vend merrë ndaj vendit të tyre, t’i zbatojë të njëjtat për vendin tjetër. Në veprimtarinë e vetë në fushën ekonomike, reciprociteti kryesisht ka të bëjë me masa doganore dhe jashtëdoganore (tarifore). Në kuptimin më të gjerë të fjalës, si dhe të drejtës ndërkombëtare, reciprociteti kuptohet që një vend i njeh ligjet e vendit tjetër në të njëjtën masë në të cilën vend i dytë atë e bënë ndaj vendit të parë.

Masat e reciprocitetit nga aspekti poltik. Parimi i reciprociteti siç kemi cekur më parë, ka dy anë të medalës: ekonomike dhe politike. Me këtë rast po marrim vetëm disa shembuj, ku masa e reciprocitetit duhet zbatuar edhe në fushën politike. Serbia nuk lejon që nxënësit shqiptar të furnizohen me tekste në gjuhen shqipe nga Kosova. Të njëjtën gjë duhet bërë edhe Kosova për tekstet në gjuhen serbokroate që sillen nga Serbia për nxënësit e minoritetit serb në Kosovë. Kosova, i ka dhënë të drejtat maksimale minoritetit serb, që as serbët në Serbi nuk i kanë këto të drejta, të njëjtat duhet kërkuar edhe për shqiptarët në Luginën e Preshëvës (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). Dy gjuhësia është e zbatueshme në Kosovë për vetëm 3,0% serb, e Serbia në komunat me shumicë shqiptare nuk i lejon atyre as të drejtat më elementare kombëtare. Serbia nuk i pranon diplomat e shqiptarëve që i marrin në Universitetet dhe Kolegjet e Kosovës, të njëjtën duhet bërë edhe Kosova për serbët që e kryejnë shkollimin në Universitetit dhe Kolegjet e Serbisë. Me fjalë të tjera, çdo gjë që bënë Serbia në fushën politike kundër Repbulikës së Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duhet kthyer në të njëjtën masë Serbisë.

Në fund, duke pasur parsysh atë që u tha më sipër, si dhe funksionin dhe efektet, mund të thuhet se, masa e reciprocitetit është shumë më efikase se sa tarifa doganore. Masa e reciprocitetit në vete, pos që paraqitet si instrument shumë efikas që zgjidh në mënyrë të ndërsjelltë problemin e qarkullimit të mallrave, zgjedh edhe shumë probleme në fushën politike. Andaj, parimi i reciptocitetit duhet të mbetet në fuqi deri sa të arrihet Marrëveshja Finale dhe gjithëpërfshirëse, në kuptimin e pranimit reciprok në bazë të kufijve ekzistues dhe pa kurrfarë kushtet tjera ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Masa e reciprocitetit duhet të zbatohet edhe nëse pas parnimit, Serbia merr masa diskriminuese në fushën ekonomike dhe politike ndaj Kosovës. Po ashtu, aktualisht dhe më vonë, masa e reciprocitetit duhet të zbatohet ndaj çdo shteti, që merrë masa diskriminuese politike dhe ekonomike ndaj Kosovës. Zbatimi i kësaj mase ka edhe përparësinë e saj ndaj tarifës doganore. Me zbatimin e reciprocitetit, as Serbia e as faktori ndërkombëtar nuk mund të thonë se, Kosova po merrë masa diskriminuese, sepse me futjen në zbatim të kësaj mase, vendi ynë vetëm i kundërpërgjigjet Serbisë dhe cilitdo vend tjetër për masat e marrura ndaj Kosovës, si në fushën ekonomike, ashtu dhe politike, si e drejtë universale ndërkombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco