Tetë arsyet pse është tradhti kombëtare shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi

Tetë arsyet pse është tradhti kombëtare shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi

Nga Adem Breznica - 29/03/2020

1. Sepse me dhënien eventuale të komunave veriore Serbisë, krijohet një pykë serbe që hyn ndërmjet tokave shqiptare të Kosovës aktuale dhe Sanxhakut shqiptar të Novi Pazarit, që aktualisht është në Serbinë jug-perëndimore, por që dikur ka qenë pjesë e pandashme e Vilajetit të Kosovës;

2. Rripi eventual serb që mund të hyjë ndërmjet Kosovës dhe Sanxhakut do të sillte ndërprerjen përfundimtare të komunikimit tokësor ndërmjet shqiptarëve nga të dyja anët, dhe si pasojë do të shkaktonte asimilimin përfundimtar të shqiptarëve të asaj krahine të mbetur nën Serbi si dhe varrosjen e aspiratës së tyre për autonomi, pavarësi apo bashkim me Kosovën;

3. Do të shembej përfundimisht "miti" i Toplicës dhe Nishit shqiptar, dhe kthimi i atyre trevave në dorën dhe shtatin e natyrshëm të etnikumit tonë;

4. Do të sakrifikohej Toplica, krahina më unike shqiptare, e cila ka më së shumti toponomi shqipe, madje edhe më e pastër në këtë drejtim se sa Shqipëria e mesme aktuale;

5. Toplica e ka dhe akoma e ruan emrin tonë kombëtar të trashëguar nga Mesjeta e hershme, i cili përfaqësohet edhe sot e kësaj dite në tri katunde unike: Arbanasce, Alabana dhe Arbanaska, të shtrira brenda një trekëndëshi prej 2.000 km, e që deri në Krizën Lindore të viteve 1875-1878, kanë qenë të banuara vetëm me shqiptarë dhe, në një perimetër dhjetë fishë më të gjerë, të rrethuara gjithashtu me vendbanime dhe katunde të tjera plotësisht shqiptare. Të tilla toponimi unike, që tregojnë emrin tonë kombëtar, të shtrira kaq afër njëra-tjetrës dhe në një mjedis tërësisht shqiptarë, nuk hasen dot në asnjë trevë tjetër të etnikumit tonë natyral.

6. Toplica dhe Nishi, me shumë gjasë, janë vendet prej nga ka lindë emri i etnosit dhe gjuhës sonë kombëtare: “shqiptar” dhe “shqipe” (nga s’krypto’arban, s'krypto'arbët, s'kypt'arbët, s'kypt'arvët, sh'ypt'arëvet - sh'kypt'arëvet - sh'qypt'arvet - s'qypt'arëvet - sh'qypt'arvë, shqiptar, sh(q)iptar), prandaj si të tilla duhet të jenë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore, historike, etnike dhe kombëtare, më shumë se sa Hilandari për Serbinë;

7. Toplica dhe Nishi janë vendlindja e Konstandinit të Madh, perandorit romak me origjinë dardano-ilire, që e shpëtoi nga shembja dhe e rimëkëmbi Romën, që i dha fund paganizmit si dhe e themeloi Bizantin, vepra këto të cilat qëndrojnë të pandashme edhe sot e gjithë ditën në themelet identitare, kulturore dhe trashëgimore të Evropës moderne; dhe

8. Fundja, cilido shkëmbim i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, eventualisht Veriu i Kosovës me Luginën e Preshevës, nuk do të ishte gjë tjetër përveçse pazar i tokave shqiptare me tokat shqiptare, në llogari të një shteti tjetër, pra shitja e një cope të vetës sonë për të blerë një copë tjetër po ashtu të vetës sonë.

/Adem Breznica, profesor i historisë/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco