Nuk ishte dorëzim, po rezistencë!

Nuk ishte dorëzim, po rezistencë!

Nga Shkëlzen Gashi - 26/03/2020

Eksponentë të të ashtuquajturave parti politike që e kanë sunduar Kosovën gjatë këtyre dy dekadave, po thonë se Kryeministri i Kosovës u dorëzua dhe i braktisi pritjet e votuesve të vet.

1. Pse u rrëzua Qeveria e Kosovës?

Sepse prej saj u kërkua që për fillim ta heqë taksën 100% ndaj mallrave nga Sërbia dhe Bosnjë e Hercegovina e të mos e zëvendësoj atë me reciprocitet karshi Sërbisë e Bosnjë e Hercegovinës.

2. Çfarë kishte premtuar Qeveria e Kosovës për taksën gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit 2019?

Se do ta heqë taksën 100% ndaj mallrave nga Sërbia dhe Bosnjë e Hercegovina e ta zëvendësoj atë me reciprocitet karshi Sërbisë e Bosnjë e Hercegovinës. Njësoj kishte premtuar edhe partneri tjetër i koalicionit qeveritar – LDK-ja.

3. Çfarë bëri Qeveria e Kosovës lidhur me këtë premtim?

Më 20 mars 2020 mori vendim që importet e lëndës së parë nga Sërbia dhe Bosnjë e Hercegovina të lirohen nga taksa 100%, e më 1 prill 2020 të nxirret vendim për ta shfuqizuar tërësisht taksën 100% dhe për të vendosur reciprocitet të plotë me Sërbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën në të gjitha çështjet.

4. Kush u dorëzua e i braktisi premtimet ndaj votuesve të vet?

LDK-ja dorëzua e i braktisi premtimet ndaj votuesve të vet me arsyetimin se ambasadorët ndërkombëtarë po kërkojnë heqjen e taksës PA reciprocitet. Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës këmbënguli se duhet heqja e taksës ME reciprocitet: për heqjen e taksës PA reciprocitet duhet të pyetën qytetarët e Kosovës sepse qeveritarët e Kosovës janë zgjedhur nga qytetarët e Kosovës e jo nga ambasadorët.

5. A kishte ndonjë arsye tjetër për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës?

Në të vërtetë, arsyeja kryesore ishte refuzimi i Kryeministrit të Kosovës për ta pranuar një marrëveshje për normalizim të raporteve me Sërbinë, e cila parashihte cënim të integritetit territorial të Kosovës (shkëmbim të territoreve) dhe të rregullimit të brendshëm kushtetues (asociacion me kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë sërbe e status eksterritorial për kishat e manastiret ortodokse).

Prandaj, nuk ishte dorëzim, po rezistencë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco