Thaçi mund ta kontrollojë Kuvendin e Gjykatën, por jo edhe zemërimin e sovranit

Thaçi mund ta kontrollojë Kuvendin e Gjykatën, por jo edhe zemërimin e sovranit

Nga Syri.net Kosova - 01/04/2020

Me një fjalë, qeveria bën të shkarkohet në kulmin e pandemisë që ka goditur botën, por zgjedhjet, edhe pse i parasheh Kushtetuta, nuk mund të shpallen…

Isa Mustafës i ‘shpëtoi’ një deklaratë që duhet mbajtur mend në javët e muajt e ardhshëm. ‘Me 82 deputetë ne e ndërrojmë edhe Kushtetutën”, tha lideri i LDK-së pas takimit me presidentin.

Por, përse duhet ndërruar Kushtetuta? Përgjigjja është fare e thjeshtë. Për t’ia mundësuar realizimin e skenarit territorial, Hashim Thaçit. Me Kushtetutën në fuqi, çdo marrëveshje që prek territorin, është antikushtetuese e si e tillë do të anulohej menjëherë.

Me dy të tretat e deputetëve dhe dy të tretat e votave të pakicës, ndryshohet edhe Kushtetuta. Këto vota Thaçi aktualisht i ka. Deputetët serbe të dirigjuar nga Vuçiqi mezi presin ta votojnë një ndryshim të tillë që i hap rrugën superfaktorizimit të tyre mbi kurrizin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Dikujt mund t’i kujtohet suprimimi autonomisë së Kosovës në mars 1989 nga Serbia. Kjo është edhe më keq.

Autori kryesor i këtij puçi kushtetues është Hashim Thaçi, ndërsa argati numër një i tij, ish-funksionari në regjimin jugosllav, Isa Mustafa. Një tandem i përkryer për një goditje kaq të pamëshirshme ndaj Republikës sonë.

Nga takimet e sotme me krerët e tri partive kryesore, u kuptua se prishja e koalicionit, nuk është një improvizim i LDK-së. As veprimet e presidentit nuk janë improvizuese.

Shihet qartë, se Thaçi është dakorduar me PAN-in dhe Isa Mustafën&CO. Kollaj është të bësh pazar politik me ta. Veç ua tregon pozitat edhe mbyllet marrëveshja.

Ditëve në vazhdim, do ta shohim edhe publikisht një dakordim antikushtetues, të pamoralshëm, të pabesë dhe jolegjitim përballë sovranit. Po kush pyet për sovranin nga këta liderë, që ose janë të paaftë, ose të korruptuar.

PDK-ja do mundohet të tregojë se është opozitë, por kuorumin e nevojshëm do t’ja bëjë LDK-së. Thaçi me gjasë e ka piketuar kryeministrin e ri, ndonjërin nga servilët e LDK-së, i gatshëm të bëjë çdo gjë që ia kërkon shefi.

Uria e madhe për pushtet, do t’i rreshtojë në krah të LDK-së, parti të vogla si AAK dhe Nisma. Joserbët shkojnë nga të fryjë era, ndërsa serbët e Listës, sipas direktivave Vuçiq-Thaçi. Qeverisë së re i mjaftojnë 61 vota, Bëhet edhe ndonjë më shumë.

Skenari I thjeshtë. Pas 50 ditësh, LDK e braktis Albin Kurtin, rikthehet në gjirin e PAN-it e të Hashim Thaçit. Pak rëndësi ka tani a është ligjore, kushtetuese e moralshme etj, etj.

Në Gjykatën Kushtetuese mund të ketë profesionistë, por aty ka edhe anëtarë partie. Lehtësisht e parashikueshme se cili do të ishte interpretimi i tyre në këtë rast.

Kushtetuta flet qartë në nenin për mocionin e mosbesimit. Aty thuhet se pas votimit të sukseshëm të një mocioni mosbesimi, presidenti mund të shpërndajë Kuvendin dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Praktikat e deritashme kështu janë ndjekur. Nëse ndodh ndryshe, ky do ishte një precedent i rrezikshëm për demokracinë. Kësisoj, secili fitues i zgjedhjeve mund të kushtëzohet e shantazhohet nga partneri, siç ndodhi në rastin e LDK-së me VV-në dhe pastaj të bëhet pazari në tavolinë e të deformohet vullneti i votuesve.

Autorët e puçit të shtetit, kanë harruar megjithatë faktin më të rëndësishëm. Ata as që po e marrin parasysh reagimin e pritshëm të qindra mijëra kosovarëve të tradhtuar nga Isa Mustafa, i dirigjuar prej Hashim Thaçit.

Kuvendin mund ta kontrollojnë, por jo edhe zemërimin popullor, që kurrë më i fortë nuk ka qenë.

Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme, për ta legjitimuar qeverinë që do të vijë.

Çdo skenar tjetër, mund të ketë pasoja dramatike për Kosovën.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco