Beteja mes  Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit, lë në hije Koronavirusin në Kosovë

Beteja mes Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit, lë në hije Koronavirusin në Kosovë

Nga Syri.net Kosova - 30/03/2020

Interpretime kushtetuese shpërthyen nga të tëra anët, sapo 82 deputetë të instruktuar  e rrëzuan qeverinë 50 ditore, që shihej si shpresë reale në luftimin e krimit e korrupsionit dhe ndaljen e ndarjes së Kosovës.

I takon, s’i takon, kujt i takon, kush e ka shumicën, kush do të jetë mandatari i ri….etj, etj. Një listë e pafund shpjegimesh, arsyetimesh, verdiktesh, pohimesh, manipulimesh…

E vërteta është se Kushtetuta që e bënë “ekspertët” kosovarë, ka lënë hapësira të mjaftueshme për të abuzuar. Njëra nga to është shmangur në vitin 2014, kur PDK fitoi zgjedhjet, por askush nuk dëshironte koalicion me të.

Gjykata Kushtetuese, nën diktatin e Hashim Thaçit, nxori shpjegimin detyrues për palët, që me fjalë të thjeshta, i binte që, pa fituesin e zgjedhjeve, të cilit i takonte posti i kryeparlamentarit, nuk mund të formohet qeveria. Të tjerat ishin çështje e marrëveshjeve politike.

Precedenti kushtetues, nuk i la hëpsirë manovrimi kujtdo që qëllon në postin e presidentit, i cili është i obliguar të zbatojë kushtetutën e Republikës.

Por, kjo nuk është thjesht, çështje kushtetuese. Pas votimit të sukesshëm të mocionit të votëbesimit, nëse partia fituese nuk ka emër tjetër mandatari, vendi shkon në zgjedhje. Kështu ka ndodhur në të kaluarën. Kështu do të duhej të ndodhte edhe tani.

Çdo variant tjetër, duke llogaritur në votat e 82 deputetëve, që u bënë bashkë për hir të interesave të ngushta, që t’i shërbejnë regjimit të vjetër me Thaçin në krye, është grusht shteti. Këtë e tha edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën.

Kosovarë votuan me 6 tetor të vitit të kaluar, për qeverinë e drejtuar nga VV-ja në koalicion me LDK-në dhe ky ishte një rotacion pushteti i mirëpritur. Fatkeqësisht LDK, e mbetur ende patericë e Hashim Thaçit, e braktisi qeverinë, pasi e akuzoi partnerin për premtimet që vetë I kishte shkelur (tarifa dhe reciprociteti).

Partitë e PAN-it bashkë me LDK-në dhe Listën serbe që menaxhohet nga Vuçiqi, bashkëplanifikuesi i Thaçit në skenarin për ndarjen e Kosovës, deformuan kështu vullnetin e sovranit. Legjitimiteti zgjedhor u cënua rëndë dhe politikanët e dinë se në një rast të tillë, ka vetëm një zgjidhje-zgjedhje të reja!

Thaçit i ngutet, sepse e ka me urgjencë ta shfrytëzojë këtë kohë izolimi të qytetarëve, ta legalizojë marrëveshjen e dëmshme me Serbinë, që planifikon mbetjen e veriut, pjesës më të pasur të Kosovës, në territorin serb.

Pandemia është si një farë Bingoje për presidentin, i zhdërvjellët në prapësitë e tij që prej se është në politikë. Formimi i një qeverie të re, me votat e kontrabanduara në Kuvend, duke përmbysur në mënyrë antikushtetuese rezultatin zgjedhor, në këtë periudhë, e kufizon reagimin e pritshëm qytetar.

Por, Thaçi harron se po luan me zjarrin dhe përballë nuk e ka një lider që e shantazhon kur të dojë, e blen apo e fut në pazare të ndryshme. Me Albin Kurtin, gjërat janë ndryshe.

Mbështetja popullore që për presidentin ka rënë në nivelin më të ulët, për kryeministrin në detyrë, po rritet dita-ditës. Marksist apo radikal, autoritar apo mospërfillës, njerëzit në Kosovë nuk kanë alternativë më të mirë momentalisht, sesa Albin Kurti.

Pasi garda e vjetër, sërish iu rreshtua pas Thaçit, pa dyshim që Kurti shihet si lideri i vetëm që mund t’i bëjë ballë dhe ta pensionojë përfundimisht nga skena politike, njërën nga figurat më të mbrapshta në historinë e Kosovës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco