Tri gjendjet e jashtëzakonshme...

Tri gjendjet e jashtëzakonshme...

Nga Veton Surroi - 01/04/2020

1. 

Brenda 75 vjetësh në Kosovë janë bërë katër përpjekje për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Tri prej tyre kanë qenë të suksesshme, njëra ende jo. Përpjekja e parë e suksesshme ka qenë vendosja e Kosovës nën Administratë ushtarake më 1945. E dyta, vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme (me titull të gjatë të kohës së socializmit ) më 19811982 dhe e treta, vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme (me titull njëjtë të gjatë) më 1989 e 1990. 

Që të tria u bënë pak para se të hyhej, apo në të hyrë në pranverë. Si edhe kjo e fundit, që është përpjekje, më 2020. Ka njerëz që janë të gjallë, sot janë kategoria më e rrezikuar nga COVID-19, e që i mbajnë mend që të tri përpjekjet e suksesshme për vendosje të gjendjes së jashtëzakonshme dhe që ndiejnë drithërimë nga cilido prej përjetimeve të cilësdo gjendjeje të jashtëzakonshme. Por, përtej drithërimave, ja përpjekja për një analizë të ftohtë. 

2. 

Që të tria përpjekjet e suksesshme kanë pasur të përbashkët se janë vendosur si nxitje për çrregullim të gjendjes e jo për rregullim të saj. Në shkurt të vitit 1945 u vendos Administrata ushtarake me arsyetimin se popullata shumicë nuk mund të administrohej nga pushteti vendor. Pushteti vendor asokohe ishte i përbërë në shumicë prej partizanëve të deriatëhershëm, në shumicë shqiptarë e me qëllim që ai pushtet të zgjerohet edhe përtej anëtarëve të Partisë Komuniste (ideja e Frontit, e zbatuar edhe në Konferencën e Bujanit). 

Kjo gjendje e mundësisë së sundimit të shumicës u prish me provokime të qëllimta (terror antishqiptar në Gjilan e Ferizaj, nxitje konflikti në Drenicë, masakra e Tivarit) dhe Administrata ushtarake ishte përgjigje, e cila çrregulloi gjendjen, madje deri në ditët e sotme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco