Katërdh’etë

Katërdh’etë

Nga Veton Surroi - 31/03/2020

1.

Karantina rrjedh prej katërdhjetë.

Venecia që nga shekulli XIV ka mbajtur jashtë portit të vet anijet për të cilat supozohej se kishin sëmundje ngjitëse në bord. Këto anije duhej të qëndronin pa ankoruar 40 ditë. Në shekullin XVII këtë praktikë e morën pothuaj të gjitha portet italiane, me dallimin se ato mund të ankoronin, por ekuipazhi nuk mund të zbriste për 40 ditë.

Bëhej fjalë pra për “quaranta giorni”, në italisht 40 ditë apo shkurt “quarantena”. Burimi etimologjik është nga latinishtja “quattuour”, fjalë që në afërsinë gjeografike e të lashtësisë që e ka shqipja do të thotë katër.

Edhe etimologjikisht jemi në të katërdhjetat. Apo katërdh’etat.

Edhe një përafrim: jemi në anijen tonë kolektive në Kosovë, janë të katërdh’etat, e brenda anijes sonë dhe të katërdh’etave - gjendemi në ditën e shtatëmbëdhjetë.

Me ligjet e Venecias do të zbarkojmë për diçka më shumë se tri javë, diku në fund të prillit.

Gjatë një muaji me një përkufizim të këtillë kohor disi përputheshin rrëfimet e shumë epidemiologëve, nga anë të shumta. Sipas tyre, prej momentit të paraqitjes së virusit java e katërt dhe e pestë shënonin majën e zhvillimit të epidemisë, e pastaj fillonte rënia. Diku pas javës së gjashtë apo të shtatë, dihet se a është normalizuar gjendja. Në fjalorin venecian, a mund të zbarkohet.

Natyrisht, tash, shtatëqind vjet më vonë, ligjet veneciane duken si një luks. Në ndërlidhjen që e ka bota, në Kosovë edhe mund të arrihet fitore kundër virusit, por nëse ai jeton si epidemi diku tjetër - në Itali, Britani, Amerikë - do ta gjejë rrugën e rikthimit ndër ne.

Të katërdh’etat, për dallim prej Venecias, mund të mos dalin si produkt i shumëzimit katër herë dhjetë.

2.

Të katërdh’etat janë për lindje e vdekje.

Një lehonë, e donin zakonet shqiptare këtej, nuk duhej të dilte nga shtëpia me foshnjën para se të kalonin katërdhjetë ditë. E kuptueshme fiziologjikisht; që të dytë, nëna dhe foshnja, do të ishin në gjendje më të mirë pas kësaj periudhe. E kuptueshme si evolucion: njeriu është shtaza e vetme e cila nuk rri në këmbë të veta nga lindja. I nevojitet numërimi për të kuptuar se kur është gati të jetojë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco