Anulohet Milot-Balldren? Koncesionari ‘rrëzon’ Braçen: Vazhdon puna

Anulohet Milot-Balldren? Koncesionari ‘rrëzon’ Braçen: Vazhdon puna

14:00, 07/12/2019

Zëvendëskryeministri Erion Braçe sugjeroi se një nga kontratat më kontroverse koncesionare të qeverisë së tij, ajo për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren “nuk bëhet”, duke shprehur skepticizëm për një kontratë që shumë e kanë parë me dyshime. Sipas Braçes, qeveria e ka bërë të ditur këtë që para një muaji “kur i pa se kompania nuk i përgjigjet dot kontratës”. Braçe nuk bëri të ditur se kur e si qeveria “e ka bërë të ditur” para një muaji që kjo kontratë “nuk bëhet”.

Por Ndue Kola, drejtor i kompanisë ANK që ka fituar koncesionin, i tha BIRN se ai ishte informuar mbi deklaratën e Braçes vetëm të shtunën në mëngjes dhe se ai ishte duke vijuar punën normalisht për zbatimin e saj.

“Unë jam duke aplikuar për kredi. Kontrata ka hyrë në fuqi më 4 tetor dhe unë kam afat deri në 4 tetorin e ardhshëm për fillimin e zbatimit,” tha Kola në një bisedë telefonike.

Braçe, i cili gjendej në emisionin Prokokacija në një kohë që qeveria është nën presion për të anuluar disa nga projektet më të debatueshme të qeverisë Rama për të zhvendosur fondet në ndihmë të familjeve të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve me SMS të BIRN nëse komentet e tij ishin një opinion, d.m.th., ai mendon se kontrata nuk do të realizohet, apo ishin një fakt i llojit “qeveria ka vendosur të tërhiqet prej saj”.

Kryeministri Edi Rama është prej vitesh nën kritika si nga opozita politike ashtu edhe nga organizmat ndërkombëtare si FMN apo Banka Botërore, të cilat vlerësojnë se kontratat koncesionare të tij janë produkt i procedurave jokorrekte të prokurimit,  mbartin rreziqe të larta për financat publike dhe nuk ofrojnë vlerë për të justifikuar kostot.

Koncesioni në fjalë synon të ndërtojë një autostradë me distancë 17 kilometra, e cila lidh kryqëzimin e Milotit me fshatin Balldre në veri të Lezhës dhe ka një kosto prej afro 32 miliardë lekësh. Koncesioni është fituar nga dy kompani vendëse, të cilat hodhën fillimisht një propozim të pakërkuar dhe më pas dolën fituese të tenderit ku nuk kishte garë të mirëfilltë.

Pasi tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të shumta, qeveria u përball me kërkesën e anulimit të së paku një pjese të këtyre kontratave koncesionare për zhvendosjen e fondeve të tyre në ndihmë të familjeve dhe bizneseve të goditura nga tërmeti./BIRN

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco