Zbatoni vendimin e qeverisë, ja sa mund të dënoheni

Zbatoni vendimin e qeverisë, ja sa mund të dënoheni

Nga Rina Kika - 24/03/2020

Kuvendi i Kosovës nxjerr ligje. Me ligje mund t’i kufizojë të drejtat dhe liritë e njeriut në raste të caktuara*. 

Këto kufizime zbatohen nga institucionet e pushtetit publik, përfshirë këtu edhe Qeverinë e Kosovës. Ligji Nr.02/L-109 për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2008 dhe përcakton kufizimet e disa të drejtave të njeriut që mund të imponohen për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. 

Mes tjerash, ky ligj përcakton se mund të «ndalohen tubimet e personave në shkolla, kinema, lokale publike dhe vende tjera publike, deri sa të mos kalojë rreziku nga epidemia» (neni 44, par.c). Ky përcaktim ligjor paraqet kufizim të lirisë së tubimit, që është e drejtë fundamentale njerëzore (neni 43 i Kushtetutës). Siç dihet, Qeveria e Kosovës e ka kufizuar lirinë e tubimit nga 16 marsi i këtij viti me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19.

Kufizim tjetër që parashihet në këtë ligj është edhe ndalimi i qarkullimit në rajonet e infektuara ose drejtëpërsëdrejti të infektuara (neni 41, par.2, pika b e Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). 

Ky kufizim ligjor është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe e lejon kufizimin e lirisë së lëvizjes nga Qeveria me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. Madje kufizimin e lirisë së lëvizjes në pajtim me ligjin e për qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik e lejon edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ka epërsi ndaj ligjeve të Kosovës. (neni 2, paragrafi 3 Protokoli 4, KEDNJ). Me vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë, është vendosë që të kufizohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve në tërë Kosovën në orë të caktuara, në situatë të shpallur si emergjencë e shëndetit publik në Kosovë, për parandalimin e përhapjes së virusit të shpallur si pandemi nga OBSH. Prandaj vendimi për kufizimin e lirisë së lëvizjes është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës pasi që bazohet në Ligjin për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe e kufizon lirinë e lëvizjes për qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik.

Argumenti se kufizimi i të drejtave të njeriut në këtë rast është dashur të bëhet me miratimin e shumicës së votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës sugjeron se për çdo situatë të re që paraqitet, kufizimin e të drejtave të njeriut do të duhej ta vendosë Kuvendi. Kjo është absurde. Madje do të nënkuptonte që edhe për kufizimin e lirisë së tubimit javën që shkoi ka qenë dashur të vendosë Kuvendi i Kosovës me shumicë të votave. Kuvendi tashmë ka vendosur se liria e lëvizjes, ashtu si edhe liria e tubimit, mund të kufizohet si masë për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse dhe këtë e ka bërë me miratimin e Ligjit për Parandalimin e Përhapjes së Sëmundjeve Ngjitëse, duke e mveshur Qeverinë shprehimisht me këtë kompetencë.

Sa i përket zbatimit të kufizimeve të të drejtave nga autoritetet publike, Kushtetuta përcakton se institucionet e pushtetit publik «e kanë për detyrë t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe të shqyrtojnë mundësinë e realizimit të atij qëllimi me kufizim më të vogël.» (neni 55, par. 4 i Kushtetutës). Këtu duhet pasur parasysh se përkundër masave dhe kufizimeve të vendosura nga Qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19, virusi ka vazhduar të përhapet. Për pasojë, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë vendim që ta kufizojë qarkullimin e qytetarëve dhe të automjeteve, në orë të caktuara, si masë për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Rëndësia e parandalimit të përhapjes së virusit është e pakontestueshme. 

Fakti se lëvizja e qytetarëve dhe shpërfillja e masave parandaluese po e shkakton përhapjen e virusit është po ashtu i pakontestueshëm. Meqë kufizimin e lirisë së lëvizjes Qeveria e ka bërë për orë të caktuara, mund të konsiderohet se me vendimin e marrë i ka kushtuar rëndësi natyrës, vëllimit dhe raportit të kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet. Prandaj, Vendimi i Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve është marrë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Për fund, meqë u përmend se qytetarët dhe institucionet publike kryejnë vepër penale me zbatimin e vendimit të Qeverisë, duhet të gjithë ta kemi parasysh nenin 249, paragrafi 1 të Kodit 06/L-074 Penal të Kosovës ku përcaktohet: «Kushdo që nuk vepron sipas dispozitave apo urdhrave të organit publik kompetent në fushën e shëndetësisë, e cila ka për qëllim parandalimin apo luftimin e sëmundjeve ngjitëse te njerëzit apo kafshët dhe me këtë shkakton përhapjen e sëmundjes ngjitëse te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.»

*Me përjashtim të disa të drejtave të veçanta si liria nga tortura, liria nga skllavëria, e drejta për të mos gjykuar dy herë për të njëjtën vepër penale, ku nuk bën pjesë liria e lëvizjes.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco