Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vlerësuar se procesi zgjedhor ka qenë i rregullt dhe dinjitoz, duke theksuar se merita për këtë i takon qytetarëve të Kosovës.
“Zgjedhjet kanë qenë të lira, mirëpo nuk kanë qenë të drejta, të pabarabarta për shkak se është përdorur paraja publike dhe resurset publike. Përdorimi i parasë publike e ka bërë efektin e vet”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka thënë se rezultati zgjedhor është ai që është, duke pranuar pritjet për një rezultat më të mirë për PDK-në.
“Rezultati është ky që është. Kemi prit më shumë. Kemi mujt më shumë. Unë pres që numri i deputetëve do të jetë më i madh”, është shprehur ai.
Hamza ka theksuar se është e rëndësishme që vendi të mos mbetet në vakum institucional dhe që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt.
“Me rëndësi është që të kemi konstituim më të shpejtë të Kuvendit dhe mos të kemi vakum institucional”, ka thënë ai.
Duke komentuar pjesëmarrjen në zgjedhje, Hamza ka vlerësuar se abstenimi i votuesve është një mesazh për të gjitha partitë politike.
“Abstenimi i votuesve është mesazh për të gjithë ne”, ka deklaruar ai.
Hamza ka bërë të ditur se PDK do të zhvillojë zgjedhje të brendshme gjatë këtij viti.
© SYRI.net