Kosova intensifikon përpjekjet për anëtarësim në KiE, Gërvalla javën e ardhshme shkon në Strasburg

Kosova intensifikon përpjekjet për anëtarësim në KiE, Gërvalla javën e ardhshme shkon në Strasburg

10:48, 20/06/2024

Kosova është duke vazhduar përpjekjet për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës, dhe institucionet relevante janë duke punuar në këtë drejtim.

Lidhur me këtë çështje ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pritet që më 25 qershor të jetë në Strasburg ku do të ketë takime të ndryshme me strukturat udhëheqëse të Këshillit të Evropës.

Lajmin se ministrja do të udhëtoj për në Strasburg e kanë konfirmuar për Telegrafin nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kujtojmë se një javë më parë Gërvalla në një intervistë për emisionin “Përballje” në Telegrafi.com deklaroi se Kosova ka pasur një plan të qartë dhe të detajuar që nga aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Gërvalla nënvizoi se përpjekjet e Kosovës për anëtarësim nuk kanë qenë të lehta dhe kanë kërkuar angazhime të shumta diplomatike.

“Ne nuk kemi ndenjur duarkryq po jemi përpjekur të hapim dyer të ndryshme dhe të hapim shtigje të ndryshme,” deklaroi ajo.

Kujtojmë se më 16 prill Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës, mirëpo në takimin e Komitetit të Ministrave më 17 maj Kosova mbeti jashtë agjendës.

Për t’u pranuar në Këshillin e Evropës, në favor të vendit aplikues duhet të jenë së paku dy të tretat e votave në Komitetin e Ministrave.

Nga 46 vende anëtare sa ka organizata, Kosovën e kanë njohur 34.

Për të siguruar anëtarësinë, në favor të saj do të duhej të votonin ministrat e së paku 31 vendeve.

Aktualisht Kosova mbetet në vendndalim, derisa vendi kryesues i Këshillit të Evropës ta nxjerrë në agjendën e Komitetit të Ministrave – qoftë në mbledhje të jashtëzakonshme, qoftë në cilëndo mbledhje të rregullt në vitet e ardhshme.

Në parim, procedura në Asamblenë Parlamentare nuk përsëritet.

Kosova ka vite që nuk ka arritur të bëhet pjesë e ndonjë organizate të madhe ndërkombëtare dhe këtu ka luajtur rol edhe lobimi kundër i Serbisë. /Telegrafi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco