I ashpër Muhaxheri, sulmi me vezë thikë pas shpine për SHBA-në

I ashpër Muhaxheri, sulmi me vezë thikë pas shpine për SHBA-në

16:00, 22/02/2020

Edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri nga LDK-ja, ka reaguar pas gjuajtjes me vezë ndaj ndaj bashkë partiakut, njëherit zv kryeministrit Avdullah Hoti. 

"Sot, nga njerëz të ligë, të inspiruar nga drejtuesit e tyre me mendësi regresive, është sulmuar me vezë zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ndërkaq sulmi i këtyre qyqarëve ka vetëm një qëllim tashmë të njohur botërisht: Izolimin dhe degradimin e vendit, me theks të veçantë dëmtimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Muhaxheri.

Sipas tij pra, sulmi ndaj zëvendëskryeministrit Hoti, mund të cilësohet si sulm mbi qeverinë, shpresën dhe entuziazmin e bazuar për një të ardhme të mirë të vendit, në të njëjtën kohë ky sulm mund të cilësohet edhe si thikë pas shpine për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai shtoi se qyqarët dhe frikacakët, si përfaqësues të së keqes për vendin, një gjë duhet ta dinë, se koha për qeverisje të keqe ka marrë fund, ndërsa qeverisja e mirë më nuk është një ëndërr, por një realitet i merituar për qytetarët e vendit.

Për më tepër, ata duhet të dinë se zëvendëskryeministri Hoti, përfaqëson më së miri dhe me shumë kompetencë politikën tradicionale të LDK-së, të projektuar nga Presidenti Historik, Dr.Ibrahim Rugova, i cili me mençurinë, urtësinë dhe guximin e tij ndërtoi shtyllat e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë së vendit, dhe atë të mbështetur fuqishëm në miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Fali Zot qyqarët dhe frikacakët dashakeqës të së ardhmes tonë, ndërkaq na mbro ne, vendin dhe marrëdhënien tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Amerikën!", tha kryetari i Pejës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco