Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se akuzat e kryeministrit Albin Kurti ndaj Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e kanë lënë pa tekst, duke shtuar se kjo nuk është diçka e këshillueshme për t’u bërë.
Sipas Ramës, rruga që ka zgjedhur Kurti çon në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Por, ka thënë se beson se kjo do të jetë e përkohshme.
“Nuk duam të ndikojmë në Prishtinë, pasi në Prishtinë janë autoritetet që burojnë nga vullneti i popullit të Kosovës dhe janë ata që kanë përgjegjësinë për ta udhëhequr Kosovën dhe për të zgjedhur rrugën për të arritur te një qëllim, që e kemi të përbashkët. Ne duam të njëjtën gjë, çështja është që ne mendojmë që rruga që ata kanë zgjedhur është rruga që nuk çon te arritja e atij qëllimi të përbashkët, po përkundrazi çon në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara, me BE, pra me miqtë, me aleatët me partnerët në vend se të çojë të realizimi i këtij qëllimi të përbashkët, kjo është e trishtueshme, por unë kam besim sidoqoftë që kjo është e përkohshme”, ka deklaruar Rama.
Tutje, Rama ka thënë se qasja e Kurtit në dialog, po e ndihmon Serbinë sepse po e viktimizon në sytë e gjithë bashkësisë ndërkombëtare, miqve dhe partnerëve. Politikën që ka zgjedhur Kurti, Rama e ka quajtur “dritë shkurtër”.
“Dhe ajo që është për të ardhur keq është se qasja e Prishtinës po i ndihmon Serbisë, nuk po ndihmon Kosovën sepse po viktimizon Serbinë në sytë e gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe në sytë e miqve dhe partnerëve tanë, po i mbyll gojën miqve dhe partnerëve tanë duke e kthyer Serbinë në një aktor që luan rolin e dikujt që është i penguar të bëjë gjënë që në fakt nëse Kosova do ishte proaktive dhe pozitive në dialog, Serbia mbase nuk do ta bënte, por ama do të ekspozohej dhe do ta merrte gjithë presionin ajo. Ndërkohë që kështu Serbia luan një teatër të cilin ia jep mundësinë ta luajë, politika dritë shkurtër e Prishtinës”, ka deklaruar Rama në një intervistë për ABC News.
© SYRI.net