Ambasadorët e Kosovës

Ambasadorët e Kosovës

Nga Daut Dauti - 02/04/2020

Piktura e quajtur ‘Ambasadorët’, e punuar në vitin 1533 nga Hans Holbein, në shumë aspekte është vepër fascinuese. Dy personat që shihen në pikturë që gjendet në ‘National Gallery’ në Londër, janë diplomatë francezë që kanë shërbyer si ambasadorë në Britani të Madhe. I pari, në të majtë, është Jean de Dinteville kurse tjetri Georges de Selve. Që të dy duken njerëz të veshur bukur dhe rrezatojnë dinjitet.

Piktura ka elemente mjaft enigmatike. Psh. objekti që shihet në mes, me formë të çuditshme, që dikujt nga larg i duket shpatë apo thikë, nëse shikohet anash, është kafkë e njeriut. Në mes të pikturës, diplomatët i ndanë një hapësirë ku janë vendosur gjësende që janë simbole të dijes, artit dhe kulturës. Në realitet që të dy këta ambasadorë kanë qenë të kulturuar dhe të dijshëm, sidomos de Selve që ka gëzuar reputacion të një shkollari të njohur.

Pra, ajo që paraqet kjo pikturë në mënyrë prominente është se ambasadori është njeri shumë i rëndësishëm për shkak se ai e përfaqëson vendin e tij në një vend tjetër. Shtetet, që nga themelimi, kanë patur kujdes që për ambasadorë t’i zgjedhin njerëzit më të mirë që kanë.

Si qëndron puna me ambasadorët e Kosovës në Londër dhe gjetiu? A janë edhe ata sikur që sygjorohet në këtë pikturë? Siç e dijmë, shumica e ambasadorëve dhe diplomatëve tanë janë mozomakeq.

Deri tashti Kosova ka pasur dy ambasadorë në Londër dhe mund të thuhet se që të dy kanë qenë në nivel të duhur pa marrë parasyshë prapavijën e tyre politike. Tashti janë bërë disa vite që Kosova në Londër nuk ka ambasador. Kjo nuk është për shkak se Prishtina nuk ka mund ta zgjedh më të mirin por për shkak se forcat politike në Kosovë ende nuk kanë mund të goditen në pazarin e emërimin e ambasadorit në këtë vend. Pra, është luftë se kush po e dërgon për ta rehatuar njeriun e vet e jo mundim për ta gjetur njeriun meritor.

Në realitet Kosovës nuk i duhet ambasada në Britani të Madhe e as ambasadori. Shteti britanik i kryen punët tona vet dhe më mirë se ne. Plus, ambasada britanike në Prishtinë e bënë të njejtën gjë. Nëse duhet që Kosova të ketë gjithsesi përfaqësues diplomatikë dhe konzullorë në Londër, kjo mund të bëhet fare lehtë me dy veta të cilët me një marrëveshje do të vndoseshin të punonin në zyret e ambasadës së Shqipërisë. Pra, me këtë do të shënohej një hap i unifikimit të diplomacisë së këtyre dy vendeve për të cilën gjë është folur shumë e nuk është bërë asgjë.

Ajo që i nevojitet Kosovës në Britani të Madhë është një qendër kulturore siç kanë shumë vende tjera. Shqiptarët në këtë vend, gjithnjë e më shumë janë duke u bërë faktorë të rëndësishëm në fushën e arsimit, artit dhe kulturës. Nga ana tjetër Britania e Madhe ende mbetet vendi më i rëndësishëm për këto fusha. Pra, një qendër/zyre që e lidhë Kosovën me Britaninë, e cila ofron informata për këto fusha dhe ndihmë shqiptarëve në këtë vend, është më se e nevojshme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco