Hovi i shtuar/ Tetë ftesa për dy javë nga Gjykata Speciale

Hovi i shtuar/ Tetë ftesa për dy javë nga Gjykata Speciale

09:58, 19/01/2020

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë e kanë nisur me intensitetin e njëjtë edhe vitin 2020.

Fillimviti ka qenë mjaft i zënë për këtë organ ndjekës, që deri më tani kanë dërguar disa ftesa për intervistim në Kosovë.

Së fundmi, nga Specialja ftesë mori edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, bashkë me ish-ushtarin e UÇK-së, Xhevahir Geci.

Më herët se këta dy, ftesë nga Specialja morën edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, Bahri Gashi e Imer Zogaj.

E përveç Reçicës, këtë vit të ri ftesë nga Haga mori edhe deputeti tjetër i PDK-së, Ferat Shala.

Të njëjtës, Shala do t’i përgjigjet më 5 shkurt, ndërkaq që nuk dihet se në çfarë cilësie.

E si i pari që u ftua nga Specialja në vitin 2020, është ish-ushtari, Agron Limani, i cili në postimin e tij njoftues fajësoi deputetët e Kosovës për votimin e Ligjit për Specialen.

Specialja ka ftuar edhe dy ish pjesëtarë të UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës.

Janë këta Abedin Daka nga fshati Ceravik i Komunës së Klinës, i cili është edhe vëlla i dëshmorit, Mirush Daka, si dhe Sherif Tahiri nga fshati Tërdevc i komunës së Drenasit.

Në total, Specialja për 18 ditë dërgoi 8 ftesa në Kosovë.

Edhe ngritja e aktakuzave pritet të jetë çështje ditësh nga institucioni ndjekës i Hagës.

Së fundmi, Dhomat e Specializuara të Tribunalit dhe Prokurorisë, kanë hapur 33 pozita të lira pune, të cilat kanë të bëjnë direkt me procesin e mbajtjes së seancave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco