Rrena e Thaçit, nga Lugina e korrigjimi, te demarkimi

Rrena e Thaçit, nga Lugina e korrigjimi, te demarkimi

Nga Syri.net Kosova - 02/04/2020

Politikan më të paskrupullt Kosova me siguri nuk do të shohë për një kohë të gjatë. Duhet të jesh shumë i lig, t’ia bësh popullit tënd atë që po vazhdon t’ia bëjë Hashim Thaçi.

Është fat i mirë në këtë fatkeqësi botërore, që njerëzit janë gjithë ditën në shtëpi dhe kanë kohë që t’i shohin e t’i dëgjojnë mirë secilin nga liderët që vulosin fatin e Kosovës për dy dekada.

I njëjti publik e ka ende të freskët, fushatën e presidentit dhe argatëve të tij, medialë, politikë, diplomatikë, biznesorë, për ndarjen e Kosovës. A ju kujtohet se si dilte me një shkop në dorë Batoni, mercenari jo vetëm i Thaçit, në studio televizive e mundohej t’i bindte shqiptarët se veriu historikisht ka qenë pjesë e Serbisë…

Presidenti në anën tjetër, me zell të paparë e mbronte tezën e korrigjimit të kufijve, të cilën thoshte se e kishte shpikur vetë, edhe pse origjina e saj është në Beograd. Për muaj me radhë, Thaçi&CO, bombarduan opinionin publik me pazarin territorial, që sipas tyre do e sjellë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB.

Në fakt, ajo që njerëzit besonin dhe vazhdojnë edhe sot të besojnë, është një gjë tjetër. Ndarja e Kosovës, mund të vulosë fatin personal të Hashim Thaçit, mbi kurrizin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës.

Por, si mbërriti deri në këtë pikë ky njeri, që në mes të krizës më të madhe që njeh bota që nga Lufta e Dytë Botërore, ta rrëzojë qeverinë më shpresëdhënese që ka pasur Kosova ndonjëherë?

Historia e ngritjes politike dhe pushtetit të Thaçit, është rrëfim i një sundimtari të kamufluar në petkun e një demokracie të brishtë siç është demokracia kosovare. Ai ka qeverisur me logjikën “përça e sundo”, një popull që e humbi shpresën te lidershipi i tij që në mandatin e parë. Të dytin pastaj e grabiti me vjedhje industriale votash, të tretin e siguroi me ingranazhet juridike të shtetit që i kontrollonte dhe të katërtin, me një aleancë hajdutësh të prirë prej partisë së tij.

Puçi, siç e quan raportuesja e Parlamenti Evropian për Kosovën, do t’ia sigurojë Thaçit, mandatin e pestë dhe më të rrezikshmin.

Në intervistën e radhës, ai mohoi kategorikisht se mbështet ndarjen e Kosovës, është kundër Asociacionit të Komunave me Kompetenca Ekzekutive, që e mban vulën e tij dhe të Isa Mustafës.

Pra, sërish provoi të na gënjejë publikisht, duke mos harruar të sulmojë BE-në, donatorin më të madh në Kosovë. Sipas Thaçit, në tavolinën e dialogut përballë tij janë një tufë budallenj, që do të nënshkruajnë marrëveshjen finale, pa marrë asgjë, por duke na njohur si shtet, duke i hapur rrugën ulëses në OKB  për Republikën e Kosovës dhe duke siguruar edhe pesë njohjet e munguara nga anëtarët e Bashkimit Evropian.

Hallin personal me Gjykatën Speciale, e ka shndërruar në rrezik serioz për shtetin. Për ta realizuar planin antikushtetues e antikombëtar, e rrëzoi qeverinë me argatët e tij në partitë kosovare dhe duke shkelur mbi legjitimitetin e kushtetutën, po mundohet ta instalojë një qeveri kukull.

Koha është flori, në kohë pandemie, sepse njerëzit janë të obliguar të rrinë brenda. Prandaj i ngutet, edhe pse askujt tjetër në botë përveç tij nuk i ngutet më kjo punë.

Por, Thaçi e di, se sapo të qetësohet situata dhe pandemia të kalojë, ftesa kryesore e Speciales mund t’i mbërrijë në zyrën e tij. Sa më shpejt e copëton Kosovën, aq më të mëdha gjasat që ta përmbyllë edhe një pazar të lig me pasoja për brezat.

Tani së fundmi, pasi e pa se korrigjimi, Lugina, shkëmbimi, janë teza që nuk ia mbeshtet askush, është fshehur pas demarkimit të kufirit. Kujtojeni demarkacionin me Malin e Zi dhe 8500 hektarët që mbeten andej kufirit. Me Serbinë, sa të jetë në pushtet Thaçi, humbja territoriale mund të jetë tronditëse.

Prandaj, ata që e duan Kosovën në këta kufij të njohur ndërkombëtarisht, duhet të bëhen gati për rezistencë të fortë në  10-11 muajt në vazhdim, deri sa t’i mbarojë mandati presidencial, njeriut që po e mban peng vendin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco