Ju që do ta votoni planin e gjarprit do të mbaheni mend si hardhucë të politikës

Ju që do ta votoni planin e gjarprit do të mbaheni mend si hardhucë të politikës

Nga Syri.net Kosova - 25/03/2020

 

Deputetët e LDK-së që morën votat e elektoratit në emër të qeverisjes me VV-në, për të rrëzuar regjimin e vjetër, duhet të jenë të vetëdijshëm se vota e tyre në favor të rrëzimit të qeverisë, është vetëvrasje politike dhe veprim antishtetëror e antikombëtar.

Nuk ka dallim një votë e tillë sot, në krahasim me kohën kur suprimohej autonomia e Kosovës. Ta mbani mend mirë!

Nuk mund të dilni më e të kërkoni votat e kosovarëve, nëse në kulmin e pandemisë së Koronavirusit, e rrëzoni qeverinë e cila po kërcënon të korruptuarit dhe po ndal zhvatjen njëzetvjeçare me veprimet e saj.

Mos harroni se ajo që sot e kundërshton mocionin e mosbesimit, është kryetare e Kuvendit dhe kandidatja juaj për kryeministre, që mori vota më shumë se Isa Mustafa e Avdullah Hoti, kandidatë të mëhershëm. Këto vota u dhanë për të ta kthyer Kosovën në binarët e duhur, ndërsa ju që sot do ta dëgjoni një lider të dirigjuar nga Hashim Thaçi, do të shkelnit kështu mbi vullnetin e sovranit.

Për deputetët e PAN-it, ky është një rast i volitshëm ta ndalin përkohësisht Vetëvendosjen, në qeverisjen kundër  krimit e korrupsionit, kundër ndarjes së Kosovës e kundër kapjes së shtetit.

Bashkarisht, ju deputetë të Kuvendit të Kosovës, që sot e vendosni fatin e kësaj qeverie, e cila po bën një punë të mirë, edhe në menaxhimin e pandemisë, duhet të kujtoni se një marrëveshje e keqe po e prêt Kosovën në dialogun me Serbinë.

Ju mund ta rrëzoni qeverinë e koalicionit që vetë e votuat para dy muajsh, por është e qartë se do ta forconi së tepërmi Albin Kurtin dhe partinë e tij.

Me votën që e rrëzon atë, do t’i bindni edheanëtarët tuaj të devotshëm e lërë më qytetarët pa parti, se cila mbetet alternative e vetme për Kosovën.

Mund të bëni pazare antikushtetuese, sepse presidenti përçarës, do t’i përmbushë matematikat politike, por një ditë detyrimisht do të shkojmë drejt kutive të votimit.

Qytetarët e këtij vendi nuk ua kanë borxh, që ta shndërroni Kosovën në lajmin më tragji-komik, në kulmin e një pandemie që ka pllakosur botën, me qindra mijëra të prekur, mijëra të vdekur e pasoja katastrofike ekonomike.

Sot, në vend që të ishit duke votuar një paketë mbështetëse për ekonominë e goditur nga Koronavirusi, ju keni vendosur t’ia jepni edhe një grusht shtetit të brishtë.

Turp për ju, që po e godisni edhe një herë shpresën. Ashtu siç bëtë kur hytë sërish në gjirin e Hashim Thaçit, për t’i drejtuar njerëzit  masivisht rrugëve të emigracionit.

Në historinë e Kosovës, ju që do ta votoni planin e gjarprit do të mbaheni mend si hardhucë të politikës dhe mjeranë.

Kthimi i regjimit të vjetër, është goditja më e madhe që keni mjundur t’ia jepni popullit të ngujuar, për shkak të mosshpërndarjes së virusit.

Nesër, ndoshta nuk do të jetë më kështu, sepse revolta popullore do të jetë aq e fortë, saqë nuk do të ketë karantinë që ju shpëton!

 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco