'Klani Pronto' të vjedh e të shan, a ‘profesorët’ e LDK-së njërën dorë ta fusin në xhep e me tjetrën të ledhatojnë

'Klani Pronto' të vjedh e të shan, a ‘profesorët’ e LDK-së njërën dorë ta fusin në xhep e me tjetrën të ledhatojnë

Nga Kim Mehmeti - 02/04/2020

“Lexova diku se drejtuesit e LDK-së mezi presin t’i ftojë Presidenti i Kosovës në takimin ku mbase do merren vesh edhe për një qeveri të zhvatësve të bashkuar ‘proamerikanë’ të vendit. Madje njëri prej tyre paska thënë se vetëm të çmendurit mund ta refuzojnë ftesën e punëdhënësit të tij?!

E pse, mos priste dikush që pleqtë e LDK-së të shkojnë atje ku duhet: te votuesit, besimin e të cilëve e shkelën si të ishte leckë për t’i fshirë qyrat!? Apo mos pritët që ata të lënë pas dore ardhjen e tyre në pushtet e të lejojnë t’i ligështojë brenga për varfërinë që i kanoset Kosovës pas kalimit të pandemisë!?

Lexova diku se Kryetari i LDK-së sa nuk i ka shpallur antikombëtarë të gjithë ata që e kritikojnë atë dhe e mbështesin Kryeministrin e Kosovës?! Dhe do pajtohesh me të por vetëm nëse do më bindte se demokraci e atdhetari është ta gënjesh popullin tënd, t’i premtosh se do e çosh drejtë të ardhmes, e që pastaj ta groposësh në të shkuarën tënde që ka shenja hajdutokratie!

Dhe më në fund, ‘profesorët’ e LDK-së shumë lehtë do dëshmonin se nuk janë zhvatës të Kosovës dhe me lehtësi do ua mbyllnin gojën kritikuesve të vet: vetëm nëse do ‘shkonin’ te punëdhënësi i vërtet i tyre – populli – që t’i tregonin se kanë ndërruar mendje dhe se kanë vendosur të kthehen aty ku kanë qen gjithmonë – te ‘Strofulli i Gjarprit”:

Sidoqoftë ka diçka me të cilën pajtohem me drejtuesit e LDK-së: Kosova nuk ka nevojë për dhunë ngaqë ende nuk i ka shëruar plagët nga dhuna serbe. Por rinia e Kosovës duhet të jetë edhe më e revoltura dhe me e zëshme si dhe, asaj duhet t’i thuhet se të parët e tyre e jetuan robërinë shekullore serbe, e ata janë duke e shijuar ‘robërinë’ e shqiptarëve zhvatës, të cilët edhe kur kanë të shkuar atdhetarë, sot sillen si mercenar të cilëve nuk u është paguar kontributi dhe u është vonuar paga?!

Siç duhet thënë se dëshpërimi i rinisë së Kosovës është i arsyeshme dhe se ajo rini sot e jep provimin e pjekurisë së saj politike. Dhe ajo rini dëshmon se e ka kuptuar që të kërkosh politikanë të njerëzishëm e të përgjegjshëm mes atyre që s’kanë asnjë parim e që shkelin çdo premtim dhënë popullit, është njësoj si të kërkosh të virgjër në shtëpi publike!”

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco